LETRAT PERSONALE/ Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqit: Qeveria e ka falimentin në derë


LETËR – KËMBIM
MUSTAFA KRUJA – LUIGJ GURAKUQI
Confindentielle

Durrës, 6 dhjetor 1919
Fort i dashuni Luigj,
Nuk po dij se nga t’a kap e ku t’a mbaroj! Nji send dij veç: qi s’kam për të mundun me të shkrumë as të dhettën e atyne qi kam në zêmër e në mênd ; se koha tepër e ngushtë e punët shumë të gjata.
Kopien e letrës raportë që kishit pasë dërgue në Helvetië e këndova, ashtu natyrisht edhe dokumentat tjerë qi vijshin bashkë me tê.
A thue kishte me qênë nevoja me t’a përmêndun, përpara se me hymë n’argumentin vetë, se kjo âsht nji letër thjesht e veçantë qi nuk i ep të drejtë kurrkui me dijtun se ç’thotë, përposë atyne, natyrisht, qi mundemi ti edhe un me i futun në zêmrat t’ona?
Hapi sytë pra tashti mirë! Postën t’uej qi pruni Rexhepi e mora un dhe i çova në Këshill n’atë ças kur ky do të çilej edhe e lajmova mbi t’ardhmen e Rexhepit. Lajmi nuk u prit me atê entuziazmë qi ndîejsha un. Por ç’ka? Fillova me këndue raportën, letrën përsjellse përpara. Këshilli ishte i përbamë prej Mufid Beut, Fejzi Beut, Pogës e meje. Pikë së pari filluen ironitë nga ç’do anë. ’do fjalë qi kishte karakter këshilli pritej me nji të qeshun nên mustaqe e me nji lëvizje mërzie e shdurimi. Nuk mbaj mênd se në ç’pikë kishim arrijtun kur njêni prej nesh, Fejzi Beu, kërkoi ndjesë me dalë jashtë, se s’po mund të duronte me ndëgjumë mâ!!!
Duket se ti jo vetëm në sy, por edhe me mijna kilometrash larg s’e ke guximin me i a prishë qejfin kuj as kur âsht nevoja për interesë të Shqipnisë! Nuk do të këshillohej nji punë e tillë nga ana e kryetarit të Dërgatës gati si nji mêndim personal, por drejt për së drejti nga ana e njeriut kompetent do të disponohej me nji shkresë a Z-it Poga ase, ma mirë, Kryetarisë.
Si të thashë pra tashti mblidhemi ditë për ditë dhe, natyrisht, ma shumë bâjmë fjalë se punë. Fjalët qi fliten vetëm 10% munden me i shërbymë argumentit e 90% janë të kota. Shumë herë në mest të bisedimit të nji argumenti me rândësí i a nisim gjygjit e, kur mbarojmë gjygjin ka humbun mâ fija e lâmshit dhe duhet me e fillue nga e para bisedën! Nuk jemi mësumë, nuk dijmë pastaj mjerisht as me kuvêndue këthjelltë, ftillueshëm e me rregull e, edhe nga ky shkak na shkon nji pjesë e madhe e kohës kot. Arringat e z-it Poga mâ të shumën nuk i bien as për kopësht argumentit mbi të cilin sillet biseda. Ai në karierën e vet âsht mâ i madhi juriskonsult roman, por nuk i mjafton kjo nderë e madhe, asht edhe nji enciklopedí e gjallë, nji bibliotekë shëtitëse! Këto janë të vështirat qi lejnë prej trunit të tij, se kurrgjâ e as nji fjalë s’i pëlqen, çdo qi t’i vêshë përpara, çdo fjalë qi t’i thuesh do të gjêjë qortimet e kundrështimet e atij gati.
