Mesazhi i shefes së diplomacisë evropiane për opozitën: Jo vetëm të marrë meritën, por dhe përgjegjësinë

Rekomandimi, Mogherini: BE si Formula 1; semafori është jeshil, tani fillon gara

Federica Mogherini erdhi në Tiranë dhe uroi gjithë shqiptarët për rekomandimin për hapjen e negociatave duke thënë se ky ishte një rezultat i përbashkët. Shefja për politikë të Jashtme në Bashkimin Europian, Federica Mogherini në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrit Edi Rama, e cilësoi një moment historik për Shqipërinë marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, duke e vlerësuar këtë arritje rezultat i një pune të përbashkët kolektive, të të gjitha institucioneve dhe vetë popullit shqiptar. Mogherini u shpreh se tani semafori ka dritën jeshile dhe Shqipëria duhet të nisë garën për anëtarësim. “Ky ishte rezultat i një pune kolektive. Sa shumë ndryshim keni bërë të gjithë së bashku në këto vite. Ky ishte një rezultat i përbashkët, ishte rezultat i të gjitha institucioneve të vendit Një vit më parë vumë si kusht fillimin e reformës në drejtësi dhe vettingut, kusht që ju e plotësuat dhe ne dhamë rekomandimin. Rekomandimi i KE e thotë qartësisht se Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet dhe është e gatshme për të çelur negociata. Mbajtja dhe zhvillimi i reformave është moment testimi. Për ne është e qartë 100 për qind duke parë numrin të rinjve që komentojnë në Twitterin tim. Jeni vendi me popullsinë më të re në rajon dhe me besimin më të lartë në BE. Është edhe në interes të BE që ta marrë Shqipërinë në BE kur ajo të jetë gati dhe shpresoj që të ndodhë shpejt. Puna që është bërë së bashku në këtë vend, mbaj mend edhe ndasitë, përpjekjet, siguroj se ky është momenti për të njohur rezultatin e përbashkët, edhe vetë shqiptarët kanë meritë në këtë arritje”, tha Mogherini. Urimet, Shqipëria i mori edhe për politikën e jashtme, e cila përputhet 100% me atë të Bashkimit Europian. “Më lini të njoh rolin pozitiv që Shqipëria ka luajtur dhe do të luajë duke përqendruar në bashkëpunimin e mirë dhe me fqinjët tuaj në vendet e tjera në rajon që është tejet me rëndësi”- Mogherini. Por përtej entuziazmit të fillimit, shefja e diplomacisë evropiane u tregua e kujdesshme teksa paralajmëroi se 5 prioritetet Brukseli do vazhdojë t’i monitorojë. “Pesë përparësitë kyçe do të mbeten elementët kyce dhe baza për punën tonë të ardhme në të përbashkët. Është momenti për të njohur rezultatin e arritur të gjithë bashkë në Shqipëri dhe angazhimi për të punuar së bashku, opozita, dhe të gjithë qytetarët. Përpjekja kolektive nuk është vetëm institucionet. Të gjithë së bashku të vazhdojmë këtë punë e cila do të jetë më e madhe dhe kur të nisin negociatat. Ky është një proces që lejon transformimin e vendit. Pesë prioritetet do vazhdojmë ti monitorojmë”- tha ajo. Në vijim ajo theksoi se integrimi i Shqipërisë është edhe në interes të vetë BE-së. “Nuk është vetëm vendosmëri e popullit për tu bashkuar me BE por dhe në interes të BE-së që ta  marrë Shqipërinë të hyjë në BE kur ajo të jetë gati për këtë dhe shpresoj të jetë shpejt”- theksoi Mogherini.

Pyetje: A ndikon klima politike e ndezur ku opozita bën thirrje për mosbindje civile. A ndikon kjo. Sa janë shanset reale për Shqipërinë që të hapen negociatat?

Federika Mogherini: Mesazhi im për opozitën do të jetë ai që dhamë dhe për kryeministrin. Ky nuk është rezultat i njërës parti apo tjetrin. Është një rezultat i të gjithëve atyre që kanë punuar gjatë dekadës së fundit për të transformuar Shqipërinë. Jo vetëm të marrin meritën por dhe përgjegjësinë. Nuk ndodh në historinë e BE-së që rrugëtimi i BE-së të jetë përdorur nga një parti ose tjetrën. Kjo është përpjekje kombëtare. Dhe shoh mjaft unitet kur bëhet fjalë për aspirata. Besoj se është në interes të shumicës dhe pakicës, qeverisë e opozitës për të bashkur forcat dhe hedhur hapat për reformat që janë kyçe për procesin në vijim. Nëse Shqipëria dha rezultate në reformën e drejtësisë, në procesin e vettingut, ndodhi pse politika u bë bashkë. Kur them ju realizuat, ju të gjithë e realizuat. Aspirata e qytetarëve tuaj vjen e para. Kjo është përpjekje kombëtare.