Pandeli Majko gjatë qëndrimit në New York, zhvilloi një takim me sipërmarrësin, Richard Lukaj në Qendrën Rinore Shqiptare “Stamford”

Diaspora kontribut në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar

Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko gjatë vizitës së tij në New York ka vlerësuar kontributin e diasporës në promovimin dhe ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, si dhe kontributin kombëtar që kanë dhënë diaspora për Shqipërinë dhe Kosovën.

Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majo gjatë qëndrimit në New York, zhvilloi një takim me sipërmarrësin, Richard Lukaj në Qendrën Rinore Shqiptare “Stamford”, e themeluar prej tij. Sipërmarrësi Lukaj, i cili është edhe Konsull i Përgjithshëm në Connecticut dhe Neë York, ka dhënë një kontribut të shquar për kauzat shqiptare e për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Gjatë takimit ku ishte i pranishëm edhe Ministri për Diasporën në Kosovë z. Dardan Gashi dhe Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, znj. Besiana Kadare,  Majko vlerësoi krijimin dhe mënyrën e funksionimit të qendrës në shërbim të komunitetit shqiptar, duke përgëzuar z. Lukaj për punën e tij. Ministri tha se Qendra Rinore ku zhvillohen aktivitete të ndryshme e ku mësohet gjuha shqipe, histori dhe art, po kontribuon në edukimin e intelektualëve të ardhshëm që do të punësohen në administratat e Shqipërisë dhe Kosovës. “Identiteti i shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara është ruajtur falë njerëzve si Lukaj”, ishin fjalët e Ministrit. Majko shtoi se përgjegjësia e një shteti është e njëjtë, si për qytetarët brenda, ashtu edhe jashtë vendit. “Janë njerëzit që e bëjnë kombin dhe ju jeni të gjithë pjesë e tij”, u shpreh Ministri.

Po në Qendrën “Stamford”,  Majko u takua me përfaqësuesit e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, të cilët gjithashtu i vlerësoi për kontributin në promovimin dhe ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara. Të pranishmit, mes të cilëve edhe kryetari i qendrës Adnan Mehmeti, i folën Ministrit për panairet e librave të organizuara në Neë York dhe aktivitetet e tjera që synojnë promovimin e krijimtarisë së anëtarëve të shoqatës. Ministri Majko sugjeroi organizimin e një aktiviteti të përvitshëm, i cili në qender do të ketë librin shqip.

Sipërmarrësi Richard Lukaj shprehu vullnetin për të ndihmuar me krijimin e një biblioteke për komunitetin shqiptar, që do të jetë një nga më të mëdhatë e këtij lloji.  a/g/