Të vështira këso kategorie nuk janë të pakta as nga ana e Fejzi Beut. Por t’atija s’lejnë si të Pogës nga idiotia, por nga se âsht shumë i lidhun me interesën. Këtij nuk i mënihem edhe aqë, por vetëm i qaj hallin Shqipnisë, e ndoshta dhe atij vetë. Fejzi Beu, i mësumë, si ç’e din ti vetë, me jetue me mjetet mâ të gjanat e të mirat, me të vetmin fitim të nëpunësisë, s’mund të dënohet sod aqë rreptas pse mendon para çdo sêndi, po, edhe para atdheut rrogën. Kjo nevojë e bân me veprumë me sa faqe të duesh, me u bâmë i mbrêndshëm e i dashëm edhe me tradhtorët e sodshëm qi duken a munden me pasë fuqí a mënyrë me rrëzue qeverinë a qi munden me zânë nesër atê vênd vetë. Kjo nevojë prap e shtyn në nji skllavní kundrejt politikës italiane, kështu qi në çdo bisedim për ndonji hap energjik te italianët gjên kundërshtimet e tij t’arsyeshme e të paarsyeshme. Po ajo nevojë e çon mjerisht me gjuejtë, kur i sheh gjasën, ndonji peshk n’uj të turbullt, dhe prandej i pëlqen e pra mundohet qi uji të rrijë gjithmonë i turbullt, pa u kullue kurrë!

Z. Poga edhe mos pandeh se i lên gjâ mangut Fejzi Beut në frikën e humbjes s’interesës e të selisë.
Sami Beun për mênd e dije e njeh vetë, s’kam se ç’të them. Po të dëftej vetëm qi nji të metë morale qi shokët e sipërtregumë e kanë për mjet, ky nemose e ka për fund : “ambition et manie de passer pour le meilleur patriote”.1 Kjo e fundit, për fat të keq, e ka shtymë dhe e shtyn shumë herë me fymë edhe krejt shokët e vet.
Në bisedimet e Këshillit ai qi flet mâ pa arriere – pensée2 âsht Mufid Beu. Faji i këtij asht mâ shumë i shkakyumë prej tjerësh se i vetishëm. E ky asht mosbesimi qi ka hymë ndërmjet tij e kombtarëve. S’ka kombtar qi të jetë i besueshëm e i dashëm te Mufid Beu, në qoftë se ky nuk do të ketë prova të mëdhaja fort për tê. Por këtê mosbesim, si thashë, e kanë shkaktumë vetë kombtarët qysh më 1913 me kritikat e kafevet e jo Mufid Beu.
Nji qeverí e këtillë “multicolore” e pa asnji homogjení, e si do të mundte vallë me i imponue besim nji populli aqë skeptik e si kishte me qênë e zôja me u bâmë ballë kundërshtimevet e intrigavet t’anmiqvet të mbrêndshëm e të jashtëm e sa të vështirave tjera qi vetë natyra e sendevet i pjell e na i qet përpara? Sod populli i ynë më dypika kryesore interesohet me gjithë shpirt: qetësí e Shqipní. Kur them populli due të kuptoj zânin botor të pjesës së mitun e të ndershme. Deri sod, për fat të keq, s’kemi qênë të zotnit me i u përgjegjun as njênës nga ato dypika. Qetësia gjindet në mâ të vajtueshmin shtat qi mund të jetë. Ndër njiqind vrasa a kapen a s’kapen dy fajtorë. E pse u kapkan ç’duhen? Un qi jam ministër s’kam ndîe deri tash të jetë dënumë kush as për vdekë as me ndonji burgim të gjatë! Sa për pikën e dytë, natyrisht, interesohen mâ tepër ata qi kuptojnë pak a shumë ndonji sênd. Ata duen të dijnë ç’po bâhet e ku jemi. Na as këtê, aq “simple” tue qênë, s’kemi qênë të zotnit me e bâmë. Dërgata Bumçi s’ka dyshim se âsht tregue mâ aktive se Dërgata Turhan në të dhânë lajme qeverisë. Por qeveria s’ka qênë e zôja me i shtypë e përhapë ato në popull. Po përse? Më vjen turp me e thanë, por âsht thjesht e vërtetë, se përveç meje tjetër kush as nuk interesohej, as nuk ishte i zoti t’a bânte. Por sa mund të bâjë nji frymë e vetme? Përveç kësaj, për mos me zgjue e shkaktue unsinë e smirën e shokvet duhet qi të sillem me masë të madhe kur do të përzihem në punët e tyne.
Pra sa do i urtë e me ndîesí të mira t’ishte ky popull domosdo do t’ishte mërzitun prej nji qeverie të këtillë. Shto pastaj edhe intrigat qi s’prâjnë e s’mêjnë ndonjî herë në Shqipní. Edhe Italianët s’po e lânë mêtë fare pjesën qi u përket nga intrigat e hueja në vêndt t’onë, Frengj, Serb e Grekë mâ po dihen. Por rolin mâ të madhin e të bukurin në shqenën e intrigavet të hueja e ka bâmë e âsht tue e bâmë Filipsi.
