Llalla: Në fundjavë përfundon vetingu për prokurorët kandidatë për KLP dhe anëtarë të KED

Prokuroria e Përgjithshme përfundon në fundjavë rivlerësimi profesional për prokurorët kandidatë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë  dhe anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”. Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, zhvilloi sot një takim me drejtuesit e prokurorive të të gjithë niveleve për të diskutuar mbi ecurinë e procesit të vlerësimit profesional të prokurorëve, në kuadër të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”. “Në takim, Prokurori i Përgjithshëm kërkoi dhe, më tej u ra dakord që, deri në fund të kësaj jave e konkretisht deri më datë 29.09.2017, të përfundojë vlerësimi profesional në kuadër të ligjit të Vetingut për prokurorët kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, si edhe për anëtarët prokurorë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi” thuhet në njoftimin e djeshëm të Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërkohë, në njoftim mësohet se po vijon me intensitet puna për përfundimin e rivlerësimit profesional të prokurorëve në Prokurorinë e Përgjithshme dhe të drejtuesve lokalë të prokurorive në nivel Rrethi dhe Apeli.

Vetingu i prokurorëve

Më tej, procesi vijon me rivlerësimin profesional për të gjithë prokurorët e Republikës së Shqipërisë. Raportet e vlerësimit paraprak profesional do të hartohen nga një komision i posaçëm, i krijuar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe do t’i vihen në dispozicion Komisionit të Vetingut, i cili do të ndjekë procedurat e mëtejshme të përcaktuara në ligj Në bazë të këtij ligji, Prokuroria e Përgjithshme ka detyrimin ligjor që të mbështesë Komisionin e Vetingut për përmbushjen e një prej tre komponentëve të rivlerësimit të prokurorëve, i cili është aspekti profesional. “Raportet e vlerësimit paraprak profesional do të hartohen nga një komision i posaçëm, i krijuar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe do t’i vihen në dispozicion Komisionit të Vetingut, i cili do të ndjekë procedurat e mëtejshme të përcaktuara në ligj”- mbyll njoftimin e saj Prokuroria mbi takimin e djeshëm të kreut të organit të akuzës Adriatik Llalla. Procesi i nisur nga Prokuroria e Përgjithshme është i ngjashëm me atë që nisi Ministria e Brendshme nën drejtimin e Ministrit Fatimir Xhafaj. Ministri Xhafaj, si një nga njerëzit që hartoi reformën në drejtësi, vendosi që në Policinë e Shtetit edhe pse ky institucion nuk është objekt i Vettingut të reformës në drejtësi, të bëhet kontrolli i gjithë oficerëve. Kontrolli nënkupton vlerësimin e aftësive profesionale, por edhe verifikimin e pasurive. Ndërkohë nisma e Prokurorisë së Përgjithshme bëhet vetëm pak javë para nisje së Vettingut zyrtar, duke i paraprirë reformës në drejtësi.