“Midis Shekujsh”, në Muzeun Kombëtar ekspozita me 170 vegla muzikore popullore të shekujve XIX-XX

“Midis Shekujsh” ekspozita e veglave muzikore popullore të përdorura në territorin shqiptar gjatë shekullit XIX dhe XX u çel në Muzeun Historik Kombëtar. Koleksionisti Ermal Sela dhe  kuratori Klajd Ymeri janë bërë bashkë për ekspozitën në MHK, e cila do të qëndrojë për publikun deri më datë 15 nëntor. Koleksioni që prezanton koleksionisti Ermal Sela përmban mbi 170 veglave muzikore popullore, duke treguar përmes tyre historinë muzikore të një kombi. Aty ka vegla membranofone, idiofone, kordofone dhe aerofone. Shumë vegla të këtij koleksioni janë të rralla dhe kanë dalë nga përdorimi. Të gjitha veglat janë pjesë e koleksionit privat të Ermal Selës. Ai ka mbi shtatë vite që mbledh dhe ruan këto vegla. Gjatë kësaj kohe është njohur edhe me shumë artizanë, të cilët vazhdojnë të mbajnë gjallë punimin e veglave popullore muzikore. Koleksionisti Ermal Sela pohon se pasi për shumë kohë këto vegla muzikore popullore qëndruan në shtëpinë e tij ai vendosi ti ekspozojë për publikun. “Kjo ekspozitë erdhi si pasojë e mbi shtatë vitesh mbledhje dhe koleksionim të veglave muzikore popullore. Pasi vazhdonin të flinin në ambientet e shtëpisë time vendosa t’i shfaq për publikun që mund të ketë interes të njohë një trashëgimi të paçmuar të kulturës tonë. Falë mbështetjes së Ministrisë së Kulturës dhe Muzeut Historik Kombëtar sot jam në këtë ekspozitë katër ditore”, tregon koleksionisti Sela.  Po punua për mbledhjen e veglave muzikore ka nisur fillimisht thjesht si një rastësi e tij. “Fillimisht ka qenë thjesht rastësi duke mbledhur disa vegla muzikore pastaj nisi të kthehet në pasion dhe u gjenda mes kaq shumë veglave. Pastaj nisa t’ju kushtoj vëmendje antikuarëve, lashtësisë, detajeve estetikë dhe të mbledh variante të ndryshme për çdo lloj apo gjini veglash”, vijon më tej koleksionisti Ermal Sela.

Katalogu i ekspozitës

Janë 170 vegla muzikore të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar, një ekspozitë që u vlerësua jo pak dhe nga drejtori i muzeut dr. Dorian Koçi. Por sipas koleksionistit Ermal Sela sot një pjesë e tyre janë dhe në gjendje pune. “Një pjesë e veglave janë në gjendje pune, një pjesë tjetër janë restauruar, ndërsa disa mund të kategorizohen si relike, këtu do të përmendja disa lahuta, fyej, cyrle, lugë bilbil, kadum etj”, tregon mes të tjerave ai. Por sipas tij me zhvillimin e kohës disa prej tyre që janë ekspozuar në ekspozitën “Midis Shekujsh” nuk përdoren. “Për shkak të ndryshimit të kushteve jetësore dhe zhvillimit vetë koha ka sjellë daljen nga përdorimi të llullakut, kadumit, poçit, tepsisë, frulae, cinglat, bririn, lugët bilbil”, tregon më tej Ermal Sela.

Kjo ekspozitë që u çel mbrëmë në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar shoqërohet edhe me një katalog. “Midis Shekujsh” vjen me një katalog ku në të paraqiten me foto dhe përshkrim të gjitha veglat, që janë prezantuar në ekspozitë. Në katalog sipas muratorit Ermal Sela gjenden gjithashtu edhe foto të artizanëve, që vazhdojnë të punojnë edhe sot me vegla muzikore, duke ruajtur traditën ndër vite. “Në katalog përfshihen gjithashtu disa bartës me foto dhe artizanë, të cilët vazhdojnë të mbajnë gjallë traditën e punimit të veglave muzikore”, vijon të tregojë koleksionisti Ermal Sela. Ekspozita vjen në vijim dhe të tjera veprimtarive dhe aktiviteteve, që janë zhvilluar në Muzeun Historik Kombëtar, por këtë herë ajo prezanton veglat muzikore të rralla popullore.