Lufta e Dytë Botërore dhe Shqipëria antifashiste

Bardhyl Hazizaj

 Më 9 Maj 1945 plot 73 vjet më parë  iu dha fund konfliktit më të madh i armatosur në historinë e njerëzimit i cili zgjati gjashtë vjet dhe ku u vranë mbi 70 milionë njerëz në nga të dy anët, forcave aleate dhe  Boshtit .Që atëherë kjo datë festohet në mbarë botën si Dita e Fitores mbi fashizmin.

***

Lufta e Dytë Botërore (filloi më 1 shtator 1939 – përfundoi më 2 shtator 1945) është një konflikt ndërkombëtar që shpërtheu 21 vjet pas Luftës së Parë Botërore. Ajo u shtri në tre kontinente dhe në të gjithë oqeanet e botës.

Më 1 shtator 1939, Gjermania sulmoi Poloninë; dhe kjo ditë merret si fillimi i Luftës së Dytë Botërore. Pas Polonisë në maj- qershor 1940 Gjermania pushtoi Holandën, Belgjikën dhe Francën më 14 qershor 1940 .

Në prill të vitit 1941,Gjermania pushtoi territorin e Mbretërisë së Jugosllavisë. Më 22 qershor 1941, Gjermania e Hitlerit  sulmoi befasisht ish-aleatin e saj, Bashkimin Sovjetik.

Në fund të vitit 1941, pas sulmit japonez në Pearl Harbor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u përfshinë në Luftë .

Në fund të vitit 1943, forcat ajrore amerikane nisën një fushatë masive bombardimi në Japoni.

Në verën e vitit 1944, Aleatët Perëndimor zbarkuan në Evropë duke i dhënë goditje vdekjeprurëse ushtrisë hitleriane. Lufta përfundoi në vitin 1945 me kapitullimin e Gjermanisë dhe Japonisë.  Bota do të dilte e shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore duke u shënuar si një nga fatkeqësitë më të mëdha në botë.

Lufta e Dytë Botërore filloi si luftë ndërimperialiste dhe u përfshinë  61 shtete dhe 110 milion njerëz. Kjo luftë i vuri përballë dy aleancat ushtarake :I- Fuqitë e Boshtit, të udhëhequr nga Gjermania dhe II- Aleatët, të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të cilat i vunë të gjitha aftësitë e tyre ekonomike, industriale dhe shkencore në shërbim të përpjekjeve të luftës. Përparimi i fuqive të Boshtit u ndal në vitin 1942, pasi Japonia kishte humbur një numër të betejave detare në Paqësor dhe fuqitë e Boshtit u mundën në Stalingrad dhe Afrikën e Veriut. Në vitin 1943,Italia u pushtua nga Aleatet dhe gjermanët pësuan një sërë humbjesh në Evropën Lindore, këto fitoret bënë që Boshti të humbi iniciativën  në të gjitha frontet. Në vitin 1944, aleatët perëndimorë pushtuan Francën ndërsa  Bashkimi Sovjetik çliroi të gjithë territorin e tij  të pushtuar nga Gjermania .

Gjatë 1944 dhe 1945 Shtetet e Bashkuara shkatërruan  Flotën e Japonisë në ishujt e Paqësorit . Me hyrjen e Ushtrisë së Kuqe në Berlin përfundoi Lufta në Evropë, Gjermania kapitulloi pa kushte më  9  maj 1945. Lufta e Dytë Botërore filloi me armët e lehta të këmbësorisë dhe  përfundoi kur SHBA hodhi dy bomba atomike në qytetet japoneze të Hiroshimës dhe Nagasakit që detyruan  Japoninë të dorëzohet më 15 gusht 1945, duke i dhënë fund luftës në Azi dhe çoi në fitoren e përgjithshme të aleatëve mbi Boshtin. Kjo ishte Lufta më gjakatare në historinë njerëzore.

