Léon Heuzey Honoré Daumet / Dy artistët e Napoleon III në gjurmë të Çezarit në Shqipëri

Nga Luan RAMA
Në ditët e para të prillit të vitit 1861, dy udhëtarë francezë ishin nisur me një mision tepër të veçantë, të ngarkuar vetë nga perandori Napoleoni i III, (Louis Napoléon Buonaparte, nipi i Napoléon-it të madh – 1808-1873): arkeologu Léon Heuzey, anëtar i «Akademisë së Arteve të Bukura» si dhe i «Akademisë së Mbishkrimeve dhe Letërsisë», në Paris, dhe Honoré Daumet, arkitekt e piktor. Ata ishin nisur nga Marseille, në jug të Francës, me një anije të posaçme dhe duke rrahur detet e Mesdheut, ata përshkuan Detin Jon, duke shkuar thellë në Egje, për të mbërritur në Selanik. Që andej, ata morën rrugën për në Maqedoninë antike, drejt Farsale-s, ku ishte zhvilluar beteja e famshme dhe vendimtare midis Cezar-it dhe Pompe-ut, çka do të përfundonte me disfatën e këtij të fundit. Në fakt, pas një beteje të ashpër të «cahortave» ushtarake e legjioneve të dy gjeneralëve të famshëm Cezar dhe Pompeu në Apoloni e Durrës, ushtritë kishin marrë udhën drejt «Via Egnatia» për tu rindeshur pastaj në Maqedoni. Pra misioni i dy shkencëtarëve ishte i qartë: duhej t’i raportonin Napoléon-it të III, që drejtonte Francën në atë kohë, se si ishte zhvilluar kjo betejë e famshme, strategjia e luftës dhe gjetjet arkeologjike që trashëgonte njerëzimi nga kjo epokë.
Gjatë tri muajve vëzhgime e gërmime në qytezat e vjetra, në Pharsale, (Farsale), në Filipopoli, në Palitzia dhe në drejtim të Pelagonisë, (jo larg nga Manastiri i sotëm), Heyzeu mblodhi një material të pasur arkeologjik, mes të cilave bazorelieve e statuja si ajo e Demetrës, (me vello), dhe figurave të tjera të antikitetit: koka të hyjnive, stela funerare, një kokë luani në bronx e plot objekte të tjera. Një muaj ata e kaluan vetëm në Philippe, (qyteti i themeluar nga babai i Aleksandrit të madh), atje ku kishin qënë Brutus dhe Cassius. Në Pelagonia, ai zbuloi dhe nje bazoreliev të dy kalorësve, vëllezërve Dioscure, me të cilët lidhet dhe një nga poemat më të vjetra epike të Ballkanit. Ja pse raporti i tyre në fund të ekspeditës, që ishte e para ekspeditë e perëndimorëve në këto anë, pra Misioni arkeologjik i Maqedonisë, (La Mission archéologique de la Macédoine), mbetet dhe sot si një tekst referencë.  Por mjerisht, siç thotë dhe arkeologu, historiani i Antikitetit dhe miku ynë, Pierre Cabanes, dy shkencëtarët i kaluan anash një prej vëndbanimeve më historike të historisë së Antikitetit të kësaj zone, varreve madhështore të mbretërve të Maqedonisë, Grande Toumba, siç e përcakton Cabanes, (120 metra të gjatë dhe 12 metra të lartë), ku arkeologë të mëvonshëm do të zbulonin sekretet e tij si, varrin e mbretit Filipi II i Maqedonisë, kurorat mbretërore, diademat, relievet në fildish, enët në argjent, madje dhe kockat e mbretit të vdekur. Sidoqoftë, kërkimet në Palatzia, Farsale, etj, ishin për ta një ngjarje e madhe, siç shkruan dhe Heuzey në shënimet e tij. Ai kujton vizatimet e mikut të tij Daumet rreth „kalit të Thesalisë” dhe gëzimin e tyre kur zbulonin skulpturat. „Imagjinoni se ç’gëzim patëm në Farsale kur ishim përballë bazorelievit të „Ekzaltimit të lules”, ku arkaizmi fin i tij, i kujtonte mikut tim mrekullitë italiane të Bottiçelit”.

