Ministrat Pandeli Majko e Lindita Nikolla në Itali: Mësuesit shqiptar në sistemin arsimor shtetëror

“Në shumë vende të Bashkimit Europian, fundjavat lejohen për komunitetet e huaja dhe mësuesit paguhen nga sistemi shtetëror. Ne do të përpiqemi shumë dhe do të jetë një fitore e madhe nëse mësuesit shqiptarë do të përfshihen në sistemin shtetëror, duke u paguar nga shteti për punën e tyre gjatë fundjavës”, u shpreh Ministri Majko.

Ai foli për bashkëpunimin mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, duke thëne se Ministrat e Arsimit në Shqipëri e Kosovë kanë rënë dakord për kurikulën dhe ka filluar puna për hartimin e librave të standardizuar. U përmendën përpjekjet që po bëhen për të mundësuar një qasje më të lehtë ndaj librave shqip, përmes teknologjisë. Ministrja e Arsimit tha se po punohet për ta përfshirë shqipen në kurikulën shkollore si gjuhë e dytë.

“Po punojmë që në ato zona ku komuniteti shqiptar është i madh, gjuha shqipe të përfshihet në kurikulën shkollore si gjuhë e dytë. Bashkë me Ministrin Majko po përpiqemi që shkollat italiane të ofrojne hapsirë gjatë fundjavës për mësimin e gjuhës shqipe”, tha Nikolla.

Me herët dy ministrat u takuan me sipërmarrës shqiptarë në Itali. Majko theksoi nevojën e krijimit të një rrjeti të bizneseve, duke shprehur gatishmërinë e autoriteteve shqiptare për të ndihmuar në këtë aspekt. Gjatë takimit u diskutua për krijimin e kushteve të përshtatshme që do të mundësonin një bashkëpunim të efektshëm.

Top Channel