Mali i Zi rrethim me tela kundër Shqipërisë? Ish Ambasadori: U paralajmëruam, tani duhet kujdes!

Mali i Zi paralajmëroi se mund të ndërtonte një gardh në kufi me Shqipërinë për të bllokuar trafikun e emigrantëve nga Lindja e Mesme, pasi shfaqi pakënaqësi me mënyrën si po e trajtonte pala shqiptare.

Por, ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë dhe Maqedoni, Arben Çejku i ftuar në studion e Report Tv për të folur për këtë çështje, u shpreh se e shikon thjeshtë si paralajmërim, pasi nuk beson se Mali i Zi do të arrijë që të ndërtojë mure me Shqipërinë.

Arben Çejku: Mali i Zi ka të drejtën e tij për të shprehur shqetësimin për mbrojtjen e kufirit. Shqipëria duhet që të marrë masat. Ne duhet të respektojmë konventat ndërkombëtare, por duhet të jemi bashkëpunues të sinqertë me vendet fqinje, sepse vrulli i refugjatëve mund të përfshijë edhe Kosovën si destinacion nëse bllokohet Mali i Zi. 

Autoritetet duhet të jenë në lartësinë e duhur në raport me Malin e Zi dhe prezencën e tij. Shqetësimi nuk është në nivelet e larta, por lokale, është një njoftim paralajmërues, por në raportin bilateral nuk ka shkuar në nivele të larta. Unë nuk kam informacion për të thënë sa takime janë bërë mes dy palëve. Por fakti që kanë shprehur shqetësim duhet të jemi të kujdesshëm. Nuk duhet të shtojmë problemet me fqinjët. Duhet të luftohen grupet kriminale, kjo kërkon edhe dialog të brendshëm, të merren masa. Ne duhet të mbyllim korridoret e lëvizjes së emigrantëve. Mali i Zi nuk besoj se do të shkojë deri atje sa të ndërtojë mure apo gardhe me tela me gjemba. Nuk do që të bëhet vend tranzit për problemet e Lindjes së Mesme.

Shqipëria po përdoret nga klandestinët nga Lindja e Mesme, si trampolinë për të shkuar drejt Evropës. Në 4 muajt e fundit më shumë se 500 kladestinë kanë kaluar nga Shqipëria drejt Malit të Zi, ose kanë kërkuar azil në vendin tonë./Report tv

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme-nga-shqiperia/rrethim-me-tela-kunder-shqiperise-539113/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright