MASAT ANTITERRORIZEM/ Lufta kundër ISIS-it dhe qëndrimi i Presidenti të SHBA-ve, Donald Trump ndaj Katarit

Shtetet e Bashkuara janë përfshirë përsëri në mosmarrëveshjen diplomatike midis Katarit dhe një grupi vendesh të udhëhequr nga Arabia Saudite dhe Egjipti. Të paktën gjashtë vende kanë prerë lidhjet me këtë vend të vogël në Gjirin Persik, duke e akuzuar Katarin se ka financuar terrorizëm. Siç shpjegon Carla Babb e Zërit të Amerikës, Shtetet e Bashkuara mund të kenë shumë për të humbur, nëse vazhdojnë të përfshihen në këtë mosmarrëveshje.

“Për Katarin: ne duam që ju t’i ktheheni bashkësisë së kombeve të përgjegjshme,” tha Presidenti Donald Trump, i cili e kritikoi përsëri Katarin, këtë vend të vogël e të pasur me naftë, duke e akuzuar se ka qenë historikisht “financues i terrorizmit”.

Por Katari është një aleat strategjik i Shteteve të Bashkuara, duke qenë se në këtë vend ndodhet baza ajrore e al Udeidit, me përqëndrimin më të madh të personelit ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme.

“Flitet për avionë luftarakë që fluturojnë mbi qiejt e Irakut dhe Sirisë dhe hedhin bomba. Flitet për avionët e zbulimit që po vlerësojnë se ku janë objektivat dhe sa dëm bënë sulmet e mëparshme. Për avionë komandues dhe kontrollues ajrorë që sigurojnë që ne të mos përplasemi me avionë rusë apo sirianë pa dashje dhe të kontrollojmë edhe Iranin dhe të tjerët”, thotë Michael O’Hanlon, analist i Institutit Brookings.

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson i bëri thirrje Katarit të merret me shqetësimet për financimin e terrorizmit dhe bëri thirrje që të ndalë bllokada e vendeve arabe ndaj Katarit.

“Bllokada po pengon veprimet ushtarake amerikane në rajon dhe fushatën kundër ISIS-it” tha ai.

Zoti Tillerson dukej se ishte në kundërshtim me deklaratat e Pentagonit që kanë thënë se operacionet kundët ISIS-it nuk janë prekur nga mosmarrëveshja rajonale.

Pas komenteve të Sekretarit Tillerson, Pentagoni lëshoi një deklaratë të re duke thënë se ndërsa operacionet nuk ishin ndërprerë apo prekur, situata po pengon aftësinë e ushtrisë për të planifikuar veprime afatgjata.

Pentagoni tha se ka një numër skenarësh alternativë për të vepruar nëse trupat dhe avionët amerikanë duhet të largohen nga Katari.

“Nuk jemi sot si ishim në vitin 2003. Ka edhe alternativa të tjera tani që nuk i kishim 10 vjet më parë apo më shumë” thotë gjenerali Thomas Spoehr.

Por analistët pajtohen se edhe plani më i mirë i emergjencave ka gjasa të ndikojë tek operacionet antiterroriste në rajon, pasi lëvizja e aq shumë njerëzve dhe pajisjeve mund të zgjasë disa muaj.