Mesazhi i veçantë urimi me fjalët e Gjergj Fishtës: I krishteri i vërtetë e do sinqerisht atdheun e vet

Nga Imzot. George (Gjergj) Frendo*

Çdo vit ne kremtojmë Krishtlindje, dhe në çdo Krishtlindje që kremtojmë Krishti na kujton se duhet të shkatërrojmë muret që kemi ndërtuar ne, me paragjykimet tona, me ambiciet tona, me mendjemadhësitë tona. Ti, që deri në këtë moment i ke mbajtur inat dikujt, a je i gatshëm ta afrosh, t’i japësh dorën dhe t’i urosh: “Gëzuar Krishtlindjen”? Nëse jo, atëherë je shtiracak, hipokrit, zemërgurë, mendjemadh. Nuk je i denjë të kremtosh Krishtlindje.

Jezusi ka hyrë në histori. Më vonë ai ka qarë për Jerusalemin, sepse dëshira e tij ishte të shihte një Jerusalem më të drejtë, më në paqe, më të lumtur. I krishteri i vërtetë e do sinqerisht atdheun e vet. Citoj një shkrimtar të famshëm shqiptar, Atë Gjergj Fishta, i cili ka shkruar: “Dersa t’mundem me ligj’rue – E sa gjallë me frym unë jam – Kurr Shqipni s’kam me t’harrue – Edhe n’vorr me t’përmendë kam”. Janë fjalë të një prifti katolik, që dinte mirë si duhet ta duam atdheun. Në shumë mënyra Shqipëria ka qenë e bekuar nga Zoti. Bukuria natyrore e vendit, njerëz fisnik që kanë pasuruar historinë e vendit, shpirti mikpritës që, në një botë e cila po bëhet përditë më anonime, ende karakterizon këtë popull, harmonia që ekziston mes besimeve të ndryshme të pranishëm në këtë vend: ja disa prej gjërave për të cilat duhet të ndihemi krenarë që banojmë në këtë vend.

Por le të angazhohemi që Shqipëria të bëhet një vend më i denjë për Shqiptarët. Skenat që populli ynë ka parë në televizor këto ditë në transmetimet nga kuvendi nuk ndihmojnë që populli ynë të edukohet për një dialog të matur. I bëjmë apel përfaqësuesve të popullit që, duke kërkuar të mirën e kombit më shumë se sa të mirën e partisë, t’i tregojnë popullit që është e mundshme të dallohemi në ideologji pa krijuar mure ndarjeje. Më lejoni të përdor një frazë në anglisht: Learn to disagree without being disagreeable, që në shqip mund të përkthehet: Mësohu të mos biesh dakord pa krijuar konflikte.

Dashuria jonë për atdheun na nxit të angazhohemi për një shoqëri ku nuk do të ekzistojë më vrasja, sepse respektojmë fytyrën e Krishtit që pasqyron në fytyrën e çdo njeriu; nuk do të ekzistojë as vetëvarsja, sepse ai person me depresion është i bindur se është i rrethuar nga njerëz që e kuptojnë dhe e duan; nuk do të ekzistojë më droga as alkoholizimi ose abuzime seksuale, sepse dashuria do të bëhet burimi i gëzimit të vërtetë pa pasur nevojë të përdorim mjete artificiale për të shmangur problemet e jetës së përditshme. Kjo është shoqëria që duam të ndërtojmë, ja mënyra se si duhet të tregojmë dashurinë tonë për atdheun.

* Arqipeshkvi Metropolit Tiranë  – Durrësit,