LSI, takim me të rinjtë në Malësinë e Madhe, prezantohen kandidatët për deputetë

Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim me të rinjtë dhe të rejat në Malësinë e Madhe ku u bë edhe prezantimi i kandidatëve të LSI-së për deputet për Qarkun e Shkodrës.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishte Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, kryesuesi i listës së Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Shkodrës, z.Agron Çela dhe kandidatët Dritan Ylli e Ritvana Rrukaj.

Duke folur përpara të pranishmëve, nënkryetari i LSI-së z. Luan Rama vlerësoi rolin dhe angazhimin e të rinjve të qarkut të Shkodrës në LSI-së duke garantuar vijimin e mbështetjes maksimale ndaj tyre pasi LSI është partia e të rinjve.

Sipas nënkryetarit Luan Rama, Lëvizja Socialiste për Integrim është forca politike që mbështet më shumë rininë pasi rinia është e ardhmja e vendit.

“Lëvizja Socialiste për Integrim është pa dyshim forca politike që ka bërë, që po bën dhe do të bëj më shumë se çdo forcë tjetër politike për rininë. Sepse investon te rinia, që do rininë, do atdheun. Të rinjtë e Shqipërisë kanë tek LSI-ja dhe LRI-ja modelin e angazhimit të të rinjve në të mirë të vetes së tyre, të komunitetit dhe ne të mirë të vendit të tyre. Rinia dhe e gjithë Shqipëria ka nevojë për punë”,- u shpreh z. Luan Rama.