Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1945-1948: Shqipëria e fuste veten nën varësinë ekonomike të jugosllavëve!

Telegrafi publikon për herë të parë në formë elektronike fejtonin e profesorit të historisë, Agim Zogaj, që bazohet në dokumentin e marrë nga Arkivi Shtetëror i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë me shënimin Dosja, nr. B/ I-8, që mban titullin: Relacionet mbi marrëdhëniet midis dy vëndeve, nr. rendor 167, viti 1948. Në këtë dokument përshkruhet bashkëpunimi shqiptaro-jugosllav në lëmin ekonomik, përmes të cilit bashkëpunim Shqipëria, në periudhën 1945-1948, pothuajse e kishte rrezikuar humbjen e pavarësisë dhe të sovranitetit të saj shtetëror…

 

Për të mund të njohur më mirë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, pas çlirimit e deri më sot, është e domosdoshme të hedhim një sy në të kaluarën e tyre dhe në luftën e tyre të përbashkët kundër të njëjtit armik të jashtëm e të brendshëm që bën këta popuj. Sepse të gjitha këto marrëdhënie i kanë rrënjët në këtë luftë dhe janë rezultati i kësaj lufte.

SHQIPTARËT DHE JUGOSLLAVËT: VËLLEZËR TË SHTYPUR NGA I NJËJTI ARMIK!!!

Qeveritë antipopullore që sundonin në të dy vendet dhe që përfaqësonin klasën feudalo-kapitaliste, përdornin mjetet dhe metodat më të poshtra për të përçarë popujt dhe për të futur grindjen në ta. Kjo u lejonte atyre sundimin në interes të klasës që ata përfaqësonin. Këto qeveri nuk ishin vetëm përfaqësues të klasës feudale të vendit të tyre; ato ishin njëkohësisht klika dhe vegla të imperializmit që me mënyrën e sundimit të tyre bënin lojën dhe ruanin interesat e tij. Për të shfrytëzuar më lehtë dhe më shumë, këto klika kishin krijuar një hendek të madh ndërmjet vendeve tona, duke përdorur të gjitha mjetet për të përçarë të dy popujt dhe për t’i hedhur në luftë me njëri-tjetrin. Por, masat popullore në të dy vendet, megjithëse në këto kondita të vështira nën terror dhe shtypje, e kanë ruajtur thellë frymën e vëllazërimit; ato janë ngritur për të përmbysur këto regjime në vendet e tyre, por këto përpjekje kanë dështuar nën terrorin e egër të shtypësve dhe nën ndërhyrjen e imperialistëve.

Agresioni fashist i gjeti popujt tanë nën mëshirën e fatit. Klikat antipopullore e kishin përgatitur me kohë këtë agresion, duke i futur vendet e tyre këmbë e kokë ndër varësinë ekonomike të tij. Megjithatë, ata e dinin që masat popullore të cilat e kishin shfaqur me kohë urrejtjen kundër fashizmit nuk do të lejonin një gjë të tillë. Këtu, tradhtia e tyre bëhet ende më e madhe; këtu del në shesh se interesat e tyre i kishin lidhur me ato të fashistëve, duke sabotuar me koshiencë rezistencën e popullit kundër fashizmit dhe duke bërë të mundshme agresionin fashist. Po në këtë luftë, popujt nuk mbetën pa udhëheqje; ata gjetën pararojet e tyre te Partitë Komuniste. Kështu e shikojmë Partinë Komuniste Jugosllave të dalë në udhëheqje të luftës menjëherë në kohën e agresionit. Roli i saj ka qenë vendimtar gjatë luftës. Ajo që në ditët e para të pushtimit ngriti të gjitha masat e popullit në luftë kundër pushtuesit dhe korri fitore të shkëlqyeshme në drejtimin e saj. Rezistenca e popujve të Jugosllavisë, lufta e ashpër e tij dhe organizimi i saj, i dha të kuptojë edhe popullit tonë se forcat e tij janë të pashterrshme; se me një mobilizim të përgjithshëm të tij në luftë të ashpër, mund të zhdukej zaptuesi.

DY POPUJ NË RRUGË TË NJËJTË!!!

Kështu, përpara të dy popujve të shtypur nga i njëjti armik, dolën detyra të njëllojta me luftën: të mundej agresori fashist, të përmbyseshin qeveritë kuklla, vegla të imperializmit, dhe të merrej pushteti në duar të masave popullore. Këto qëllime të përbashkëta u arritën në saj të luftës së përbashkët. Me fitoren mbi fashizmin këto qëllime çelnikosën bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve gjatë luftës. Pas fitores së përbashkët mbi fashizmin, për të dy popujt dolën detyra të reja, si: rimëkëmbja e vendeve të tyre të shkatërruara nga fashizmi, mbrojtja e pavarësisë së tyre nga çdo ndërhyrje ekonomike ushtarake, forcimi i pushteteve të ngritura gjatë luftës. Dhe, në këtë rrugë, të dy popujt tanë ecën krah njëri-tjetrit, duke ndihmuar njëri-tjetrin për kalimin e të gjitha vështirësive që dilnin gjatë kësaj rruge të përbashkët dhe duke i mbrojtur me përpjekje të përbashkëta fitoret e luftës së tyre – duke hapur kështu një rrugë të re për të dy vendet, rrugën drejt socializmit, rrugë që çelnikosi edhe më shumë vëllazërimin dhe bashkimin ndërmjet tyre.

Rruga e përbashkët që e ndoqën të dy popujt gjatë luftës, forcoj dhe çelnikosi dashurinë e madhe për njëri-tjetrin dhe bashkëpunimin reciprok në çdo fushë të jetës së tyre. Ky bashkëpunim dhe kjo dashuri për njëri-tjetrin që filloi gjatë luftës, u rrit ende më shumë pas saj. Të dy vendet dolën nga lufta e madhe antifashiste në një gjendje të vajtueshme ekonomike. Armiku kishte shkatërruar gjithçka dhe kishte plaçkitur pjesën më të madhe të ekonomisë së popullit, mijëra fshatarë ishin pa strehë, komunikacioni i pezulluar, ndërsa më e vështira ishte çështja e bukës. Këto probleme me rëndësi shtoheshin për të dy vendet menjëherë pas luftës. Por, këto nuk mund të realizoheshin në asnjë mënyrë pa ndihmën e njëri-tjetrit, aq më shumë për vendin tonë, duke marrë parasysh gjendjen e mjerueshme që i kishin lënë regjimentet antipopullore ekonomisë sonë. Por, popujt tanë, për të dalë nga kjo gjendje e vështirë, nuk iu nënshtruan kapitalit imperialist që ishte rritur gjatë luftës, i cili ishte gati t’u jipte çdo gjë për t’i futur më vonë nën kthetrat e tij. Ato i dhanë dorën njëri-tjetrit si gjatë luftës; për të mbrojtur ato që fituan nga lufta për “pavarësinë e tyre”.

JUGOSLLAVËT DHANË KONTRIBUT PËR TË NDIHMUAR “VËLLEZËRIT E TYRE SHQIPTARË”!!!

Kështu, që nga mesi i vitit 1945 kur vendi ynë kërcënohej nga uria, popujt e Jugosllavisë, të cilët kishte vetë nevojë për t’u ndihmuar, hoqën nga goja e tyre me qindra kuintalë me bereqet për të ndihmuar vendin tonë. Kjo është nidhma e parë e popujve të Jugosllavisë. Ata me përmirësimin e konditave të jetës së tyre, i vazhduan këto në një sasi edhe më të madhe. Ndihma tjetër, prej njëqind mijë kuintalë grurë në vitin 1946 është një provë tjetër e dashurisë dhe e ndihmës së njëri-tjetrit. Një provë, ku vetë masat e popullit të Jugosllavisë treguan simpatinë dhe dashurinë për popullin tonë, del më e madhe me rastin e fushatës së ndihmave për të dëmtuarit nga inondata (përmbjtje nga ujërat – v.j.). Më 6 nëntor 1946 filloi në të gjitha anët e Jugosllavisë një fushatë e madhe në këtë drejtim, e cila u prit dhe u vazhdua me një dashuri dhe vullnet të jashtëzakonshëm nga të gjitha masat popullore. Punëtorët jepnin nga meditjet e tyre në të gjithë Jugosllavinë me qindra dinarë. I madh dhe i vogël dhanë e kontributin e tyre për të ndihmuar “vëllezërit e tyre shqiptarë”, si thoshin ata vetë.

