Lëvizje në portofolin e Soros: Ul zotërimet te Apple dhe Snap, blen aksione të Microsoft dhe Amazon

Fondi i investimit të George Soros ka mbyllur pozicionet te Apple dhe Snapchat në tremujorin e kaluar, ndërkohë që ka reduktuar zotërime në gjigantë të tjerë të teknologjisë përfshirë Facebook dhe Twitter.

Fondi i miliarderit, Soros management Fund, shiti 1,700 aksione të Apple dhe 1.55 milionë të Snapchat në tremujorin e tretë. Kjo i mbylli plotësisht zotërimet e fondit mbrojtës në të dy kompanitë, tregojnë formularët e Komisionit të Bursave dhe Letrave me Vlerë në Shtetet e Bashkuara, raporton Scan.

Fondi i George Soros reduktoi gjithashtu zotërimet në Twitter me 5,700 aksione, megjithatë mban ende 18,400 tituj pronësie te gjiganti i mediave sociale.

Investitori shiti gjithashtu 367,262 aksione te rrjeti social Facebook në tremujorin e tretë, por zotëron ende 109,451 aksione.

Megjithatë ka patur edhe blerje në sektorin e teknologjisë. Soros rriti zotërimet te Microsoft me 99,000 aksione dhe te Amazon me 2,500.

Formulari i SEC tregon ndryshimet në zotërime dhe jo komente për arsyen pas këtyre lëvizjeve.

Teknologjia ka patur performancë fantastike këtë vit, megjithatë disa prej emrave të rinj të listuar kanë mbetur mbrapa.

Snapchat ka rënë me 48% që kur ndërmori ofertën publike fillestare në muajin Mars.

Pozicionet e Soros bëjnë kontrast me Warren Buffet, ku kompania e tij Berkshire Hathaway rriti zotërimet te Apple në tremujorin e tretë.