MARREVESHJA/ Karshillëku i Metës me Berishën përballë takimeve të dy liderëve Rama-Basha

Misteret e një takimi të njëkohshëm

Shënim i konica.al

Gjatë gjithë  zhvillimeve të fundit, që i paraprinë takimeve Basha- Rama, me ndërmjetës Presidentin Nishani, pa ndërmjetës  si në dy rastet e fundit, nuk është parë asgjëkundi përfaqësuesi i LSI-së, qoftë Petrit Vasili, qoftë Presidenti i zgjedhur Ilir Meta. Nëse kuptohet pse Meta nuk ka qenë, për shkak të kostumit të ri institucional që ka veshur, mungesa e Vasilit duket interesante.

Me gjasë, të dy lojtarët nuk kanë dashur ta kenë një njeri të LSI-së. Me siguri as dhe ndërkombëtarët nuk kanë dashur. Sikur njera prej këtyre palëve ta kishte dashur, ai do të ishte. Pavarësisht problemeve në ulje, do sajohej një vend dhe për njeriun e LSI.

Dhe sigurisht Meta nuk duhet të jetë ndjerë mirë dhe nga fakti që për takimin e parë publik, takimin e parë historik Rama-Basha u zgjodh pikërisht një sallë e kryesisë së Kuvendit (me kamera, apo pa kamera) dhe ai nuk ishte.

Por LSI nuk po rri duarkryq megjithatë. LSI po shfaqet në publik, qoftë nëpërmjet  zotit Vasili, qoftë nëpërmjet Metës, i cili është bërë i zëshëm duke ofruar madje dorëheqjen e vet. Ky hap ngjan se është refuzuar me gjasë nga amerikanët. Në variantin e platformës McAllister plus që ka qarkulluar në shqip, opsioni i presidentit për opozitën është fshirë pikërisht prej atyre që e kanë futur në qarkullim këtë variant-amerikanëve, me shënimin : ky opsion nuk mund të përdoret më, sepse presidenti është zgjedhur !! Vasili ndërkohë ka dhënë preferencën e vet për datën 16 korrik, duke qenë kësisoj më afër opozitës me propozimet e veta. Kur dy palët arritën kompromisin për 25 qershor.

Duket qartë megjithatë se asnjeri prej ideve, prej propozimeve të LSI nuk u mor parasysh. A është ky vullneti i të dy liderëve, plus SHBA-ve që kanë drejtuar fuqimisht procesin negociator ? Me gjasë po.

Po a është ky dhe vullneti i Berishës ? Kjo nuk dihet. Sot ndërkohë po shihet që Meta takohet me Berishën.

Duke shkuar Meta tek Berisha, ndërsa Rama takohet me Bashën për herë të dytë, kjo është qartësisht karshillëk për dy liderët e partive kryesore. Meta dhe Berisha e kuptojnë se zhvillimi i njëkohshëm i takimit të tyre me takimin tjetër të Pallatit të Kongreseve,   është sfidë. Ata mund të takoheshin më parë, ose më pas, ashtu si dhe mund të komunikonin në distancë, por nuk kanë zgjedhur këtë mënyrë takimi. A po takohen pse ndihen më të sigurt të komunikojnë sy më sy ?

Një gjë është e sigurt. Zhvillimet e ditëve të fundit e cënojnë tripolaritetin. Ndaj Meta ngjan se po thërret Berishën, mjeshtrin e diversioneve ndaj të majtës. Pse ? Që ta ndikojë BAshën në këtë ose në atë drejtim. Po tjetër ?