Mero Baze: Berisha tani e ka edhe me Bashën, betejën në Kuvend

Debate si ky i sotmi në Kuvend, kanë nisur të vlejnë për diçka. Përveç problemit që Berisha ka me “korrektësinë” administrative të Gramoz Ruçit për kohën që flet, problemin më të madh duket se do ta ketë me Lulzim Bashën. Edhe pse ende nuk ka shumë peshë në fjalën e tij publike, duket se ka një diferencë që mund të thellohet mes fjalorit politik të Bashës dhe atij të Berishës. Nuk është koha të zgjedhësh kush vlen më shumë për demokratët, e kush vlen më shumë për publikun, por duket se janë të ndryshëm.

Ndryshimi i parë është skenik. Pas çdo replike, ai që ngrihet të marrë fjalën është Lulzim Basha dhe jo Berisha, dhe kjo e formalizon atë si lider të PD-së në Kuvend. Një nga gjërat që ka vrarë imazhin e PD-së dhe të perceptuarit e Bashës si kryetar në hije në PD, gjatë katër viteve të fundit, ka qenë dhe kjo skenë. Berisha ishte shpallur apriori lider i PD në Kuvend dhe diktonte jo vetëm mbi grupin, por dhe mbi gjithë kohën parlamentare, për shkak të dobësisë së Ilir Metës për të.

Tani, fakti që PD-së i del zot formalisht Luzlim Basha, është domethënës dhe përbën një detaj që e bën Bashën të ndjehet superior. Vetëm ditën që do të thotë “kohën time ja kam falur Berishës”, siç e bënte Edi Paloka, do të kuptojmë se ka hequr dorë nga të qenurit kryetar edhe formalisht.

Por ndryshimi është dhe përmbajtësor. Fjala e Bashës sot në Kuvend, edhe pse është e mbushur me retorikë boshe dhe pa ndonjë thelb politik, është shumë më ndryshe nga fjalimi i Berishës, i tipit “qytetari digital”, dhe llafazanëria e tij pa asnjë brum në Kuvend.

Në një periudhë më afatgjatë, kjo diferencë mund të bjerë më shumë në sy, nëse Basha bëhet gjithnjë e më politik dhe racional, dhe Berisha vazhdon në rrugën e tij të “qytetarit digital”. Në këtë aspekt, Kuvendi është një shans i mirë për Bashën të bëjë diferencë në publik me Berishën dhe të mos kopjojë dhe mimikën e tij. Atë punë e qan Tritan Shehu.

Diferenca mes Bashës dhe Berishës, në një proces me afatgjatë, mund të ndikojë në rritjen e autoritetit të Bashës dhe eklipsimit të Berishës nga protagonizmi i tepëruar publik, për të diktuar gjithçka në PD. Diferenca në stil, në formë, në përmbajtje dhe sidomos në frekuencën e të përfaqësuarit të PD në foltoren e Kuvendit, është një shans për Bashën të bëjë historinë e vet parlamentare. Sot kishte nisur të ndjehej ndryshimi dhe kjo është gjë e mirë për PD. Të paktën mund të arrijë të kuptojë nga beteja në Kuvend, a e meritojnë Bashën për kryetar, apo është më mirë të rikthehet Berisha.