Shqipëria antifashiste

Lufta e popullit shqiptar filloi me 7 prill 1939 dhe Rritja e vrullshme e LANÇ nën udhëheqjen e PKSH i vuri ne lëvizje gjithë klasat, grupet e rrymat politike në Shqipëri,të cilat u tremben për vdekje sepse e kishin lidhur fatin me pushtuesin dhe shikonin  rrezikun e humbjes se privilegjeve.

Lufta e ANÇl çliroi Shqipërinë përfundimisht nga pushtuesit nazifashistë me 29 nëntor 1944 dhe e renditi Shqipërinë me fitimtarët e koalicionit  Sovjeto -Anglo- Amerikan dhe solli popullin në pushtet! Në Luftën e Dytë Botërore, Shqipëria me një popullsi një milion banorë mobilizoi 70 mijë luftëtarë, prej të cilëve 10 mijë ishin pionierë, 6 mijë ishin gra dhe vajza, të rreshtuara në 24 brigada, 8 divizione , 3 korparmata. Derdhën gjakun për lirinë e popullit e të atdheut 28 mijë dëshmorë, u nderuan me titullin e lartë të Heroit të Popullit 130 partizanë prej të cilëve 24 ishin gra dhe vajza,u plagosën 12.600, u internuan ne kampet e përqendrimit si në Itali e Gjermani dhe u burgosën 10.000 vetë, dhe 35.000 punëtorë kryenin  punë të detyruar. U dogjën dhe u shkatërruan  62.475 shtëpi; u bastisën  21.131 shtëpi; u shkatërruan të gjitha urat mbi lumenjtë;u shkatërruan e dolën jashtë përdorimit portet detare të Shëngjinit, Durrësit, Vlorës dhe Sarandës. U dëmtuan mbi 1 milion kokë bagëti gjedh dhe te imta. U grabitën nga ushtria gjermane  8 miliardë 62 milionë 827 mijë franga ari. Dëmet e shkaktuara nga lufta llogariten në 500 milion franga ari. Në këtë luftë populli shqiptar i shkaktoi këto dëme ushtrive pushtuese: Asgjësoi: 26.594  ushtarë italianë e gjermanë; plagosi  21.455 ushtarë italianë e gjermanë; zuri robër 20.800 ushtare italianë e gjermanë. U shkatërruan 2100 tanke e autoblinda. U kapen dhe u përdorën ne lufte kundër pushtuesve mbi 4000 topa e mortaja të kalibrave të ndryshme,pa llogaritur pushkët dhe automatikët.

Ata që nuk e kuptojnë rëndësinë e Luftës ANÇL nuk e kuptojnë historinë e Shqipërisë. Nuk ka patur asnjë rast gjatë luftës ku pushtuesit gjerman të mos mbështeteshin nga ballistët dhe zogistët. Ballistet dhe legalistët  kanë bashkëpunuar me okupatorin dhe kjo është vërtetuar me dokumente autentikë.

Ushtria Partizane çliroi gjithë Shqipërinë dhe mori pjesë edhe në çlirimin e popujve të Jugosllavisë!  Sot në 73-vjetorin e fitores mbi nazistët ne nderojmë burrat dhe gratë të cilët, ndihmuan në shpëtimin e botës dhe hodhën themelet e paqes. Kjo është një ditë e lavdishme e kombit tonë, një ditë krenarie e kremtimit të madh të ditës së brezit fitues!  Prandaj, ne jemi kundër çdo përpjekjeje për të falsifikuar historinë, rehabilitimin e fashizmit dhe militarizmit. Pas përmbysjes së sistemit në vitin 1991 në Shqipëri politika shqiptare ka tentuar ta mohojë LANÇl  dhe  ta rreshtojnë luftën antifashiste të popullit tonë në krah të okupatorëve, duke e quajtur si Luftë Civile. Sjellja barbare në ditën e 5 majit në Varrezat e Dëshmorëve është një dëshmi e qartë se neofashistët janë gjallë, kanë marrë fuqi dhe duan të kthejnë përmbys historinë.

Le të kujtojmë me këtë rast fjalët e Bertolt Brehtit tek drama “Arturo Ui”:

Barku që e polli fashizmin ende nuk është shterpëzuar!