Malësi e Madhe – Oxfam dhe Lëviz Albania, kontribuojnë në riparimin e ujësjellësit të Qafë Gradës

/ATSH/- Organizatat joqeveritare Oxfam dhe Lëviz Albania, po kontribuojnë në riparimin e ujësjellësit të Qafë Gradës, prej të cilit furnizohen me ujë të pishëm banorët e Shkrelit në Malësinë e Madhe.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, njoftohet se pas këmbënguljes së vazhdueshme, po riparohen disa qindra metra në ujësjellësin e Qafë Gradës. Sipas banorëve, ata i kanë kryer vetë shumicën e punimeve të fundit duke arritur të vënë në funksionim ujësjellësin, aq i domosdoshëm veçanërisht tani në sezonin e verës.

Oxfam është një konfederatë ndërkombëtare e organizatave bamirëse të fokusuara në zbutjen e varfërisë globale.

Ndërsa LëvizAlbania, është një projekt i financuar nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe zbatohet nga konsorciumi i tre organizatave shqiptare të suksesshme, “Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, “Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim” dhe “Co-Plan”.

Malësia e Madhe shtrihet në skajin më verior të vendit, ajo kufizohet në veri me Malin e Zi dhe në jug me Bashkinë Shkodër. Qendra e kësaj bashkie është qyteti i Koplikut.

Malësia e Madhe përmban bukuri të shumta natyrore, dhe zhvillimi i turizmit malor pritet të marrë një zhvillim të ri, mbështetur nga investimet në infrastrukturë të parashikuara në programin qeverisës.

Ndër pikat me bukuri të veçantë natyrore në Malësinë e Madhe janë Liqeni i Shkodrës dhe pikat turistike malore të Vermoshit, Razmës dhe Bogës. Turizmi, blegtoria dhe bujqësia janë burimet kryesore ekonomike për banorët e kësaj zone. e.xh//m.m/