Lulzim Basha: Me projektin mafioz 1 miliard euro, Rama synon të pastrojë miliardat e drogës

Ka nisur që në minutat e para me përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës seanca e kësaj të enjte në Kuvend. Ndërsa deputetja demokrate Albana Vokshi ka marrë fjalën për procedurë, drejtuesi i seancës i ka ndërprerë asaj fjalës. Sipas Ruçit kjo ka ardhur për shkak se Vokshi nuk po fliste për temën që kishte marrë fjalën. Menjëherë pas kësaj ka ndrhyrë dhe kreu i grupit demokrat Edmond Spaho. “Veprimi juaj  nuk është në përputhje me procedurat, nuk e përcaktoni ju se çfarë është duke thënë deputetja”, u shpreh Spaho. Pas kësaj deputetja Vokshi ka qëndruar me insistim në foltoren e Kuvendit, ndërsa Ruçi ka ndërprerë seancën për pesë minuta, duke i dhënë disa vërejtje Vokshit.

Gjatë fjalës së tij në parlament pasditen e djeshme, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar sërish kryeministrin Edi Rama për lidhjet e tij me krimin e drogën. Kryedemokrati e cilësi “mafioz” projektin 1 miliard të qeverisë së Ramës, duke u shprehur se do përdoret për pastrimin e miliardave të drogës. Basha akuzoi kundërshtarin e tij se tani po shfrytëzon rrugët për në Europë që përdori për shitjen e marijuanës, për të shitur kokainë e heroinë. “Projekti 1 miliard do shkrijë në një krimin, biznesin dhe politikën. Synon pastrimin e miliardave të drogës. Mijëra ton drogë të prodhuara sot gjenden në tunele, magazina, ura e prej andej trafikohen në vendet jashtë. Të fuqizuar nga marijuana, tani shesin kokainë e heroinë, duke përdorur të njëjtat rrugë për në Europë që përdorën për hashashin”, tha Basha. Kryetari i Partisë Demokratike, tha se kreu i qeverisë po përdor çdo truk të mundshëm për të shpëtuar njerëzit e ti nga drejtësia duke përmendur Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, Elvis Rroshin etj. “Ky që Tahirin nuk e largonte nga krahu i tij i djathtë duke i thënë që policia është e tyre. Ky që strehoi në parlament e nëpër bashki më shumë kriminelë se ka në burgjet e sigurisë së lartë. Ky që deri dje ulëriste se në Shqipëri nuk ka banda. Tani që çdo gjë ka marrë dhenë, Rama po përpiqet të mashtrojë edhe njëherë shqiptarët e ndershëm, të mjeruar nga krimi e korrupsioni, pasi i mashtroi me shëndetësinë falas, me vendet e punës duke i shtyrë të emigrojnë për bukën e gojës, me rilindjen që e ktheu në rilindje të krimit dhe pasurimit të një grushti oligarkësh. Tani po mundohet të vërë në skenë një mashtrim të madh. Deklaroi se do çlirojë Shqipërinë nga krimi. Ata që i mashtruan për 4 vite shqiptarët për krimin e drogën, për Tahirin, duartrokitën me zorr e me kokë poshtë. Të gjithë tani e dinë se Rama ka qenë në krah të krimit, dhe jo në krah të njerëzve të thjeshtë. Prova e tij është Klemend Balili, Elvis Rroshi, Agron Xhafaj, Qazim Sejdini. Rama nuk do që ata të përballen me drejtësinë. Ai po përdor çdo truk që ata mos dënohen. Ndërkohë krimi është fuqizuar në mënyrë të frikshme,” tha Basha.

Peshkaqenët e krimit

Kryedemokrati Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit deklaroi se lufta ndaj krimit është emergjencë, por që kjo të ndodhë duhet që të çlirohet fillimisht politika prej tij. Ai kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Rama, që vendi të çlirohet nga krimi e kriminelët. Basha nuk nguroi të përmendë edhe emra njerëzish me pushtet, të cilët i quajti “peshkaqenët” që mbrohen kryeministri. “Edi Rama strehoi në krye të bashkive më shumë kriminelë se sa në burgun e sigurisë së lartë. Prova e tij është Elvis Roshi, prova e tij është Klement Balili, prova e tij është Saimir Tahiri, është Agron Xhafaj, është dyshja Dako-Çela, Qazim Sejdini për të mos folur për Ilir Beqajn, Damian Gjiknurin e Arben Ahmetajn me shokë”, tha Basha. Sipas tij, synimi i kryeministrit është që t’i mbrojë, pasi të sipërpërmendurit, siç tha ai, janë të paprekshmit, peshkaqenët. Ndonëse nuk bëri thirrje të drejtpërdrejte për protesta, Basha tha se sot lind nevoja që shoqëria të reagojë e të bëhet bashkë. “E vërteta tjetër e madhe është se e vetmja arsye pse Saimir Tahiri është i lirë dhe Edi Rama është ende në pushtet është se ne si shoqëri nuk kemi reaguar. Kur ne të bëhemi të gjithë bashkë, mijëra shqiptarë të bashkuar përballë Edi Ramës, përtej ngjyrimeve politike, përtej paragjykimeve, atë çast pushteti i Edi Ramës merr fund. Dhe bashkë me të edhe pushteti i krimit. Kjo ditë do të vijë. Shpejt”,- tha kryedemokrati.