Më 5 shtator 2017, bëhet shugurimi i Shenjtërores “Nëna Terezë” në Prishtinë

Ndërsa më 5 shtator 2017, me rastin 20 vjetorit të vdekjes dhe 1 vjetorit të shenjtërimit të Ganxhe Bojaxhiu, bëhet shugurimi i Shenjtërores “Nëna Terezë” në Prishtinë. Meshën dhe ritin e këtij shugurimi do ta udhëheq i dërguari i Papa Françeskut, Hirësia e Tij, kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani

Në afërsi të Ulpianës, Shën Florit dhe Laurit, martirëve  tanë të parë të Dardanisë (fillimi i shekullit të II pas Krishtit), krejt afër varrit dhe eshtrave të zhdukur të arqipeshkvit të fundit të Prishtinës, Imzot Pjetër Bogdanit, si dhe martirëve të panumërt të shumë gjeneratave, kemi hirin dhe dhuratën të lajmërojmë dhe ftojmë në shugurimin e Shenjtërores “Nëna Terezë” në Prishtinë, Bijës, Motrës dhe Nënës së këtij Populli dhe kësaj Kishe, në të cilën ajo mori sakramentet dhe thirrjen misionare në Shenjtëroren dioqezane të Zojës së Madhe në fshatin Letnicë.

Duke filluar nga këto fakte historike, si dhe nevoja e kahershme e Kishës sonë, Komuna e Prishtinës, me mbështetje të madhe të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, ndau truallin e caktuar për ndërtimin e  kësaj Shenjtërore. Pas studimit dhe përpunimit të projektit nga arkitekti Livio STERLICCHIO dhe grupi i tij nga Roma, gur-themeli është bekuar më 26 gusht 2005, nga tashmë i ndjeri Imzot Mark SOPI, në praninë e të ndjerit Dr. Ibrahim RUGOVA, me pjesëmarrje të kardinalit  amerikan Theodor McCarrick, Imzot Zef GASHI, Imzot Dodë GJERGJI,  meshtarëve, rregulltarëve dhe rregulltareve, autoriteteve ndërkombëtare dhe vendore,  të shumë besimtarëve dhe qytetarëve.

Mirëpo vdekja e papritur e ipeshkvit Imzot Mark SOPI, (11 janar 2006), si dhe  Presidentit të  Dr. Ibrahim Rugova, (21 janar 2006), kishte shkaktuar shtyrje të domosdoshme të  procesit të ndërtimit.

Me emërimin dhe ardhjen  ipeshkvit të ri për Kosovë, Imzot Dodë GJERGJI,  ky proces u përshpejtuar, për të arritur atë që ishte premtuar, që më 2010 të kremtohej 100-vjetori i lindjes së të Lumes Nënës Terezë së paku nën kulmin e këtij Tempulli.

Fillimet e punimeve të ndërtimit nisen më 5 shtator  2007, në festën e së Lumes Nënës Terezë. Synimi ynë kryesor ishte përurimi dhe bekimi i Shenjtërores “Nëna Terezë” në Prishtinë, më 5 shtator 2013, me rastin e 1700 vjetorit të Ediktit të Milanos dhe Vitit të Fesë, 10 vjetorit të Lumturimit të Nënë Terezës.

Shenjtërimit të Shën Nënës Terezë, më 4 shtator 2016 në Vatikan, i parapriu Koncerti i Filarmonisë së Kosovës “Valsi Hyjnor” në Bazilikën “Shën Pali jashtë Mureve” (3 shtator 2016) në Romë, ku është kënduar Himni i Bamirësisë kushtuar asaj. Meshën e Shenjtërimit e udhëhoqi Papa Françesku në  Sheshin “Shën Pjetër”, në Vatikan (4 shtator);  Meshën e falënderimit  e udhëhoqi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin (5 shtator) gjithnjë në Vatikan.

Ndërsa më 5 shtator 2017, me rastin 20 vjetorit të vdekjes dhe 1 vjetorit të shenjtërimit të Ganxhe Bojaxhiu, bëhet shugurimi i Shenjtërores “Nëna Terezë” në Prishtinë. Meshën dhe ritin e këtij shugurimi do ta udhëheq i dërguari i Papa Françeskut, Hirësia e Tij, kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani.

Domethënia dhe porosia e Shën Nënës Terezë për ne

Shenjtërorja “Nëna Terezë” në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ka dy qëllime e synime thelbore: “kthimin” apo mishërimin e saj në mendjet e zemrat tona, si dhe ndërmjetësimin e saj pranë Zotit për Kishën e Popullin tonë. Kështu, në këtë “shkollë” të dashurisë, ne do ta mësojmë e zbatojmë kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, virtyte që Nëna Terezë i mori ndër ne (shqiptarë), ato i dëshmoi dhe barti në mbarë botën.

Ganxhe Bojaxhiu, kjo “Lule” e tokës dhe gjakut tonë shqiptar, u bë motra Terezë e Loretos (1929); Nëna Terezë, “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobeliste e Paqes (1979), e Lumja Nëna Terezë (2003); dhe Shën Nënë Tereza (2016).

Këshilli  për media i Administraturës Apostolike të Prizrenit