Ministrja Mimi Kodheli: Shqipëria, kontribut për trajnimin e Forcave të Sigurisë Irakiane

Në ditën e dytë të punimeve të Ministerialit të Mbrojtjes në Bruksel, ministrat e Mbrojtjes diskutuan mbi projektimin e stabilitetit përtej kufijve të NATO. Ministrat u ndalën tek mbështetja që mund t’i japë NATO koalicionit global kundër – ISIS, aktivitetet e NATO në detin Egje’, forcimi i sigurisë në vendet partnere si Iraku, situata në Afganistan dhe misioni “Resolute Support” e perspektiva e tij. Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli nënvizoi rolin e vendit tonë në koalicionin global kundër ISIS dhe shprehu gatishmërinë për të vijuar kontributet në këtë drejtim. Ministrja Kodheli shprehu optimizmin lidhur me angazhimin që do të ndërmarrë NATO në Irak, pasi kjo do të ndihmojë vende si Shqipëria për të realizuar kontributin e tyre në trajnimin e Forcave të Sigurisë irakiane. Lidhur me këtë çështje, sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg mbështeti konkluzionet e Shqipërisë dhe garantoi që NATO do të vijojë të krijojë një mjedis stabiliteti kudo ku angazhohet. Në lidhje me aktivitetet në detin Egje’, përfshirë dhe misionin e NATO, ministrja theksoi se Shqipëria ka zyrtarizuar ofertën e saj për t’iu bashkëngjitur këtij misioni me asete të Forcës së saj Detare. Mbi misionin e NATO “Resolute Support” në Afganistan, znj. Kodheli nënvizoi se Shqipëria pritet të dyfishojë së shpejti pjesëmarrjen me trupa ushtarake. Në fund të fjalës së saj, ministrja u ndal në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Duke sjellë në kujtesë nënshkrimin e protokollit të pranimit në Aleancë nga ana e Malit të Zi, si një sukses të politikës së dyerve të hapura të NATO dhe aftësisë së Aleancës për të projektuar stabilitet, znj. Kodheli kërkoi që NATO të vijojë të ketë në fokus këtë rajon dhe të rrisë bashkëpunimin me të gjitha vendet e rajonit.