MITINGU I PS NE TIRANE/ Edi Rama për marrëveshjen me Bashën: Sot fituan shqiptarët, më 25 qershor fiton PS

“Më 25 qershor do të fitojë Partia Socialiste, por sot ka fituar e gjithë Shqipëria, kanë fituar socialistët dhe demokratët dhe njerëzit e zakonshëm të të gjithë këtij vendi”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama. Në mitingun e hapjes së fushatës të socialistëve përpara Piramidës, Rama komentoi kështu marrëveshjen e arritur me kreun e opozitës, Lulzim Basha.

Ai tha se shtyrja e zgjedhjeve me një javë erdhi si këmbim i kushtit për të votuar Vettingun dhe për të realizuar Reformën në Drejtësi e për të larguar gjyqtarët e prokurorët e korruptuar. “Besoj që më bukur sesa në vend se të çelim sot fushatën elektorale të brohorasim për realizimin e objektivit tonë strategjik, për një Shqipëri me shtet, me punë dhe mirëqënie, për vettingun që do votohet përpara fillimit të fushatës, unë nuk besoj se do të kishte. Të jeni të bindur se me të njëjtën vullnet dhe kokëfortësi që ne luftuam dhe fituam për vettingun do të punojmë për të rritur ekonominë, punësimin dhe mirëqënien”, tha Rama.

Më tej, kreu i PS-së shtoi se “nuk e kemi fshehur që ne PD pavarësisht se çfarë na thoshin, e donim në fushën e betejës, ne në të gjitha rastet do shkojmë edhe vetëm në zgjedhje për të respektuar ditën, por ne dëshirojmë që PD të jetë në fushën e betejës që ne të fitojmë edhe më shumë sesa  4 vjet më parë”.

Për më tepër jo vetëm do fitojmë, por si asnjëherë në histori, deklaroi Rama, opozita do ketë mundësinë që të shikojë nga brenda gjithë ecurinë e këtyre 37 ditëve dhe në fund do të jetë e detyruar të pranojë fitoren pa por, pa sikur, pa andej apo këtej”, deklaroi Rama. Ndërsa kreu i PS Tiranë, Saimir Tahiri u bëri thirrje qytetarëve të votojnë PS nëse duan që të kenë shtet, ose do zgjedhin të kthehen tek rrënimi i shtetit.

“Kemi bërë shumë, dhe kemi shumë për të humbur nëse kthehemi pas, nëse nuk e ke marrë ende legalizimin, në 25 do të votosh për të marrë legalizimin, do votosh për të marrë punën sipas meritës, një sistem arsimor. Datë 25 voto PS se e ndajmë bashkë, o shkojmë te shteti që duam ose të rrënimi i shtetit që kishim”, u shpreh Tahiri.

Deri në datë 25 kanë ngelur dhe pak ditë, tha Tahiri dhe është një sprint i shkurtër për të fituar një garë të madhe kundër politikës së vjetër të 25 viteve të shkuara, kundër politikanëve që kanë mbajtur peng këtë vend për 25 vitet e shkuara. “Në datë 25 vendosim bashkë dhe votojmë bashkë për Shqipërinë që duam! Në datë 25 vendosim bashkë dhe votojmë bashkë për Shqipërinë që duam për fëmijët tanë. Në datë 25 vendosim dhe votojmë bashkë për Shqipërinë që duam, me PS, me Kryeministrin e djeshëm dhe Kryeministrin e nesërm, Edi Ramën”, deklaroi ai.
/a.f/ /a.g/