Ja disa shifra që tregojnë dashurinë e pakufi për t’i ardhur në ndihmë popullit tonë. Sllovenia – 3.336.180 dinarë, vetëm Beogradi – 2.500.000 dinarë, Qeveria Jugosllave nga Buxheti i saj – 10.000.000 dinarë etj. Më 31 dhjetor të këtij viti në një ceremoni iu dorëzuan legatës shqiptare 51.460.941 dinarë për të dëmtuarit nga inondata. Kjo ndihmë e madhe, e dhënë nga gjithë masat e popujve të Jugosllavisë, tregon dashurinë që kanë ata për popullin tonë dhe gatishmërinë për të ndihmuar në situata të vështira; tregon forcimin e lidhjeve të ngushta dhe vëllazërore që u krijuan në luftën e përbashkët.

Siç ishte i nevojshëm bashkëpunimi gjatë luftës për të mundur armikun e përbashkët, ashtu u bë i nevojshëm edhe bashkëpunimi i të dy vendeve mbas saj, pasi edhe në këtë etapë qëllimet ishin të njëllojta: të ndërtosh për popujt një jetë të re dhe të lumtur me forcat e tyre dhe duke i dhënë dorën njëri-tjetrit. Duke u nisur nga ky parim, filluan dhe u zhvilluan marrëdhëniet ekonomike, politike dhe kulturale mbas luftës midis dy vendeve. Këto marrëdhënie u konkretizuan gjatë kësaj periudhe me marrëveshje të përbashkëta (traktatet, akordet, konventa e lidhura ndërmjet tyre).

TRAKTATI I PARË MIDIS SHQIPËRISË DHE JUGOSLLAVISË?

Traktati i parë që lidhet në këtë drejtim është traktati për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë, i nënshkruar në Beograd më 20.II.1945, traktat i cili qe pikënisja e një bashkëpunimi më të ngushtë dhe më të organizuar ndërmjet dy vendeve. Ky traktat përmban suplimimin e kufijve doganorë, që shkëmbimi i mallrave ndërmjet dy vendeve të bëhet pa pengesa, për të shërbyer kështu në ngritjen e shpejtë të ekonomisë të këtyre vendeve. Dhe, kryesorja, në bazë të këtij traktati të dy qeveritë angazhohen që të nxitin shkëmbimin e mallrave ndërmjet tyre. Ky traktat ka një rëndësi të veçantë për vendin tonë, pasi që menjëherë pas çlirimit ekonomia jonë ishte e paralizuar dhe tregjet ishin të boshatisura, ndërsa atyre tash u sigurohen të ardhura. Traktati në fjalë është nënshkruar për Shqipërinë nga M. Peza, dr. O. Nishani, M. Shtylla, Bedri Spahiu, ndërsa nga ana jugosllave nga Gorif Dhuadhak dhe Nikolla Petroviq.

Kur të dy vendet tona hynë thellë në rrugën e zhvillimit të ekonomisë së tyre, doli nevoja e një ndihme dhe e bashkëpunimit më të ngushtë. Kështu, më 1.VII.1946 lidhet akordi mbi bashkëpunimin ekonomik ndërmejt dy vendeve. Me këtë akord, të dy qeveritë vendosën të përcaktojnë parimet e përgjithshme për këtë bashkëpunim. Në artikullin e parë të këtij akordi përcaktohen format e organizimit të shoqërive shqiptare dhe jugosllave, të cilat kanë për qëllim që të përsëritin dhe të zmadhojnë mundësitë e prodhimit në vendin tonë dhe të forcojnë më tepër bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve. Për këtë qëllim, formohen këto shoqëri: Shoqëria për ndërtimin dhe shfrytëzimin e rrugëve të hekurta, Shoqëria për nxjerrjen dhe fabrikimin e naftës, Shoqëria për kërkim-shfrytëzim dhe për përpunimin e minierave, Shoqëria për elektrifikim, Shoqëria për lundrim detar, Shoqëria tregtare import-eksport, Banka shqiptaro-jugosllave…

Qeveria jugosllave angazhohet me anë të këtij traktati që të ndihmojë industrinë dhe bujqësinë e Shqipërisë, duke dërguar specialistë prej Jugosllavie, ose duke mësuar atje specialistët shqiptarë. Ky akord parashikon dhënien e një kredie R.P. të Shqipërisë nga Jugosllavija për furnizim makinash dhe veglash, me qëllim që të ndërtojë industrinë e saj të konsumit të madh. Akordi është nënshkruar në Beograd më 1.VII.1946 në emer të R.P. Shqiptare nga Nako Spiru dhe në emër të R.F.P.J. nga Nikola Petroviq.

