Mosdëmshpërblimi i trashëgimtarëve, persekutimi i dytë për ish-të përndjekurit

Plani i Edi Ramës për të mos dëmshpërblyer familjet e ish-të përndjekurve politikë është persekutimi dhe poshtërimi i dytë për ish-të përndjekurit”’, është shprehur sot nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku.

Tabaku theksoi se, “me vendimin që paralajmëroi Ministri i Financave bëhet e qartë se qeveria e Edi Ramës u tall dhe mashtroi ish-të përndjekurit, të cilëve u premtoi dëmshpërblim të plotë. Por kjo nuk ishte e papritur”.

“Në këto 4 vjet qeveria e Edi Ramës: Uli me e 3.2 mld lekë fondin për kompensimin. Ndryshoi skemën e kompensimit duke shpikur pengesa për të vonuar dëmshpërblimin. Hoqi bursat që u jepej familjeve të pasardhësve. Largoi nga puna familjarët e të persekutuarve vetëm për shkak të prejardhjes së tyre, duke zbatuar luftën e klasave njësoj si paraardhësit e regjimit komunist”, tha Tabaku.

“Të mos dëmshpërblesh trashëgimtarët e ish-të përndjekurve politikë, të cilët kanë vuajtur, janë dënuar, kanë humbur të drejtat e studimit, janë dëbuar, poshtëruar dhe torturuar njësoj si prindërit dhe të afërmit e tyre të burgosur politikë do të thotë se nuk ndryshon nga Enver Hoxha”, u shpreh Tabaku. /gj.m/ /a.g/ATA