Masoneria dhe zhvillimet e saj në Shqipëri

Nga Raimond Todhe

Masoneria, që është vëllazëria më e vjetër universale në botë, beson në vëllazërinë e njeriut nën përkujdesjen e krijuesit Arkitektit te Madh. Masoneria përpiqet të arrijë përmirësimin moral, te rrisë vlerat familjare, kulturën qytetare, lirinë e mendimit dhe tolerancën. Masonët në mbarë botën janë të organizuar vullnetarisht dhe kontribuojnë në kërkime mjekësore, ndërtime shkollash e spitalesh, shtëpi për të moshuarit, mbështetje me bursa studimi dhe në shumë çështje të tjera bamirëse.
Ta themi thjesht, Masonët besojnë se është e rëndësishme të jesh një njeri i mirë dhe se personat e mirë duhet të inkurajojnë njëri-tjetrin për t’u bërë njerëz më të mirë dhe pastaj, pa marrë parasysh burimet ekonomike, të punojnë së bashku dashamirësisht për të ndihmuar në komunitet. Duke u bazuar në këto baza të forta të moralit dhe të ndërgjegjes, nuk është për t’u habitur që Masoneria është institucioni më i madh filantropik në botë, duke kërkuar të kontribuojë sa më shumë në minimizimin e varfërisë morale dhe ekonomike te njerëzimit.
Masoneria është një vëllazëri jo e fshehtë, mjaft e hapur dhe liberale për të gjithë ata që inspirojnë për vlera morale dhe shpirtërore, por është e mbyllur për injorancën dhe ata që inspirojnë në manyre të verbër për vlera materiale.
Masoneria nuk është aspak një kult fetar apo një grup politik; Masonët kurrë nuk diskutojnë mbi fenë apo politikën. Megjithatë, anëtarësimi kërkon rreptësisht besimin në Arkitektin e Madh. Por anëtarësimi në Lozhat Masone nuk e ndalon por inkurajon përulësinë qytetare, te jetë e lirë të ndjekë fenë që dëshiron dhe të ketë angazhimet e politike që dëshëron .
Masoneria nuk është një fe, është shkenca e njohjes së burimit të jetës, është një filozofi, është vete etika dhe morali i një dukurie të lirë demokratike.
Masoneria është Institucioni ku vëllezërit punojnë për të përmirësuar çdo ditë vlerat e tyre morale, për të lartësuar virtytin dhe larguar veset, është një shkollë studimi që të mundëson njohjen e dijes dhe mistereve të lashta, të cilat përjetohen përmes studimit të gjurmëve të lëna gjatë Historisë njerëzore dhe energjisë së transmetuar në qënien njerëzore nga hapësira kozmike, të cilat na mundësojnë të jetojmë në një botë me shumë mistere për jetën dhe vdekjen .
Masoneria është një trashëgimi e shkëlqyer nga të parët tanë, të cilët na kanë transmetuar mësimet e lashta të së vërtetës, kryesisht ne formë alegorike dhe simbolike, të ndërthurura në takime ceremoniale dhe rituale.
Në këtë mënyrë, disa aspekte të së vërtetës janë ruajtur dhe bërë të qarta për ata që mund t’i kuptojnë dhe kanë dashur të përfitojnë prej tyre, ndërsa në të njëjtën kohë kanë mbetur të fshehta për injorancën dhe për ata që kanë dashur t’i keqpërdorin ato.
Anëtarësia e Vëllazërisë sot pasqyron një bashkësi pa asnjë dallim shoqëror, racor, profesional, bindje fetare apo politike, si dhe pa dallim gjinie .
Është thënë se masoneria është si të ushtrosh një stërvitje të fortë shpirtërore. Në të vërtetë Masoneria mëson artin e mrekullueshëm të ekuilibrimit të së dukshmes me të padukshmen, të mundëson të ngrohësh shpirtin duke marrë ngrohtësi nga zemra. Vetë Universi, Sistemi ynë Diellor është në vetvete ekuilibër, dhe vetë qenia njerëzore është një strukturë ekuilibri, është vetë Pema e Jetës në ekuilibër të përsosur, është Vitruvio .
Pavarësisht nga besimi, filozofia ose bindja politike, njeriu mund të mësojë dhe zbatojë vetëdisiplinën, vetëbesimin dhe vetërespektin në një mjedis të sigurt dhe miqësor.