Tirana âsht bâmë qêndra e intrigavet kombtare e ndërkombtare! Filipsi fort shpesh e viziton këtê qytet të mallkumë. Quartier Géneral-i Kryqit të Kuq (!) amerikan aty âsht. Me gjithë qi asht nji punë e dorës së dytë në këtê kapitull, mbas si i përket dikasterit t’and po të dëftej qi ky Kryq i shêjtë (!) ka hapun edhe nji shkollë në Tiranë, nji shkollë fillore, pa pasun nevojë as me e lajmue fare qeverínë! Kush âsht burrë me u dalë në frymë pastaj patriotvet? Italianët kishin hekun dorë nga të hapunit shkolla në Shqipní. Por efekti i kërkimit të mandatës amerikane për fitimin e mandatës italiane, pa dyshim ka me e dëftye veten edhe në çâshtjen e shkollavet. Duhet t’a dijsh se Amerikanët me Filipsin e Filipsi me de Fortou-hin munden me u quejtun nji trup në Shqipní. Në krye të Kryqit të Kuq amerikan asht nji kolonel shumë i hollë e i zoti.
Ajo qi e bân sod fare kritike situatën e mbrêndëshme e pozicionimin e qeverísë, âsht çâshtja financiare. E kemi “fallimento”-n në derë të shtëpisë. Shpenzimevet të Shtetit mbarë do t’u përgjigjen vetëm të dhetat e tri prefekturave (Durrës, Elbasan, Berat) e dogana e Durrësit dhe as nji burim tjetër. ’munden me mbajtun këto? Janë prishë për nëpunsit e gjindarmët e prefekturës së Shkodrës deri sod treqind mijë franga pa u marrë as nji dhetësh nga ajo anë. Të dhetat e nji vêndi nuk po mjaftojnë as për rrogët e veta e deri Tirana ka fillue qysh tashti me tërhekë të holla nga qêndra, d.m.th. nga dogana! Fejzi Beut i ka pëlqye me i administrue financat e Shqipnísë me dy a tre sekretarë qi ka sjellë prej Shkodre e pra s’ka mundun kurrë me na vue përpara nji pasqyrë të saktë të situatës financiare. Lene qi ligjet nuk dihet ndër ne se kujt i thonë.
Përpara gjithë këtyne të vështirave, gati i paralizuem kryekëput e i pazoti me çue në vend e me vumë në veprim as 10% të dëshiravet e mendimevet qi kam për shpëtimin nga situata kritike në të cilën gjindemi, un shumë herë jam kujtue se si me shpëtue veten e sidomos nderën t’ême nga nji fund ”inevitablement” i vajtueshëm i qeverisë s’onë. Natyrisht përpara konditave të këtilla nuk do të kishte tjetër udhë për mue përveçse me u tërhjekun. Me gjithë qi nuk m’âsht mbushum mêndja edhe premas, të më kishte dalë përpara ndonji shkak i arsyeshëm në vetvete, ndoshta nuk do të kisha ndêjun mâ saktë. Në nji vênd kaqë të vogël ku gjindemi e ndër nji popull kaqë të padijshëm duhet të bâjsh gati dy palë arsyena para se me u hekun: ato të mbrêndshmet e të vërtetat dhe ato të jashtëmet, të përfaqëshmet.
Kaqë, sa me të shkelë për me mos t’ardhun keq as çudë, në qoftë se nji ditë t’afërme kam me të shkrue jo mâ si shok, por vetëm si mik i yt besnik e i përjetëshëm.

* * *
Plaçkat e tuja qi kanë qênë te Çile Serreqi-Baba (e shoqja e nji farë Kol Babe tashti) i mora me nji mijë belà. Më kërkonte tridhetë napolona ar qirà! Por mâ u bâ si u bâ e ajo veçse qiti për fushë faqen e zezë se mâ në fund u shtrëngue me i dhânë pa asnji pare. I kam marrë qe tashti vonë ka nja nji muej. Këto janë: 1) armadio, 2) comodino, 3) nji qylym i madh, 4) ca perde basmje, 5) gjashtë selia, 6) e dokumentat e arsimit. Të gjitha i kishin pasë përdorue e vjetrue. Edhe un po s’jam tue i lânë me ndejun kot! E kështu kur të vijsh të shohim se ç’do të gjêjsh në to!…. Besa po due me qeshë se un po t’i ruej, por më vjen keq se t’i kishin pasë bâmë mjerisht për faqe të zezë. Janë edhe dy perde kadifje në nji vênd tjetër e do sexhade muri e s’dij ç’tjetër mâ te Stef Kaçulini. Këtij s’do t’i a luej se të ka edhe vetë mik e âsht i interesuem me i pasë në kujdes edhe ai sa un.
