Nafta i rikthehet humbjeve – Ndikon rritja e prodhimit në SHBA pranë 12 mln fuçive në ditë

Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie, gjatë sesionit të sotëm, për shkak  se prodhimin në SHBA u rrit në një rekord pranë 12 milionë fuçi në ditë. Gjithashtu, humbjet u mbështetën nga shqetësimet që kanë të bëjnë me ngadalësimin e kërkesës.

Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 51.9 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 60.9 dollarë për fuçi. Prodhimi i naftës bruto në SHBA arriti në një rekord prej 11.9 milionë fuçi në ditë, gjatë javës që u mbyll në 11 janar, njoftoi Administrata për Informimin mbi Energjinë.

Që nga janari i vitit 2018, prodhimi i naftës në SHBA është rritur me rreth 2.4 milionë fuçi ditë, që ka ndikuar njëkohësisht edhe në rritjen e rezervave.

Gjithashtu, administrata amerikane njoftoi se rezervat e benzinës u rritën me 7.5 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, kundrejt parashikimeve për një rritje me 2.8 milionë fuçi.

Paralelisht në rritjen e prodhimit, edhe eksportet e naftës nga SHBA u rritën, në një rekord prej 3.2 milionë fuçi në ditë, deri në fund të vitit të kaluar.

Në këtë situatë, analistët mendojnë se, Shtetet e Bashkuara po shkojnë drejt pavarësisë energjetike dhe shumë shpejt do të bëhen një eksportues neto i naftës, falë rritjes së prodhimit të naftës argjilore.

Megjithatë, humbjet po kufizohen nga ulja e prodhimit nga OPEC dhe Rusia, me 1.2 milionë fuçi në ditë.

Lidion Kulla/SCAN