“Luftë” në Tiranë, Kryeministri Rama dhe ministri Tahiri, lum akuzash ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj që firmosi pezullimin e kryepolicit Haki Çako

“Luftë” mes pushtetesh në Tiranë. Gjyqtari Arjan Aliaj i cili firmosi një ditë më parë masën për pezullimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako dhe arrestimin per dy vartësit e tij, është venë në shënjestër të akuzave të ashpra nga kreu i qeverisë dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Me më anë të një statusi në facebook kryeministri Edi Rama e ka cilësuar gjyqtarin Aliaj një personazh të zhytur thellë në kënetën e sistemit të drejtësisë. Madje kreu i qeverisë shkon më tej kur e cilëson gjyqtarin Aliaj një killer me pagesë

Edi Rama shkruan: Ky killer me pagesë apo me flamur partie i drejtësisë ka liruar nga burgu të paktën 7 herë njerëz të dënuar për vepra të rënda penale; vrasje, përdhunime, grabitje me armë… Po si mundi të kthehet në detyrë ky lloj personazhi që me vendimet e tij kriminale arriti të vërë në pozitë të vështirë edhe vetë sistemin e korruptuar të drejtësisë?! Kujt i duhej rikthimi nga i ndëshkuar në gjykatës i këtij shkelësi profesionist të ligjit, që ka dhënë të paktën 7 prova se çekiçin e drejtësisë e përdor për t’i shtypur kokën drejtësisë?”

Në të njejtën linjë me kryeministrin ishte edhe ministri i brendshëm Saimir Tahiri. Gjatë ceremonisë me rastin e 1-vjetorit të Komisariatit Dixhital, Tahiri e cilësoi gjyqtarin Aliaj si një të korruptuar i cili gjatë karrierës së tij ka liruar vrasës e përdhunues ne te paket shtate raste ndërkohë që vazhdon ende të gëzojë mbështetje politike edhe pse më herët eshte shkarkuar nga KLD.

Saimir Tahiri: Është një gjyqtar i shkarkuar për korrupsion dhe për mospërmbushje të detyrës. Po për cilin motiv? Ka liruar nga burgu, të paktën 7 herë, njerëz të akuzuar për veprat më të rënda penale. Vrasje të mbetur në tentativë? E ka liruar nga burgu. Marrëdhënie seksuale me dhunë, e ka liruar nga burgu. Vjedhje me armë, e ka liruar nga burgu. E ky gjyqtar u shkarkua. Dhe papritmas, vite më pas kthehet në detyrë. Po i njëjti.
Po si mund të kthehet në detyrë një gjyqtar që liron një përdhunues nga burgu?! Si mund të kthehet në detyrë një gjyqtar që liron një vrasës, apo grabitës me armë, nga burgu?! Si mund të kthehet në detyrë një gjyqtar që ka dhënë prova dhe është shkarkuar pse ka shkelur ligjin me pasoja kaq të rënda?!

Me tone të ashpra, Ministri i Brendshëm sulmoi edhe formulën e vendeve të rezervuara, tepropozuar nga ekspertët ndërkombëtarë e qe eshte vene si kusht nga opozita per votimin e reformës në drejtësi.

Saimir Tahiri: Për të mbajtur peng Reformën në Drejtësi dhe mbi të gjitha Shqipërinë duan “vendet e rezervuara”. Po çfarë janë “vendet e rezervuara”? Për ata që nuk e dinë, e thënë thjesht: janë bunkeri i sigurt ku duan të fusin gjyqtarë alla Aliaj, prokurorë të çdo lloji të qelbur në korrupsion, për t’i mbrojtur e për t’i lënë sërish pjesë e sistemit të drejtësisë. Ky është e thënë më shkoqur “vendi i rezervuar”. Është vend parkimi i rezervuar i të korruptuarve që duan sistemin e drejtësisë. Është bunkeri i të korruptuarve që duan ta mbajnë në sistemin e drejtësisë, për të strehuar të gjithë ata të korruptuar që i kanë shërbyer pushtetit politik. E pikërisht për këtë shkak janë të gatshëm t’i bëjnë qilim që t’u shërbejnë prapë.

Ne mbyllje, Ministri i Brendshëm tha se qeveria do të çrrënjosë këtë sistem të korruptuar gjyqtarësh dhe prokuroresh të cilët po përdoren nga politika.