Ashtu si çdo disiplinë, përmirësimi i vetvetes, për tu bere një qytetar i devotshëm për vendin tënd, për shoqërinë dhe familjen kërkon punë, bindje dhe besim të verbër tek Arkitekti i Madh për të mundësuar latimin e mirë të gurëve të themelit për të ndërtuar një ndërtesë që të mbijetojë në shekuj .
Shtëpiza e Masonëve është një strehë e sigurt ku vëllezërit mblidhen dhe diskutojnë për problematika të shumta filozofike dhe të përditshme të jetës së gjithsecilit, duke përmirësuar vetveten nëpërmjet dijes që vëllezërit transmetojnë për njeri tjetrin.
Masoneria, përtej edukimit moral ndriçon një rrugë të qartë për vetëdijen dhe lartësimin e shpirtit jashtë një konteksti fetar. Masonët udhëhiqen në veprimtarinë e tyre nga liria dhe barazia, koncepte të pacënueshme në veprimtarinë e tyre.
Vëllezërit Masonë mësimet e tyre i marrin nëpërmjet një gërshetimi të ritualeve të trashëguara nga fillimet e Masonerisë moderne, si një shfaqje misterioze mesjetare, me konceptimin alegorik të lindjes dhe të jetës.
Vëllezërit Masonë përpiqen të ndriçohen nëpërmjet përpjekjeve për të arritur njohjen përmes meditimit, përulësisë dhe leximit. Masonët pasurojnë shpirtin si dhuratë e përjetësisë, përkundër materies simbol i injorancës dhe marrëzisë .
Në Shqipëri si rezultat i Diktaturës, ka qenë e pamundur përhapja e ideve të Masonerisë.
Sot motrat dhe vëllezërit Shqiptarë kanë themeluar Lozhën e Madhe Shqiptare ILIRIA, e cila është pjesë e familjes së madhe Masone Botërore, e njohur ndërkombëtarisht, që kontribuon në transmetimin e vlerave morale, për të mundësuar ndërtimin e një shoqërie demokratike të bazuar në dashuri dhe jo në urrejtje, të orientuar nga përjetësia, ngrohtësia shpirtërore dhe jo nga e përkohshmja materia që asnjëherë nuk ka qenë objekt lumturie .
Vëllezërit dhe motrat shqiptare si pjesë e Familjes së Madhe masone botërore aspirojnë për një vend ku dija dhe drita të ndriçojë mbi errësirën, virtyti dhe mirësia të burgosin vesin dhe injorancën, të mund të zbulojmë vlerat e të parëve të lënë mbi çdo pëllëmbë toke dhe nën toke të trojeve tona dhe tu lemë një trashëgimi të pasur kulturore atyre që do të vinë.
Kultura dhe Shkenca e Masonerisë është pjesë e pandarë e zhvillimeve të shoqërisë njerëzore demokratike, ku njerëz të shquar të artit, shkencës, filozofisë dhe jetës politike kanë dhënë një kontribut të çmuar për çfarë është arritur deri më tani .
Masoneria ka qenë udhërrëfyese për ndërtimin e shoqërive demokratike duke udhëhequr shoqëritë njerëzore nëpërmjet dijeve të saj, dritës të së vërtetës dhe besimit që vëllezërit e shquar kanë pasur tek niveli i dijes dhe kulturës së marrë deri më sot nga Arkitekti i Madh .
Shoqëria shqiptare, e cila vjen nga një skllavërim shpirtëror në shekuj, ku egërsia dhe brutaliteti kanë mbizotëruar dhe errësira ka pllakosur për shumë vite ka nevojë të domosdoshme për mësimet e vyera të Masonerisë.
Flaka e ndezur e vëllezërve dhe motrave shqiptare e kosovare do të bëhet flakadan dhe do të ndriçojë anembanë trojeve shqiptare për të mundësuar përhapjen e dijes dhe të vërtetës në çdo skaj ku është folur gjuha jonë e bekuar e trashëguar nga të parët tanë.
Me ndihmën e pakursyer të vëllezërve anembanë rruzullit tokësor, dhe me besimin e shpresën tek Arkitekti i Madh, errësira, injoranca , primitiviteti , padija dhe abuziviteti do ti lerë vend dritës dhe dijes nga ku do të ndriçohen për shumë shekuj brezat që do të vinë.
www.masoneriailiria.al