Mull për Shqipërinë: Faktor strategjik në rajon. SHBA me fat që ka miq të tillë

Nënsekretari i Shtetit për Çështjet Politike, në Departamentin Amerikan të Shtetit shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin e SHBA-ve për partneritetin me Shqipërinë, duke theksuar se SHBA është me fat që ka miq të tillë.

Lajmi është bërë i ditur nga Nënsekretari i Shtetit për Çështjet Politike, Stephen Mull në rrjetin social “Twitter”.

“Këtë javë pata kënaqësinë të takoja ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati në Uashington për të diskutuar kontributin e madh të Shqipërisë në komunitetin Transatlantik. SHBA është me fat që ka miq të tillë”, shkruan Mull në rrjetin social “Twitter”, pas takimit me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Ky i fundit ndodhet në Uashington, ku po merr pjesë në Ministerialin mbi “Lirinë Fetare” me ftesë të Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo.

Mull dhe Bushati zhvilluan një takim më herët, gjatë të cilit zyrtari amerikan theksoi rëndësinë strategjike që SHBA-të i japin integrimit të Shqipërisë në BE dhe vazhdimit të zbatimit të reformave të brendshme. Ai falënderoi Shqipërinë për kontributin e çmuar si në kuadër të NATO-s, ashtu dhe si faktor konstruktiv në rajonin e Ballkanit Perëndimor. /e.caushi/ATA/