Nji letër qi më pat çue Emzot Bumçi për nji shkodran, mbas si ky kishte pasë shkue në Vjenë për në Shkollë, i a dërgova të vëllait, Zefit, në Lesh, qi t’i a çojë fëmijës së tij apo kujt t’i a marrë mêndja.
Tash po i nap fund tue marrë ngrykë ty, t’Emzot edhe P. Gjergjin. Shumë të fala m’u thuej edhe Lefit, Mehdi Beut e Berattit edhe kujtdo qit’a dijsh ti se i pret me zêmër. Sido qi e mbylla me të përshëndetuna, tue çue për mêndsh êmnat e atyshëm, m’u kujtue edhe urata Bonati. Po due me ju lajmue, në mos e dini, se edhe në Shkodër qênka nji Beratti të cilin e paskan italianët të tynin, d.m.th….
Kish t’a dij Sulejman Delvina aty âsht edhe? E Shan Tepelena?
I yti me gjithë zêmër
Mustafa Kruja (firma)
A.Q.Sh. Fashikulli 34 Dosja 35 Fletët 336 – 345

MBI TOPTANËT
Marrveshtja ime me Rexhepin e Eshrefin e ka ndërrue 60 % sjelljen e Atdhetarvet, por kësaj mundemi me i shtue edhe nj’a 20% për dobinë t’onë, të cilën do t’u a dijmë për nderë Toptanvet. Kryengritja e Shijakut u a dëfteu fort këthjelltas Atdhetarvet se kush kishte me përfituem nga nji ndryshim qeverie e ç’kishin me rrjedhun prej nji aso pune. Kështu qi sod, atdhetarët e vërtetë me vullnet të mirë kanë mbetun vetëm kritikues, por kundër rrëzimit të qeverís e ndërrimit të Dërgatës, d.m.th. kundër fikjes s’atdheut, në dash!
Sa për tradhtarët (Toptanasit), atyne jemi tue u ndêjun me dr dhâmbvet e me kobure në dorë, sa me u a kufinuem të ligat. Por s’jemi e s’kemi për të qênë, si duket, të zotnit për me i shtypun!
Rexhep Bej Mitrovicën ju a nisëm si “corriere” për shumë punë qi ka me ju a shkoqitë me gojë. Ti këtê e njeh mirë. Siç e din, âsht njeri i ndershëm e patriot (jo nga patriotët e Midhatit), i zoti me i gjykuem punët mâ hollë e objektivisht se shumë shokë të vet…
Sikurse t’a pata thânë edhe mâ nalt, me “Komitetin e Kosovës” mundesh me kuptuem nji sênd ma të gjânë: nji partí, të pa ndonji programë të shkrueme e të caktueme, por qi pak a shumë influencon mbi qarkun “intelektual” të Shqipnís. Në Shkodër mundeshim me pamun qêndrën e kryet e kësaj partie me personat e Hoxha Kadriut, Salihut t’onë, Bedriut, Sejfiut dhe Bajram Fevziut. Rexhep Beu âsht si me thanë përfaqsues i tyne këtu në Durrës, në kryeqytet (!) e gjindet në marredhâna të përditëshme e intime me mue. Un i a kam shkoqitun të tâna veprimet t’ona të përjashtme e të përmbrêndëshme edhe ai mue ato të partís a Komitetit të tyne. Pika mâ me rândësi qi i vên ata në nji farë kundërshtimi me neve asht nji optimizëm i çuditshëm qi kanë për simpatinë e interesimin e Amerikës dhe t’Ingilterrës për çâshtjen t’onë. Për me krijuem këtë optimizëm rrens e fort të dâmshëm kanë shërbyem letrat e Fuadit dhe fjalët (propagandat) e Filipsit. Shpresoj se tashti Rexhepi ka me u lajmue e me u ndriçuem mirë në Paris, e kur të kthehet ka me pasun mêndime mâ realiste. Ase nëse ka ndërruem ndonji sênd mbasi kam dalë un prej Parisi, at’herë ka me qênë “un altro paio di maniche”.
