Më 1 tetor 1913, përvjetori i botimit të numrit të parë të revistës “Hylli i Dritës”


At Fishta: “..e kemi quejtë ketë të Përkohëshme tonë: “Hylli i Dritës”, përsé âsht tue lé nepër ag të qytetnisë së Shqipënisë. E porsi Hylli i Dritës me fërfllim t’ambël të vetin ngjall shpënesët e shueme në zemër të shtegtarit, errun ndër shkretí të mjerueme, (ashtu) na do të përkujdesena, qi edhe e Përkohëshmja jonë të mrrijë me ngjall shpënesën ndër zemra të Shqipëtarëvet se prej Hyut ditë mâ të mira kanë me iu reshë Shqipënisë” .
Duke shfletuar kalendarin historik, kujtojmë se si sot, më 1 tetor të vitit 1913, doli numri i parë i revistës së njohur të Françeskanëve shqiptarë “Hylli i Dritës” – pasqyrë e lavdishme, por jo më pak edhe tragjike e historisë së Kombit Shqiptar, për lirinë e të cilit u përpoqën autorët e saj françeskanë e jo françeskanë, duke shkruar sa me bojë, aq me flijimin e jetës deri në derdhjen heroike të gjakut në mbrojtje të vlerave kulturore e shpirtërore të popullit e të vendit.
Numri i parë i revistës “Hylli i Dritës” u botua më 1 tetor 1913, për t’u ndërprerë menjëherë, sepse doli haptas në mbrojtje të lirisë e të drejtave kombëtare shqiptare, seriozisht të kërcënuara një vit pas shpallje së pavarësisë e para fillimit të Luftës I Botërore.
Shkruante Atë Gjergj Fishta: “E tuj kenë se me të hîm t’ ushtrive ndërkombëtare në Shkodër mbaroi nata e errshme e robnisë e për Shqipëtarë filloi me ague e bardha dritë e Lirisë, e kemi quejtë ketë të Përkohëshme tonë: “Hylli i Dritës”, përsč âsht tue lé nepër ag të qytetnisë së Shqipënisë. E porsi Hylli i Dritës me fërfllim t’ambël të vetin ngjall shpënesët e shueme në zemër të shtegtarit, errun ndër shkretí të mjerueme, (ashtu) na do të përkujdesena, qi edhe e Përkohëshmja jonë të mrrijë me ngjall shpënesën ndër zemra të Shqipëtarëvet se prej Hyut ditë mâ të mira kanë me iu reshë Shqipënisë” (H.D. I. 1913, 4-8). (Pater Gjergji).
Revista Hylli i Dritës rifilloi të botohej në maj të vitit 1921, për të heshtur rishtas nga nëntori i 1944-tës deri në nëntor të 1993-shit. Nga 1993 u duk përsëri nën drejtimin e njërit nga françeskanët e paktë që kishin shpëtuar gjallë nga persekutimi i komunizmit: Atë Zef Pllumit. Shumë shpejt u ngrit po në atë rang të lartë që kishte pasur dikur Hylli i Dritës dhe revista tjetër e Etërve Jezuitë “ Leka “.
Në këtë periudhë të pas komunizmit, Hylli i Dritës u botua deri ne vitin 1997 kur iu deshtë të mbyllej sërish. Pas kësaj ndërprerje të re, rifilloi përsëri të botohet në vitin 2006, gjithnjë nën drejtimin e Provincës Françeskane “Zoja Nunciatë” të Shqipërisë.
R.SH.- Vatikan