Mogherini dhe Hahn vlerësojnë zgjedhjet: Bashkëpunim me qeverinë e re për integrimin dhe reformat

TIRANE, 26 Qershor/ATSH/- Përfaqësuesja e Lartë të BE, Federica Mogherini dhe Komisioneri Johannes Hahn vlerësuan se zgjedhjet në Shqipëri, ishin të qeta dhe të rregullta.

Në një deklaratë për mediat, Mogherini dhe Hahn theksojnë se qytetarët përfituan nga një ofertë e gjerë politike në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Në bazë të konkluzioneve paraprake të Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, garuesit elektoralë patën mundësinë të zhvillonin lirshëm fushatën zgjedhore, ndërsa e drejta e tubimit dhe e shprehjes u respektuan. Kuadri zgjedhor në përgjithësi ofroi baza të përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Ne u kushtojmë vëmendje rezervave të shprehura nga vëzhguesit lidhur me politizimin e trupave zgjedhore dhe zbatimin kontradiktor të ligjit. Presim garantimin e konkluzioneve paraprake të Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, veçanërisht lidhur blerjen e votës dhe presionin ndaj votuesve, si dhe ndërhyrjen e aktivistëve të paautorizuar partiakë, që mund të minojnë besimin e publikut në zgjedhje”, deklarojnë zyrtarët e lartë e BE.

Me përfundimin e procesit zgjedhor, ata theksojnë se “ne do të bashkëpunojmë me qeverinë e re për të mbështetur procesin e reformave dhe çuar përpara procesin e integrimit në BE. Vazhdimi i reformës në drejtësi dhe lufta kundër trafikimit dhe kultivimit të drogës do të jenë të një rëndësie të veçantë në këtë aspekt”.

Gjithashtu, ata shprehin besimin “për vazhdimin e partneritetit me Shqipërinë në mbështetje të bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”.