Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri: Miliarderët e KLD-së nuk më mbyllin dot gojën

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri reagon pas padisë së Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në një deklaratë për mediat, Tahiri tha se nuk i interesonte përmbajtja e padisë, por kjo gjë nuk do ta ndalë të vijojë denoncimet.
“Jo një, por një milion padi të bëjnë kundër meje, nuk do të kenë kurrë mundësinë të më mbyllin gojën. Do t’i denoncoj emër për emër, fytyrë për fytyrë sa të kem frymë”, tha ministri Tahiri.
Duke i etiketuar si miliarderë, Tahiri theksoi se anëtarët e KLD-së janë pjesë e frontit të se keqes, që duan të pengojnë reformën në drejtësi.
“Këta miliarderë në KLD, që t’i mbledhësh bashkë shkojnë 5 miliardë e 760 milionë lekë pasuri e deklaruar, kanë konsumuar një akt të paprecedentë. Nuk është më Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por është Këshilli i Lartë i Pasurisë dhe i Padrejtësisë, të cilët sot janë pjesë e frontit të së keqes, për të ndalur reformën në drejtësi”, deklaroi më tej Tahiri. Tahiri tha gjithashtu se nuk ka gënjyer mbi denoncimet ndaj gjyqtarit Arian Aliaj, ndërkohë që, nuk la pa përmendur as Osman Aliun, gjyqtarin e Kavajës, të cilin e ka denoncuar edhe më herët”. Ministri Tahiri akuzoi Presidentin Bujar Nishani dhe gjyqtarin Gjin Gjoni. “Sot Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka fytyrën e Bujar Nishanit dhe Gjin Gjonit. Është Këshilli i Lartë i Pasurisë dhe Padrejtësisë”. Dhe jo me një, por me një milion padi penale, unë nuk do mbyll gojën dhe nuk do më kenë vetëm mua përball por do të kenë të gjithë shqiptarët e ndershëm që duan Reformën në Drejtësi dhe drejtësinë reale”,- tha Ministri. Tahiri la të kuptohet se ky është fillimi i një sërë denoncimesh që do të bëhen për gjyqtarët e korruptuar të sistemit të drejtësisë.
“Ndaj i falënderoj me shumë mirënjohje që nuk kanë kurajë t’i përplasin publikun fytyrë vazhdimisht padrejtësinë dhe pasurinë e tyre ashtu siç kanë kurajë të bëhen bashkë kur e ndjejnë që i tronditen themelet. Ky është vetëm fillimi i një beteje që do mbarojë vetëm atëherë kur drejtësia të vihet në vend. Vetëm atëherë kur Reforma në Drejtësi të vendos kushtet ku secili prej tyre t’i nënshtrohet mekanizimit të vërtetimit, të integritetit dhe pastërtisë së figurës me kontroll specifik për çdo vendim dhe për çdo qindarkë. Kjo është një betejë që sapo ka filluar”,- tha Ministri Tahiri.