MBAREVAJTJA E ZGJEDHJEVE/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako priti në një takim kryetarin e KQZ, Klement Zguri

Zguri dhe Çako vizituan edhe  Grupin e  Drejtimit dhe Koordinimit, i ngritur për menaxhimin e procesit zgjedhor, nën kontroll të Policisë së Shtetit.   Çako dhe drejtori i Rendit Publik, Albert Dervishaj njohën kreun e KQZ-së me programin e uniformave blu për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Nga ana e tij, Zguri falenderoi krerët e policisë për punën e bërë, përfshirë atë për proceset e sotme, që kanë të bëjnë me shpërndarjen e materialit zgjedhor.
“Unë besoj që ju e dini më mirë punën tuaj sesa unë, ndaj nuk kam ç‘porosi t’ju lë. Thjesht dëshiroj që ne të gjithë, bashkarisht t’ia arrijmë një qëllimi”, tha Zguri.
Ai është shprehur i vetëdijshëm për rëndësinë që kanë këto zgjedhje dhe sfidën që ato përbëjnë për institucionet.
“Nëse në vende të tjera, ku kam qenë vëzhgues, zgjedhjet i quanin festë, këtë herë, për hir të së vërtetës kemi përpara një sfidë. Sfidë për nga mënyra se si sillen partitë politike, individë të caktuar, kandidatët dhe interesat e tyre. por shpresojmë që bashkarisht t’ia dalim sepse jemi këtu për një qëllim”, tha Zguri.
Nga ana e tij, Çako dha garancinë se Policia e Shtetit do t’u përmbahet detyrave të ngarkuara me ligj dhe do të bashkëpunojë vetëm me KQZ-në, si institucioni i vetëm i menaxhimit të procesit zgjedhor.
“Në këtë kuadër, detyrat e policisë janë në funksion dhe në mbështetje të KQZ-së. Pa dyshim që të dyja institucionet së bashku kanë interesin madhor për t’u bërë të mundur shqiptarëve një votim në shprehje të vullnetit të lirë, të drejtëpërdrejtë dhe të pacensuruar nga asnjë lloj rrethane. Rezultati nuk është lajm, as emocion për Policinë e Shtetit, sigurisht edhe për KQZ-në”, tha Çako.