Misioni i vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it publikon raportin paraprak për zgjedhjet

TIRANË, 26 Qershor /ATSH/ – Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR, që monitorojnë zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, paraqitën sot deklaratën paraprake të pas zgjedhjeve.

Deklarata u paraqit nga Roberto Battelli, Koordinator i Posaçëm dhe udhëheqës i misionit të vëzhguesëve afatshkurtër të OSBE-së. Battelli u shpreh ndër të tjera se “vëzhguesit kanë monitoruar dje procesin e votimit dhe vijojnë sot të monitorjnë procesin e numërimit”.

“Gjatë procesit të votimit pati ndërhyrje nga aktivistë partiakë. Procesi i numërimit u vonua në shumë vende. Transparenca nuk ishte gjithmonë e garantuar. Zgjedhjet u zhvilluan në kontestin e ndryshëm zgjedhor si nga PS dhe PD. Marrëveshja që u arrit në 18 maj lejoi që PD të caktonte disa poste kyçe në qeveri. Ndryshimet ligjore nuk u reflektuan në kohë. KQZ operoi në mënyrë transparente me sesionet publike në vijim të marrëveshjes politike. Kishte mungesë konsultimesh për ndryshimet ligjore”, tha përfaqësuesi i misionit të OSBE-ODIHR.

Ndërsa europarlamentari Eduard Kukan theksoi në fjalën e tij se, “ne jemi shumë të kënaqur që jemi këtu për të vëzhguar zgjedhjet në Shqipëri”. ” Shqipëria qëndron shumë lart në axhendën e BE-së dhe PE-së. Delegacioni i PE-së i qëndron deklaratës së z. Battelli. Shpresojmë që besimi dhe konfidenca të vendoset nga partitë në parlament. Të gjitha rekomandimet e OSBE-së duhet të jenë plotësuar përpara zgjedhjeve të mëtejshme. Dëshirojmë që të gjitha partitë politike të njohin rezultatet e zgjedhjeve. BE mbështet plotësisht kërkesën e Shqipërisë për hyrjen në BE, me kusht plotësimin e të gjitha kushteve. Populli shqiptar ka shumë miq në PE, të cilëve u intereson e ardhmja e Shqipërisë”, deklaroi Kukan.

Misioni është një nismë e përbashkët e Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR), Asamblesë Parlamentare të OSBE-së (Asambleja e OSBEsë),
Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) dhe Parlamentit Europian (PE). Misioni ndërkombëtar i vëzhgimit të zgjedhjeve përbëhet nga 330 vëzhgues nga 43 vende, duke përfshirë 255 vëzhgues afatgjatë dhe afatshkurtër të vendosur nga OSBE/ODIHR-i, 36 parlamentarë dhe punonjës nga Asambleja e OSBE-së, 25 nga APKE dhe 11 nga PE-ja.