Mbyllja e qeverisë godet konsumin – Frikë për ngadalësimin e ekonomisë më të madhe në botë

Pas shkurtimit të taksave, rritjes së të ardhurave dhe bumit të tregjeve të aksioneve në 2018-ën, po fillojnë sinjalet e para të ngadalësimit të motorit të ekonomisë më të madhe në botë; konsumit privat.

Me mbylljen e përkohshme të qeverisë amerikane, këto sinjale janë përforcuar edhe më tej. Zyrtarët e Rezervës federale dhe ekonomistët kanë këmbëngulur vazhdimisht te konsumi privat si arsyeja kryesore e vijimësisë ekonomike të vendit, pavarësisht konflikteve tregtare, turbullirave në tregjet financiare globale apo edhe ngadalësimin e rritjes ekonomike të botës.

Tashmë, të gjithë kanë frikë se, konsumi privat do të marrë një goditje të madhe. Mbyllja e përkohshme e qeverisë ka krijuar shumë pasiguri, dhe kjo pa diskutim që pritet të reflektohet te blerjet. Ndër të tjera, mbyllja e qeverisë përkthehet në mungesë pagash për disa si dhe në shtyrjen e asistencës dhe pagesës për ushqime për më të varfrit.

Ka kaluar thuajse 1 muaj që nga mbyllja e qeverisë amerikane dhe dëmet e para kanë filluar që të duken. Kompanitë i kanë sytë vetëm nga konsumatorët. Impakti i drejtpërdrejtë në ekonomi vlerësohet si i kufizuar, por efekti psikologjik pritet të krijojë probleme të mëdha për ekonominë më të  madhe të botës, sidomos në kohë pasigurie.