Miratohet mes tensionesh të ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski dhe kryeparlamentarit, Talat Xhaferri, Ligji për Gjuhën shqipe në parlamentin maqedon

Miratohet ligji për gjuhët në Maqedoni

Parlamenti i Maqedonisë miratoi mes tensionesh me 64 vota, ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili mundëson përdorimin më të gjerë të gjuhës shqipe në pushtetin lokal dhe atë qendror të vendit. Ish kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, e pengoi edhe fizikisht kryetarin e parlamentit, Talat Xhaferi, që të drejtojë seancën, e cila megjithatë vazhdoi dhe miratoi ligjin, ndërsa një grup qytetarësh ishte mbledhur para ndërtesës së parlamentit për të kundërshtuar miratimin e ligjit.

VMRO DPMNE, në opozitë tha se ligji është në kundërshtim me kushtetutën e Maqedonisë dhe cenin karakterin unitar të saj. Kjo parti kishte paraqitur mbi 30 mijë amendamente për plotësim-ndryshimin e ligjit, të cilat nuk u morën parasysh, ndërsa partitë politike shqiptare thanë se ajo ishte përpjekje për bllokimin e plotë të tij. Parlamenti i Maqedonisë e kishte miratuar këtë ligj që në muajin janar me 69 vota, por ai nuk u dekretua nga presidenti Gjorgje Ivanov dhe kjo bëri që ligji për herë të tretë të dërgohet në parlament. Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve, shihet si një përmbyllje e Marrëveshjes së Ohrit, që ishte arritur në vitin 2001 duke i dhënë fund një konflikti të armatosur ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve shqiptarë që kërkonin më shumë të drejta në Maqedoni. Marrëveshja përfshinte një sërë ligjesh që avanconin pozitën e shqiptarëve, por gjuha shqipe nuk pati trajtimin e kërkuar nga shqiptarët. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore të dhjetorit të vitit 2016 se do të angazhohej për zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe në vend. Kjo ishte pjesë edhe e marrëveshjes për bashkëqeverisje ndërmjet tij dhe partive politike shqiptare.

Miratimi i gjuhës shqipe në Maqedoni,  Presidenti Meta: Akt historik

Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur dje miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni. Në një postim në Facebook, Presidenti e vlerëson vendimin e sotëm të parlamentit maqedonas, si një hap të rëndësishëm historik. “Përshëndes vendosmërinë për miratimin e ligjit të përdorimit të gjuhës shqipe nga Parlamenti i Maqedonisë, si një akt i rëndësishëm historik e me rëndësi madhore, jo vetëm për shqiptarët por edhe për të ardhmen europiane të Maqedonisë. Urime!”,- shkruan Presidenti Meta. Ligji për gjuhët i miratuar me shumicë votash i jep një dimension tjetër shqiptarëve në Maqedoni, faktor shtetformues në vendin fqinj. Miratimi i ligjit për gjuhën shqipe është përkrahur nga vendet e Bashkimit Europian dhe SHBA, si pjesë e procesit të integrimit të Maqedonisë dhe e njohjes së të drejtave të fakorit shqiptar si pjesë e rëndësishme e shtetit maqedonas.

Opozita shqiptare- PD: Hap para për klimë bashkëjetese

Partia Demokratike ka përshëndetur miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, PD thekson se ky votim është një hap përpara në krijimin e një klime të mirë bashkëjetese midis komuniteteve etnike në Republikën e Maqedonisë. “Partia Demokratike përshëndet votimin në Parlamentin e Maqedonisë të ligjit të gjuhës shqipe. Ky votim është nje hap përpara në krijimin e një klime të mirë bashkëjetese midis komuniteteve etnike në Republikën e Maqedonisë. Partia Demokratike përshëndet faktorin politik shqiptar në Maqedoni dhe nxit e inkurajon bashkëpunimin politik mes tij për realizimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit”,- thuhet në reagimin e PD. Më tej, partie kryesore në opozitë thekson se “Partia Demokratike mbështet një Maqedoni stabile dhe të integruar në strukturat euroatlantike si interesi më i mirë i stabilitetit dhe përparimit të rajonit drejt integrimit europian dhe euroatlantik”.

Ministri i Jashtëm, Bushati: Arritje e rëndësishme për shqiptarët

“Një arritje të rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese”, e ka cilësuar ministri i Jashtëm Ditmir Bushati miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nga Parlamenti maqedonas. Përmes një statusi në Facebook ministri Bushati e ka vlerësuar votimin në Kuvendin maqedonas si hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë. “Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nga Parlamenti pas refuzimit të Presidentit dhe sjelljes obstruksioniste të segmenteve të caktuara të politikës së vjetër në Maqedoni përbën një arritje të rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë. Finalizimi i kësaj sipërmarrje të vështirë dhe këmbëngulja e demonstruar pavarësisht pengesave të panumërta është dëshmi e pjekurisë politike dhe mirëkuptimit ndëretnik”,- shprehet Bushati. Ministri shqiptar shton se “zbatimi i duhur i ligjit dhe vendosja e mekanizmave të monitorimit garanton një akses më të mirë”.

Ramush Haradinaj: Miratimi i Ligjit për Gjuhën shqipe në Maqedoni, hap madhor i të drejtave për shqiptarët

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka përgëzuar qytetarët shqiptarë të Maqedonisë për miratimin e Ligjit për Gjuhët nga Parlamenti maqedonas. Sipas Haradinajt Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe është përmbushje e obligimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe i respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nga Kuvendi i Maqedonisë është hap madhor i realizimit të të drejtave të shqiptarëve dhe njëkohësisht i respektimit të vlerës qytetare në një shtet me synime demokratike. Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe është përmbushje e obligimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe i respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare”, është shprehur Haradinaj.

“Vendimi i Kuvendit të Maqedonisë avancon marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve që jetojnë në këtë shtet, nxit zhvillimin demokratik të tij dhe i hap perspektivën e vendit drejt integrimeve euro-atlantike. Me këtë vendim fillon një epokë e re në marrëdhëniet e brendshme të Maqedonisë dhe njëkohësisht edhe në rrugëtimin e gjithë rajonit drejt BE-së. Uroj të gjithë bashkkombasit tanë në Maqedoni për ketë akt kaq të madh legjitim që hapë perspektiven e tyre, si dhe shtetin maqedon për këtë hap të rëndësishëm për tërë rajonin”, ka përfunduar mendimin e tij sipas KosovaPress, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj