LULZIM BASHA NE “TOP STORY”/ Programi ekonomik i Partisë Demokratike është arma e fortë e opozitës në zgjedhjet e së dielës

Por nëse nuk arrin të marrë 71 mandate për të qeverisur, a është ai për atë që po përflitet si koalicioni i madh pas zgjedhjeve?

“Unë e kam çliruar veten nga kjo dhe nuk jam në këto zgjedhje për të kërkuar timonin.  Nuk dua timonin për veten time, por dua timonin për të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim, ta keni timonin vetë. Nuk e dua ndryshe. Nuk dua të ulem në një karrigë kryeministrore me ganxhat dhe zinxhirët e marrëveshjeve politike, të cilat kanë synim pushtetin e partive dhe nuk sjellin asgjë për njerëzit. Nuk e dua, nuk më duhet. Më duhet vetëm nëse ne mund të sjellim një ndryshim real për njerëzit dhe këtë ne e sjellim me numrin 6, me planin tonë ekonomik. Thënë kjo, çdo forcë dhe faktor politik që mbështet këtë program, këtë vizion të vetëm në këto zgjedhje, nuk do të gjejë te Lul Basha derën e mbyllur, por do të gjejë mundësinë për të bashkëpunuar për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Shqiptarët kanë në dorë që të na mbështesin, që ne të qeverisim pa bërë asnjë kompromis, me të vetmin plan ekonomik që sjell ekonominë e fortë, me taksa të ulta, me vende pune, rrit bazën e taksimit dhe na jep mundësinë të financojmë shkollat e fëmijëve me orar perëndimor”, tha kreu i PD-së.

Basha në Top Story foli edhe për ndryshimet kushtetuese pas 25 qershorit, që sipas tij duhet të kthejnë sistemin mazhoritar dhe parlamenti të ketë 100 deputetë.

Po ashtu ai propozon që kryeministri të zgjidhet dhe të shkarkohet nga populli, ndërsa deputetët të kenë një mandat 2 vjeçar dhe të shkarkohen nga zgjedhësit përmes referendumeve në zonat ku janë zgjedhur.

Në Top Story këtë të enjte, Lulzim Basha e ndau “Republikën e Re” në dy pjesë; atë politike dhe atë ekonomike.

Duke folur në Top Story me Sokol Ballën, Basha shpjegoi anën politike.

“Pjesa politike është ndryshim i thellë i Kushtetutës. Në Shqipëri ka humbur lidhja mes pushtetarit dhe qytetarit dhe kjo ka ndodhur gradualisht. Përgjegjësia është e të gjitha palëve politike, por veçanërisht e autorëve të ndryshimeve kushtetuese të 2008. Në bazë të këtyre ndryshimeve, deputetët nuk kannë lidhje me qytetarët dhe u mjafton ta kenë mirë me kryetarin e partisë. Vetë deputetët zgjidhen për të kontrolluar qeverinë, por me këtë sistem qeveria i kontrollon ata. Ne duam që në radhë të parë të kthejmë pushtetin tek qytetarët”, tha Basha.

Kreu i opozitës shpjegon edhe rrugët që mund të bëhet kjo.

“Futja e sistemit amerikan ‘recall’, që do të thotë që një deputet mund të shkarkohet përmes referendumit në zonën e tij. Me këtë mund të shkarkohet Kryeministri dhe kryebashkiaku e të tjerë dhe nuk lidhet më fati i një politikani me fatin e një oligarku dhe  biznesmeni”, shtoi ai.

Propozimi i Bashës shkon edhe më tej.

“Kryeministri të zgjidhet nga populli dhe të shkarkohet nga populli. Më e rëndësishmja është që fati i Parlamentit nuk lidhet me fatin e Kryeministrit. Ky Parlament nuk e kontrollon Qeverinë, nuk kontrollon kryeministrin”, u shpreh Basha.

Kreu i PD propozon gjithashtu edhe uljen e numrit të deputetëve dhe zgjedhjen e drejtpërdrejtë të tyre në sistem mazhoritar.

“Deputetët do të zgjidhen në zona direkte mazhoritare me 100 gjithsej, pa korrektim. Të kemi vetëm 100 deputetë”, tha ai.

Lulzim Basha thotë më 25 qershor shqiptarët do të jenë përballë një zgjedhjeje të vetme të vërtetë që bazohet tërësisht tek ekonomia dhe ringritja e saj.

I ftuar në Top Story këtë të enjte, kreu i Partisë Demokratike thotë se ka vetëm një alternativë.

“Që është plani ekonomik i Partisë Demokratike, i hartuar në 2 vjet e gjysmë shumë të vështira për qytetarët shqiptarë, ku u godit sipërmarrja, u goditën qytetarët”, tha ai.

Basha tha se programi është hartuar nga ekspertët më të mirë europianë.

“Është hera e parë që një parti politike vjen në zgjedhje me një plan ekonomik me taksa të ulta dhe mbështetje për sektorët kryesorë, fermerët me subencione, sipërmarrjen që krijon vende pune. Është një program që merret me ekonominë, jo me timonin.

Ai komentoi edhe gjuhën e presidentit të zgjedhur, Ilir Meta, në fushatën zgjedhore si dhe përfshirjen e tij. Përpara panelistëve Lulzim Basha tha se përfshirja e Metës në fushatë nuk ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, por sipas tij ajo është joetike dhe dhe jokorrekte.