AKORDI PËR KREDINË JUGOSLLAVE

Bashkë me këtë akord, është hartuar dhe një protokoll mbi personelin, me qëllim që të vihet në fuqi Akordi i sipërm. Me këtë protokoll qeveria e R.P. Shqiptare angazhohet të vërë në dispozicion të shoqërive shqiptaro-jugosllave krahë të punës dhe personel teknik që disponon. Në qoftë se personeli teknik është i pamjaftueshëm, Jugosllavia angazhohet të sjellë teknikë të saj.

Me lidhjen e këtij akordi, populli i ynë gjen edhe një herë ndihmën efektive dhe të paçmueshme të popujve jugosllavë, për përmirësimin e konditave të jetës të tij. Shoqëritë shqiptaro-jugosllave, që parashikon akordi, do të shfrytëzojnë në maksimum pasuritë e mëdha të nëntokës sonë, të cilat do të vihen në shërbim të ngritjes së ekonomisë. Pa këtë ndihmë të popujve të Jugosllavisë, vendi ynë me këtë gjendje të prapambetur, të lënë në trashëgim nga e kaluara, ishte e pamundshme t’i shfrytëzonte këto pasuri natyrale të tij. Nga ana tjetër, ky akord përmban ndihmën e madhe të Jugosllavisë me kuadro të specializuara dhe me material të nevojshëm që do vihen në dispozicion të shoqërive për ndërtim dhe shfrytëzim. Edhe kjo është një gjë tjetër e madhe, mbasi vendi ynë nuk disponon as material e as teknikë të mjaftueshme për të tilla ndërmarrje. Në akord parashikohet gjithashtu hapja e kredisë nga R.F.P.J. për furnizim makinash dhe veglash për ndërtimin e industrisë së konsumit. Me anë të kësaj ndihme, vendi ynë do ndërtojë industrinë e konsumit të madh, kështu që do t’i sigurohet popullit mall që deri dje i priste të gjitha nga jashtë. Afati i këtij akordi për 30 vjet tregon se popujt e Jugosllavisë do të ndihmojnë vendin tonë derisa të jetë në gjendje dhe se do ta drejtojë vetë gjithë ekonominë e tij.

Në vitin 1926, midis mbretërisë së kroatëve, sllovenëve dhe serbëve dhe Republikës shqiptare u nënshkrua një traktat tregtie dhe lundrimi. Ky traktat përmban edhe disa anekse mbi çështje të veçanta. Protokolli i ynë mbi rivendosjen e trafikut kufizor midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë vë në fuqi dispozitat e aneksit “C” të traktatit të vitit 1926, dispozitat mbi trafikun kufizor në lidhje me tregun e Shkodrës (firmuar në Beograd m[ 5 maj 1934) dhe Protokollin e zbatimit të aneksit “C” të traktatit tregtar dhe të lundrimit (firmuar në Beograd më 9 maj 1934). Të gjitha këto vihen në fuqi duke u bërë disa ndryshime në përshtatje të konditave dhe të marrëdhënieve të dy vendeve.

PROTOKOLLI PËR LËVIZJEN E LIRË NË TË DY ANËT E KUFIRIT

Marrëdhëniet e ngushta ekonomike, politike dhe kulturale që po forcohen dita-ditës ndërmjet dy vendeve tona, bën të nevojshme që edhe marrëdhëniet ndërmjet banorëve shqiptarë dhe jugosllavë që janë pranë kufirit të lehtësohen dhe të zhvillohen në harmoni të plotë. Ky protokoll jep një kontribut tjetër në afrimin dhe vëllazërimin e dy vendeve, sidomos ndërmjet banorëve pranë kufirit, ku nga regjimet antipopullore kanë qenë për shekuj armiq me njëri-tjerin. Nga ana tjetër, është një ndihmë e madhe që u jepet këtyre vendeve, për arsye se pozitat gjeografike ndodhen lart nga qendrat e furnizimit të vendit të tyre. Ky protokoll ka për qëllim të rregullojë lëvizjen nga njëra anë në tjetrën të banorëve që gjenden 15 km në thellësi të kufirit të tyre, për nevoja të ndryshme, si p.sh. të punojnë lirisht tokën e tyre që ndodhet në zonën e anës tjetër, të shkëmbejnë prodhimet e njëri-tjetrit në tregjet e të dy anëve, mallra të cilat përjashtohen nga taksa doganore, të dërgojnë lëndë të para me qëllim fabrikimi, duke pasur të drejtë të marrin prapë prodhimin etj. Ky protokoll, mbi vendosjen e trafikut kufizor midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, u nënshkrua më 10.II.1946 nga Hysni Kapo nga pala shqiptare dhe nga Vladimir Velebi nga pala jugosllave.

