Majko në Prishtinë: Nga 1 janari heqim kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë

Replika në distancë/ Ministri i kundërpërgjigjet Gjuriçit: Ëndrrat me ndryshim kufijsh kanë mbaruar përfundimisht

Ministri i Diasporës, Pandeli Majo, ka zhvilluar një sërë takimesh në Kosovë. Majko ka vizituar Prekazin, vendin ku vdiq komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari. Në këtë vizitë, ministri Majko u takua me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn, Presidentin Hashim Thaçin, Ramiz Lladrofçi, e të tjerë miq. Gjatë takimit, Majko deklaroi nga Kosova se nga 1 janari 2019 do të nisë lëvizja e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ish-kryeministri Majko deklaroi se heqja e kufijve mes dy vendeve është një projekt i kryeministrit Edi Rama. Majko theksoi se kryeministri shqiptar, Edi Rama, e ka marrë vendimin në fjalë dhe nga 1 janari nuk do të ketë kufi mes dy shteteve. “Duhet të hapim kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës, kryeministri na tha që e ka marrë vendimin, më datën 1 janar fillon lëvizja e lirë midis Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Majko mbrëmjen e së mërkurës në takimin në Skënderaj. Mediat në Kosovë gjatë ditës së djeshme raportuan se asnjë prej zyrtarëve të lartë të Prishtinës nuk e ka komentuar këtë deklaratë.

Përgjigjja ndaj Gjuriçit

Ministri për Diasporën, Pandeli Majko ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve serbë lidhur me heqjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në një reagim të tij përmes rrjetit social “Facebook”, Majko i është referuar deklaratave të forta të drejtorit të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Marko Gjuriç i cili i ka cilësuar deklaratat e Majkos si të bezdisshme. Në këtë kontekst, Majko i kujton zyrtarit serb se Qeveria e Tiranës dhe ajo e Prishtinës e kanë marrë vendimin përfundimtar për lëvizjen e lirë midis kufijve shtetërorë të dy vendeve tona. “Dje (të mërkurën), në një vizitë zyrtare në Prishtinë, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj më konfirmoi lajmin i cili është diskutuar prej kohësh midis Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës. Ai është fillimi i lëvizjes së lirë së njerëzve dhe mallrave midis dy vendeve tona duke filluar nga 1 janari 2019. Kujtoj se në takimin e parë zyrtar të dy kryeministrave, të Shqipërisë dhe Kosovës, si afat u vendos që ky proces të fillonte në 1 janar 2018. Për arsye të mirëkuptueshme, Qeveria e Kosovës kërkoi kohën e nevojshme për të marrë vendimin. Dje, Kryeministri Haradinaj më kërkoi që në festimet ku ishim të ftuar bashkë me Presidentin Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrat Pacolli dhe Gashi në Komunën Skënderaj, nën hijen e bustit të Bacës Adem Jashari, të isha unë që do të jepja lajmin se Kosova e ka marrë vendimin përfundimtar për lëvizjen e lirë midis kufijve shtetërorë të dy vendeve tona. Lexova që sot, Gjuriç, Drejtori i zyrës për Kosovën në Shtetin Serb ka deklaruar se “Kosova dhe Shqipëria nuk kanë kufij, ekziston vetëm kufiri ndërmjet Serbisë e Shqipërisë me gjatësi 111 kilometra”… Uroj që dikush ti thotë se Jugosllavia nuk ekziston më… Ëndrrat me ndryshim kufijsh kanë mbaruar përfundimisht. Kosova është shtet i pavarur dhe kjo është arsyeja pse edhe ai është sot drejtor…Natyrisht”- u shpreh dje në reagimin e tij, ministri për Diasporën, Pandeli Majko.