Ju marr n’grykë të gjithvet si vëllazën të dashun e ty po të puth në të dyja faqet.
I yti me zemër
Mustafa Kruja (firma)
A.Q.SH. F.34 D.35 Fl. 334 – 335

PËRGJIGJA E GURAKUQIT
Të dashun miq e vllazën
Z.Z. Kel Kodheli e Mustafë Kruja
në Shkodër
Letrat t’ueja më 26 të mujit qi shkoi mbarojnë të dyja në nji mënyrë, domethânë, tue më treguem zêmrimin t’uej për vonesën t’ime në këto ana. Më vjen keq për helmimin qi keni marrë ju e jo për fjalët qi më thoni, pse e dij se ashprimi i fjalvet t’ueja rrjedh prej dashunís qi keni për mue e prej dëshirit qi keni qi t’i shërbejmë së bashkut atdheut. Ju pastaj nuk i dini as gjendjen e shëndetit t’im as mendimet e mija mbi rrethanat politike të sotshme, sikur dhe un nuk mund t’i dij aqë mirë sa ju nevojat e atdheut të tashme, mbasi ju gjendeni në vend e mund t’i vështroni e mund t’i peshoni mâ mirë se un prej së largu. Ju fola për shëndetin por mos besoni se jam tue vdekun; ndihem shumë mâ mirë, po nuk mund të thom edhe qi të jem shëndoshun fare; po prapë do të ju shtoj se nuk asht vetëm shkaku i shëndetit qi më mban akoma këtu.
Un do të nisem së këtejmi posá të mbarojnë, në nji mënyrë a në nji tjetër, bisedimet italo – jugosllave. Dihet mirë se këto bisedime do të mbyllen për së shpejti dhe, ja nuk do të nxjerrin gjâ në dritë e atëherë do t’ashprohet konflikti, ja do të pjellin nji marrëveshje me të cilën do të marrë fund edhe çâshtja shqiptare. Mbetet edhe nji zgjidhje e tretë: marrëveshja italo – jugosllave tue mbetun e varun çâshtja e Shqipnís.
Sido qi t’u dalë fundi këtyne bisedimeve, Shqipnija, në mbarim të tyne, do të zâjë domosdo nji udhë të re, dhe atëherë do të ketë nevojë për ndihmën e të gjithë shqiptarvet e, ndofta, edhe për t’imen, në qoftë se jam akoma i zoti t’i bâj ndonji shërbim.
Deri më sot nuk kam dashun të vij, jo pse kam pasun frikë nga plumbi i Shqaut, po nga shkaku i shëndetit e për të mos i dhânë shkak askujt qi të formojë dyshime mbi mue.
Dihet mirë se Bumçi, Fishta, Mustafai, un e shumë të tjerë nuk ua kemi pasun kurrë besën Shqevet edhe faktet na nxuerën profetë; por këtë të vërtetë nuk e kanë kuptuem akoma të gjithë e, sikur të kisha ardhun në Shkodër n’ato ditë kur nisi lufta, do të kishin thânë se erdha për t’i shtuem dr zjarrit. Ndryshe do të kishte qênë puna po të kisha ndodhun aty; atëherë më duhej me e bâmun plotësisht detyrën t’ime. A nuk kam të drejtë?
Mos besoni se këtu jam tue e humbun kohën: po merrem me gjiuhën shqipe e po punoj me dëshirë e po më kënaqet shpirti.
Po ju thom pra edhe njiherë se, ndonse më vjen keq qi ju dhashë shkak të zemroheni, prapë nuk më duket t’i kem mungue detyrës përpara atdheut. Më vjen keq mâ fort në qoftë se nuk do të gjej Mustafën në Shkodër.
Ju puth me mall të dy; shëndet atyne qi më kujtojnë.
I jueji
Luigji
(A.Q.SH.Fondi Kolë Marubi, Dosja 20)

http://www.gsh.al/2017/11/16/letrat-personale-mustafa-kruja-luigj-gurakuqit-qeveria-e-ka-falimentin-ne-dere/