Pas ekspeditës në Maqedoni, Léon Heuzey morri rrugën drejt Shqipërisë. Ai nuk donte ta humbte rastin tani që po lundronte jo larg brigjeve të Ilirisë dhe të shikonte jo vetëm vëndet ku luftuan legjionarët romakë të Cezar-it, por edhe të vëzhgonte nga afër ato vënde për të cilat shkruanin jo vetëm historianët e mëdhenj antikë si Herodoti, Straboni, Plini, etj, por dhe disa vëzhgues me shije para tij, si Ciriaco de Pizziccoli, i njohur më pas me emrin Cyriaque d’Ancôna; konsulli francez i Janinës, François Pouqueville, apo kapiteni anglez, i dërguar nga mbreti i Anglisë tek Ali Pasha, Martin Leake. Në fakt, asnjëri prej tyre nuk kishte qënë arkeolog, por sidoqoftë, shkrimet e tyre ishin tepër të rëndësishme: shënimet e Ciriacco-s së Ankonës; Udhëtimi në Moré, Greqi dhe Shqipëri, i Pouqueville; si dhe Në Greqinë e veriut, të Martin Leake. Ciriacco de Pizziccoli, e kishte vizituar Apoloninë dy herë rradhazi gjatë jetës së tij, në vitet 1435-1437. «Më 20 qershor 1436, – shkruante ai, – ne mbërritëm në qytetin antik të Apolonisë dhe pamë tempullin e Dianës, me rrënoja të vjetra rrotull saj. Pastaj vazhduam drejt fushave me bar, duke lënë rrugën, në një shteg dhensh… Eshtë itinerari më i mirë drejt Aulona-s (Vlorës)». Ky shkencëtar i Antikitetit dhe i kohrave të Mesjetës njoftonte dhe për mbishkrimet e Gramata-s në brigjet shkëmbore të Karaburunit, të cilat ai i kishte parë nga afër. Kapiteni anglez William Martin Leake, një ndër miqtë e afërt të Ali Pashës, më 1835, shkruante për mbresat që kishte patur nga Apolonia shumë vite më parë «Pamja e jashtme e ndërtesës nuk ka ndonjë gjë piktoreske, por oborri i brëndshëm, i mbushur gjithë rrënoja që dergjen mbi bar, është një pamje tepër prekëse. Kudo syri pikas dëshmi të një kohe të shkuar, një përzjerje të çuditshme mes rrënojave greke, kollonave romake dhe kapiteleve mesjetare …»

Në vendin e shenjtë të Dioskurëve
Pas ankorimit të anijes së tyre në Vlorë, Heuzey dhe Daumet, morën rrugën drejt jugut për të zbuluar një nga vëndet më të përmendura në kohën e luftrave të Cezar-it, për të cilat dhe vetë perandori kishte shkruar në kujtimet e tij. Shënimet e këtij udhëtimi mjaft interesant, Léon Heuzey do t’i botonte pak më vonë në shkrimin e tij «Qyteti i Orikumit dhe vendi i shenjtë i Dioskurëve  në malet Akrokeraune», ku ndër të tjera, për këtë qytet-port, ku Cezari dikur kishte vendosur garnizonin e tij, ai shënonte: «Para udhëtimit tonë në këtë vend, hartat e Greqisë së vjetër, nuk e shënonin saktë pozicionin e qytetit të vogël të Orikumit në brigjet e gjirit të Vlorës, në Epir, pra si një nga stacionet bregdetare më të famshme dhe më të fortifikuarat e Antikitetit. Në atë hartë, ajo vendosej shumë më në lindje, ndërkohë që ajo gjëndej në jug-lindje, në pjesën më të tërhequr të gjirit, midis maleve Akrokeraune dhe lumit Kélyoinos, apo Lumit të Bardhë, siç e quajnë sot. Gjiri, i futur në radën e mbyllur të Vlorës, është vendi i vetëm që mund të ofrojë qëndrimin e mbrojtur të anijeve kundër gjithë erërave. Ky vend quhet nga banorët “Porti i Dukatit” dhe në pjesën më të thellë të tij, quhet “Pasha-Liman”, në kujtim të kapiten-pashës, meqë aty strehoheshin zakonisht flotilet turke, ashtu siç në Oricum-in