MARREVESHJA PS-PD/ Pakti Rama-Basha, Yee: Vendim i guximshëm, fitimprurës për Shqipërinë

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hoyt Brian Yee, i cili negocioi për marrëveshjen Rama-Basha, komentoi për herë të parë paktin e arritur. Sipas tij, opozita në Shqipëri ndërmori një vendim të guximshëm, ndërsa kryeministrit shqiptar iu desh të gjente fleksibilitetin e nevojshëm që të bindte PD.

“Suksesi i takon liderëve të vendeve që ishin të afta të ndërmarrin vendime të vështira, qoftë Maqedonia, ku presidenti Ivanov vendosi t’ia japë mandatin koalicionit në parlament që ka mazhorancën, në mënyrë që t’i hapët rrugë formimit të qeverisë, por edhe opozita në Shqipëri që ndërmori një vendim të guximshëm për të ndryshuar qëndrimin e saj duke vendosur të marrë pjesë në zgjedhjet që u shtynë.

Por këtu përmendim edhe Ramën, të cilit iu desh të gjente fleksibilitetin e nevojshëm për të bindur opozitën të kthehej. Kjo është shumë fitimprurëse për vetë Shqipërinë dhe situatën shqiptare”, deklaroi Yee.

Ai është pyetur edhe për deklarimet nacionaliste si ato për Shqipërinë e Madhe, bërë nga Edi Rama dhe Hashim Thaçi, nën terma të tjerë. Përgjigja e Yee hedh dritë mbi faktin se deklarime të tilla janë toleruar pasi ato janë qartazi vetëm retorikë dhe se sipas tij, pas tyre nuk qëndron ndonjë politikë e vërtetë.

“Së pari nuk besoj se ka ndonjë lëvizje serioze për Shqipërinë e Madhe apo ndonjë dëshirë nga popullsia shqiptare qoftë në Maqedoni, Mal të Zi, apo edhe në Shqipëri që në njëfarë mënyre të bëhet një vend I ri, lëvizje apo forcë e re në Ballkanin Perëndimor. Politika zyrtare – dhe besoj është e sinqertë – e partive politike në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri është integrimi në BE, anëtarësimi në NATO, mundësisht si pjesë e vendeve ku jetojnë aktualisht, pa ndryshim kufijsh…E di që ka patur retorikë, ne mendojmë provocative dhe e papërgjegjshme, nga disa politikanë në rajon që nuk kanë qenë konstruktive dhe që kanë krijuar dyshime.

Ne e marrim me mend se gjatë fushatë elektorale ka disa qëndrime dhe slogane që nuk duhen nxjerrë nga konteksti. Jo për t’i justifikuar pasi ne kemi shprehur qëndrimin tonë kundër retorikave të tilla, publikisht dhe privatisht…Në themel mendoj se në Ballkanin Perëndimor ka një dëshirë të vërtetë të qytetarëve në të gjitha vendet që të ecin më shpejt drejt integrimit me Europën…”, tha Yee.