Minoritetet janë pasuri e madhe dhe një urë  historike e pazëvendësueshme mes Shqipërisë dhe Malit të Zi

Maela Marini/ATA/

Kështu deklaroi sot, Kryeministri Edi Rama, në çelje të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Shqipërisë dhe Malit të Zi, në Shkodër.

Minoritetet, sipas tij, janë një tjetër shembull fantastik i bashkëjetesës mes nesh.

“Me miratimin e ligjit ‘Për minoritetet’, Shqipëria i dha më në fund edhe minoritetit malazez vendin që i takon me ligj, edhe pse në fakt e ka pasur gjithmonë atë vend dhe atë vlerë dhe në ndërveprimin dhe bashkëjetesën me shqiptarët nuk ka pasur kurrë, asnjëherë problemin më të vogël”, tha Rama.

Kryeministri shprehu po ashtu edhe respektin për vëmendjen në rritje që Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe qeveria malazeze i ka kushtuar shqiptarëve në Malin e Zi.

“Jam krenar për rolin e tyre shumë pozitiv në Malin e Zi, qasjen e tyre në krah të forcave progresive që kërkojnë Malin e Zi në hapësirën euroatlantike dhe mbështetjen e vazhdueshme që ata i kanë dhënë Presidentit Milo Gjukanoviç, që nga procesi i pavarësisë deri te anëtarësimi në NATO, që për ju rezultoi veçanërisht i vështirë në raport me situatën brenda Malit të Zi”, tha Rama.

Duke iu drejtuar homologut malzez, Kryeministri Rama shprehu po ashtu bindjen se “kërkesat legjitime të shqiptarëve në Malin e Zi konformon Kushtetutës së vendit tuaj dhe standardeve ndërkombëtare, do të jenë vazhdimisht në dëgjimin tuaj dhe do të kenë në vijimësi të gjitha përgjigjet që meritojnë”.