e vjetër qëndronin anijet romake. Në mesjetë, në Jeriko, siç e quanin atëherë, strehoheshin anijet bizantine apo normande. Pikërisht atje, ne zbuluam në vitin 1861, gjurmët e qytetit antik dhe shënuam të dhënat e ndryshme topografike, çka shpjegojnë emrin e tij të famshëm, gjithashtu dhe si një kantier detar… Shtëpitë formonin atje një vazhdimësi shkallësh koncentrike, secila me rrugë në çdo rreth të tyre dhe me shkallare të shumta që ngjiteshin në të gjitha anët deri në lartësitë e akropolit. Ai vetë është i përbërë nga një mur rrethues, i ndarë me dy pjesë përmes një muri të brëndshëm. Në majë ishte një shapelë e rrënuar, ku dhe vetë shenjti ishte harruar, çka shënonte dhe sheshin qëndror të tempullit të qytetit. Ky pozicion i krijuar nga natyra si një lloj vizatimi, i përgjigjet katërcipërisht, asaj ç’kemi mësuar mbi Orikumin dhe pikërisht përshkrimi shumë i saktë, dhënë nga Julius Cesar mbi këtë strehim bregdetar në brigjet e Epirit… Por nga koha e Perandorisë Romake shihen ende gjurmët madhështore të “rhéteur”-it Herode Atticus, i cili e ringriti këtë qytet me shpenzimet e tij… Pjesa më e egër e maleve Akrokeraune na bëri të mundur të shohim mbishkrime të shumta…”1

Drejt “Magna urbs et gravis”
Pas udhëtimit në Orikum, të hipur në mushka dhe të shoqëruar nga një drogman dhe përfaqësues të pashait të Vlorës, Heuzey dhe Daumet u nisën drejt Apolonisë së Ilirisë. Vallë mbërritën që atë mbrëmje? Këtë nuk e dimë. Por sidoqoftë ata do të qëndronin veç pak kohë. Brënda një dite u duhej të bënin vëzhgimet e rastit dhe të vizatonin gjetjet arkeologjike, të cilat në atë periudhë, siç dëshmojnë ata, nuk ishin të pakta. Kapitele, statuja, kollona të mëdha, dergjeshin në një qetësi mortore. Vëndi ishte larg rrugëve të rrahura, pra askush nuk interesohej për to. Megjithatë, kur shohin një shtyllë të madhe në të dalë të qytezës, një shtyllë çka mbetej nga një tempull i madh, ata u informuan se shtyllat e tjera të tempullit ishin thyer dhe ishin marrë për ndërtimet e sarajeve të pashallarëve, një vit më parë.
Heuzey ishte në atë kohë një nga njohësit më të mirë të Antikitetit grek dhe kjo eksperiencë ishte padyshim shprehje e inteligjencës së tij, ku kishte spikatur që në bangot e liceut Charlemagne në Rue d’Ulm, në Paris. Që andej ai ishte formuar në Shkollën Franceze të Athinës, (L’Ecole Française d’Athènes), nga ku kalonin gjithë ata që merreshin me antikitetin grek. Por ai kishte një shpirt shkencëtari dhe artisti njëkohësisht, duke kërkuar të deshifronte madhështinë e artit dhe të shpirtit grek. «Artistët grekë, – shkruante ai, – nuk rreshtën së frymëzuari nga jeta familjare dhe kur ata gjenin motive të gëzueshme, u pëlqente që t’i përcillnin ato përmes një arti të madh, duke i ngritur vlerat e tyre gjer në vlera heroike e hyjnore, larg çdo lloj vulgariteti…» Heuzey ishte i pari nga studjuesit e Antikitetit grek e romak që veshjen antike, për të cilën bëri mjaft studime të publikuara në botimet më prestigjioze, i demostronte me njerëz të veshur, hipur në një lloj skene, për të treguar kështu virtuozitetin dhe diversitetin e veshjeve të një egjiptiani të kohës së faraonëve, të një asiriani, të një ushtari grek, një legjionari apo senatori romak.