Gjykata e Tiranës i përgjigjet Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm:  “Aliaj u kthye në detyrë nga Gjykata Kushtetuese”

Gjykata e Tiranës ka reaguar pas akuzave të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe Kryeministrit Edi Rama, për gjyqtarin Arjan Aliaj. Sipas Gjykatës së Tiranës, po kërkohet që të denigrohet një gjyqtar korrekt që është rikthyer në detyrë pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. “Gjyqtari Arjan Aliaj është rikthyer në funksionin e gjyqtarit në këtë gjykatë me Vendimin Nr. 256 dt. 02.12.2009 në zbatim të Vendimit Nr. 11 dt.02.04.2003 të Gjykatës Kushtetuese të RSH. Qasje të tilla denigruese dhe retorika negative ndaj gjyqtarëve dhe gjyqësorit në përgjithësi dëmtojnë rëndë imazhin e gjyqësorit dhe nuk i shërbejnë rritjes së besimit të publikut te gjykatat, forcimit të pavarësisë së gjykatave, forcimit të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës”,- thuhet në njoftimin e Gjykatës. Sipas Gjykatës, ndërhyrja në veprimtarinë e gjykatave ose të gjyqtarëve pa sjell përgjegjësi sipas ligjit.” “Çdo sulm i kësaj natyre është tejet shqetësues, përbën intimidim të trupës gjyqësore dhe ndërhyrje në procesin e rregullt ligjor si dhe shkelje të vetë detyrimeve ligjore e Kushtetuese të funksionarëve të lartë shtetërorë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe gjyqtarët e saj janë të vendosur për zbatimin e ligjit dhe të angazhuar për shtetin ligjor në Shqipëri. Kjo gjykatë në mënyrë të vazhdueshme ka mbështetur iniciativën për një reformë pozitive në gjyqësor dhe vazhdon të kontribuojë  për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri”,- thuhet në njoftim. Gjykata e Tiranës sqaron dhe procedurën e ndjekur nga gjyqtari, pas kërkesës së Prokurorisë. “Ditën e Hënë më dt. 06.06.2016 gjyqtari i kesaj gjykate z.Arjan Aliaj si gjyqtar i gatshëm në ushtrim të detyrimeve të tij ligjore ka shqyrtuar kërkesën me karakter urgjent të organit të akuzës Prokuroria e Rrethit Tiranë me objekt caktimin e masës ndaluese pezullim nga detyra për shtetasin Haki Çako dhe masat shtrënguese “arrest në shtëpi” për shtetasit Artion Duka dhe Entiol Xhelilaj të dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 301 të Kodit Penal të R.SH”,- thuhet në njoftim. Sipas Gjykatës së Tiranës, deklarata e ministrit të Brendshëm,Tahiri sot me dt. 08.06.2016, i cili fyen dhe denigron gjyqtarin Arjan Aliaj vetëm se ky gjyqtar në ushtrim të funksioneve dhe detyrimeve të tij ligjore dhe kushtetuese ka pranuar kërkesën e cituar më lart të organit të Prokurorisë përbën cenim të Pavarësisë dhe Integritetit të Gjykatës dhe gjyqtarit.

Unioni i Gjyqtarëve: Qëndrimet e ministrit intimidojnë gjyqtarët: “ Qëndrimet e Tahirit, të papranueshme”

Unioni i Gjyqtarëve e quan të paprecedentë deklaratën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për gjyqtarin Arjan Aliaj. Përmes një deklarate për median Unioni shpreh shqetësimin e tij të thellë, kur sheh se i njëjti përfaqësues i politikës dhe ekzekutivit në mënyrë të përsëritur, bën deklarata dhe ndërmerr reagime, të cilat nuk kanë për qëllim forcimin e pavarësisë së vendimmarrjes së gjykatave dhe forcimin e parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor.

“Unioni i Gjyqtarëve ka ndjekur me vëmendje deklaratën e paprecedente në media dhe reagimin aspak etik dhe institucional të ministrit të Brendshëm, ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë z. Arjan Aliaj, i cili gjatë ushtrimit të detyrës kushtetuese, me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, ka caktuar ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit masa sigurimi personal në funksion të një procedimi penal të iniciuar prej Prokurorisë”,- thuhet në deklaratë. Ndërsa shton se, “UGJSH mirëpret dhe inkurajon çdo kritikë ndaj gjyqtarëve dhe punës së tyre, kur këto kritika janë brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, të cilat kanë për qëllim t’i shërbejnë rritjes së besimit të publikut tek gjykatat, forcimit të pavarësisë së gjykatave, forcimit të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës”. Në deklaratë theksohet se, qëndrimet e Tahirit kundër gjyqësorit janë të përsëritura. “Unioni shqetësimin e tij të thellë kur sheh se i njëjti përfaqësues i politikës dhe ekzekutivit në mënyrë të përsëritur, bën deklarata dhe ndërmerr reagime, të cilat nuk kanë për qëllim forcimin e pavarësisë së vendimmarrjes së gjykatave dhe forcimin e parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor. UGJSH vëren se përsëritja e sjelljeve të tilla ka intimiduar gjithë trupën gjyqësore dhe e ka vendosur nën një presion sistematik gjatë ushtrimit të detyrës konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, në funksion të garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve”.