Akordi mbi kredinë që qeveria e R.F.P. e Jugosllavisë i jep qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë, u nënshkrua në Beograd më 1.VII.1946, për palën shqiptare nga Nako Spiro dhe për palën jugosllave nga Nikola Petroviq. Me anë të këtij akordi Jugosllavia i lëshon Shqipërisë një sasi prej 1.200.000 dollarë amerikanë, kredi e cila do të përdoret për blerje mallrash në R.F.P. të Jugosllavisë. Kjo kredi duhet të lahet nga ana shqiptare brenda 5 vjetëve, duke paguar çdo vit nga një kest në mallra ose në të holla. Kredia në final është një provë tjetër e ndihmës miqësore që Jugosllavia i jep vendit tonë për rregullimin e jetës së tij; kjo nuk është një ndihmë e thjeshtë në të holla, sepse thelbi dhe rëndësia e saj qëndrojnë në faktin se kjo shumë do të përdoret për të blerë nga Jugosllavia mallra të cilat vendi ynë nuk i prodhon dhe që ka nevojë immediate për to.

AKORDI PËR KËMBIMET TREGTARE DHE PROTOKOLLLI PËR MALLRAT E SHKËMBYERA!

Me akordin mbi këmbimet tregtare dhe rregullimin e pagesave ndërmjet R.P. të Shqipërisë dhe R.F.P. të Jugosllavisë, të dy qeveritë, nga dëshira për të zgjeruar marrëdhëniet e tyre dhe për t’i shërbyer ngritjes së standardit të jetës në të dy vendet, u pajtuan që të shkëmbejnë mallra ndërmjet prej periudhës 1 maj – 31 dhjetor 1946, sipas listave bashkëngjitur akordit. Ky shkëmbim do të bëhet me anë të kontratës nga Institutet ose ndërmarrjet e të dy palëve. Këto mallra do të çmohen në dollarë amerikan. Për zbatimin e këtij akordi do të formohet një komision mikst nga të dy palët.

Të dy qeveritë angazhohen që të vënë në dispozicion mjetet e transportit. Të gjtiha llogaritë do të kryhen me anë të bankave të të dy vendeve.

Me anë të këtij akordi vendit tonë i sigurohet eksportimi i gjërave të cilat ai tashti për tashti nuk është në gjendje t’i fabrikojë dhe me këto eksportime, në baza reciproke, sipas akordit në fjalë, vendit tonë i sigurohen furnizime në mallra të nevojës urgjente për popullin dhe për ngritjen e ekonomisë së tij.

Së bashku me këtë akord, është hartuar edhe një protokoll në lidhje me likuidimin e mbetjes së llogarive që përfundojnë nga shkëmbimi i mallrave në bazë të akordit të përfunduar më 25.II.1945. Protokollli përmban edhe listat e mallrave të shkëmbyera ndërmjet dy vendeve. Nga balancimi i këtij shkëmbimi, përfundohet se Shqipëria ka tërhequr më shumë mallra nga Jugosllavia, kështu që shuma mbetëse prej 1.794.000 dinarë shkojnë në favor të Jugosllavisë. Me anë të këtij protokolli të dy palët ranë në marrëveshje, që kjo mbetje të paguhet deri në fund të shtatorit 1946, duke eksportuar mallra R.P. e Shqipërisë në Jugosllavi sipas listës së bashkangjitur nr. 4. Akordi në fjalë dhe protokolli janë nënshkruar në Beogard më 1.VII.1946 për Shqipërinë nga Nako Spiro dhe për Jugosllavinë nga Nikola Petroviq.

Protokolli mbi punimet e komisionit mikst shqiptar-jugosllav për rregullimin e shkëmbimeve të mallrave, në bazë të akordit 1 korrik 1946, ka caktuar çmimet e mallrave A.B. që do të shkëmbehen e të cilat i bashkangjiten këtij protokolli. Komisioni do të mblidhet herë pas here në Tiranë për të shqyrtuar zbatimin e akordit. /Telegrafi/