Kur mbërritën në Apoloni, takimi i parë i Léon Heuzey-it dhe i Honoré Daumet, ishte me murgjit e manastirit të Shën Marisë, siç do ta përshkruajë dhe Heuzey në raportin e tij, murgj, të cilët e rrethuan me shumë përkujdesje. Vizitorët e huaj ishin tepër të rrallë në këtë vënd dhe ata shihnin tek francezët, mbrojtësit e vëndeve të tyre të kultit, të kishave e manastireve që edhe pse të përgjumura në atë periudhë të errët otomane, ato mbijetonin ende. Në kishën e vjetër të Shën Marisë, të shekullit XIII, ata panë me kureshtje një afresk të perandorit bizantin Androniku II dhe të familjes së «basileus»-it të Konstantinopojës, por edhe plot objekte antike që ishin përdorur në zbukurimin e kishës. Duke hedhur sytë mbi kapitelet, bazorelievet, kokat e mermerta të Athinasë, apo skulpturat prej mermeri kushtuar Apolonit dhe hyjnive të tjera, ky ansambël arkeologjik i dha Heuzey-it një lloj përshtypje se ç’farë kishte ndodhur në atë qytet antik, të braktisur me përmbytjen e portit dhe nga termetet që e shkatërruan pothuaj gjithë qytetin. Për Apoloninë e Ilirisë, (meqë në kohën antike kishte disa qytete të quajtura Apoloni të shpërndara këto nëpër Ballkan), Plutarku apo Apiani jepnin plot të dhëna. Diodore i Siçilisë, tregonte «për Kasandrën që zbarkoi në Apoloni me një pjesë të ushtrisë që ta rrethonte, meqë ata ishin bashkuar me ilirianët dhe kishin përzënë garnizonin e tyre. Por banorët i bënë ballë luftës, sepse ishin më superiorë. Meqë humbi shumë ushtarë, Kasandra u kthye në Maqedoni…
Murgjit e Apolonisë dhe Nymfeu që heshti…
Në Apoloni, murgjit e atjeshëm i treguan Heuzey-it dhe Daumet-it edhe për ekzistencën e një Nymfeu, (Nymphaeum), i cili lidhej me legjenda tepër të vjetra e që vinin që larg nga bota antike. Në fakt, kishte qënë Herodoti, ai që tregonte pikërisht për Nymfeu-n e Apolonisë, ku toka nxirrte parreshtur nga nëntoka shatërvanë zjarri e avujsh që nuk shuheshin. Madje i folën dhe për historinë e bariut Evenios, e cila ishte përcjellur nga njëri brez në tjetrin: “Në Apoloni kishte bagëti që i ishin kushtuar diellit. Çdo vit, një nga banorët e zgjedhur, natën ruante bagëtitë. Por një natë, kur ishte roje Evenios, ujqit kishin ardhur në vathë dhe kishin coptuar 60 prej tyre. Atëherë, prijësit e Apolonisë, bariut Evenios i krryen sytë. Mirëpo bagëtia filloi të shkretohej dhe tokat të mos prodhojnë më. Njerëzit shkuan te orakujt e Dodonës dhe të Delfit dhe u ankuan për këtë. Orakujt u thanë se kjo kishte ndodhur, pasi ata i kishin kërryer sytë Evenios. Pra ata duhej të kënaqnin dëshirat e tij në mënyrë që ai vend të bëhej sërrish i shenjtë. Njëri nga prijësit e atij vëndi u ul një ditë pranë Evenios së verbuar dhe e pyeti si rastësisht se çfarë do të donte në këtë jetë. Evenios i foli atij për toka dhe shtëpinë më të bukur të qytetit. Atëherë ata ia dhanë ato dhe që atëherë, vendi u bë përsëri i shenjtë.”
Lidhur me vëzhgimet e asaj dite, Honoré Daumet, pati kohë veçse sa të skiconte disa nga bazorelievet dhe kokat e mrekullueshme të gjetura aty. Heuzey u mahnit nga shtylla e vetme që kishte mbetur nga Tempulli i Dianës. «Eshtë e vetmja shtyllë greke që gjëndet në vënd dhe në gjithë zonën e madhe mbi veri të Athinës… Përsa i përket akropolit, vendosja e tij është e konturuar nga muret mbajtëse dhe nga disa tarraca në një pllajë të kultivuar, e cila me ekstremitetin lokal të kodrinës krijon një pikë dominuese nga ku kemi një pamje të gjërë mbi të gjithë pllajën midis dy lumenjve si dhe mbi detin më larg. Pak më poshtë është një platformë ku është vendosur manastiri i Pojanit, që ruan ende emrin disi të ndryshuar të Apolonisë së vjetër të Ilirisë».
Krahas Daumet, edhe Heuzey vizatonte me laps atë që më vonë do të jetë një lloj gravure e një vëndbanimi të hershëm antik. Në hyrje të raportit të misionit të tij, dorëzuar Napoleonit të III, Heuzey kishte shkruar: « Sir… Duke zbritur në rrafshinat e Turqisë qëndrore, përmes Via Egnatia ne gjetëm më pas në bregun e Adriatikut, dy qytete antike të dorës së parë. Në sajë të një pozicioni të shkëlqyer, përballë Perandorisë, dhe në kryqëzimin e rrugëve ushtarake që lidhin kryeqytetin e Perandorisë në komunikimin me Orientin, Apolonia e Dyrrachium kanë gëzuar një fat me zgjerimin e pushtimit romak. Sot, megjithë gjëndjen e shpërndarë të rrënojave, secila nga këto qytete ruan ende një karakter të veçantë, që i përgjigjet roleve të ndryshme që ato kanë luajtur gjatë historisë. Sot, megjithë gjendjen e shpërndarë të rrënojave, secili nga këto qytete ruan ende një karakter të veçantë, që i përgjigjet roleve të ndryshme që kanë luajtur gjatë historisë…

Heuzey ishte një shkencëtar me përvojë dhe nuhatje të thellë profesionale, dhe shqiptarët i kishte njohur që në udhëtimin e tij të parë në Ballkan, në Thesali, në vitin 1858, atëherë kur shqiptarët e shoqëronin si roje, (në fillim 12 shqiptarë e pastaj një i vetëm), gjatë udhëtimit të tij për në Larisa e në Meteorë, siç kujtonte ai në shënimet e udhëtimit që i botoi në Paris nën titullin Excursion dans la Thessalie turque en 1858, (Eskursion në Thesalinë turke më 1858). Madje i sëmurë nga ethet, ai kishte qëndruar diku në një fshat arvanitasish, ku i bëri përshtypje, që ndryshe nga turqit, shqiptarët, me kostumet e tyre karakteristike, i mbanin gratë pranë tyre dhe nuk i largonin kur vinin të huajt. Ishte gruaja dhe dy vajzat e shqiptarit që u përkujdesën për të. Më 21 qershor të atij viti, nga Lamia ai kishte mbërritur në Derveni-Furka, në kufirin me Greqinë, në anën tjetër, siç shkruante ai, ishte shefi i Postës, Hasim Aga i famshëm, një shqiptar me kostum kombëtar, në cep të një kazerme të shkatëruar, ky luftëtar që tri vjet më parë kishte luftuar kundër malazezëve. Në Damasi atë e shoqëronte një shqiptar që quhej Muria, “i quajtur kështu në mënyrë romantike, por emri i tij në të vërtetë ishte Omer”. Dhe tani, përsëri shqiptarët ishin ata që po e prisnin me aq bujari në Apoloni. Por Heuzey atë ditë nxitonte. Ai duhej të vëzhgonte sa më shumë, edhe pse dëshira ia kishte që të ndalonte gjatë dhe të hidhte kazmën e parë të arkeologut, çka bëri dhe në Maqedoninë antike, në Philippe e Farsale.
«Rrënojat e Apolonisë, – do të shënonte ai nga ky qëndrim i shkurtër, – paraqesin imazhin e një qyteze që gjatë gjithë antikitetit i ka ruajtur traditat e jetës helenike, madje edhe gjatë pushtimit romak. Kur vëzhgojmë objektet që janë grupuar në vëndin e dikurshëm të akropolit dhe që formojnë në manastirin e Pojanit një muze të vërtetë, ndjejmë një gëzim të veçantë të gjëndemi këtu si në Greqi. Megjithatë, këto fragmente të grumbulluara pothuaj nga njëzet ndërtime të ndryshme, kanë gjurmët e një stili më pak të ashpër sesa monumentet e shekullit të Perikliut: një «antefix» në mermer që paraqiste dy valltare të përqafuara nga përdredhja e një palme, ishte ndoshta shëmbulli më i shkëlqyer i artit grek «të zbukuruar», që nuk habitemi ta gjejmë gjithashtu në një koloni të Korintit. Në shumë fragmente dorike dhe veçanërisht në kokën e një luani që ka rënë nga korniza e një tempulli, duken gjethet dhe ornamentet korintase që pleksen me ornamentet gjeometrike. Një «atlant» prej guri,(trupi i një gjigandi që mban një tempull, L.R.), i cili ka mbajtur arkitraun e ndonjë portiku, mjerisht shumë i dëmtuar, është një dëshmi tjetër e pasurisë së një popullsie të zhvilluar, veçanërisht në ndërtimet publike. Ne gjetëm gjithashtu dhe kokën e një gruaje me shami, por vetëm bukuria e kësaj koke mjafton për të treguar se asnjë nga artet e Greqisë antike nuk degjeneroi në duart e kolonëve të Korintit në këto brigje të largëta të Ilirisë. Apolonia dhe porti afër tij, Oricum, gjurmët e të cilit unë i gjeta, ishte për ne fundi i këtij udhëtimi…»

Gjatë udhëtimit nëpër Maqedoni e Shqipëri, miku i tij Honoré Daumet2 hodhi në letër figura të shumta të asaj bote të vjetër që shfaqej para tyre: statuja, kollona, shapitelë, buste e koka të mrekullueshme mermeri, shprehje të një arti të madh. Për Heuzey-n udhëtimi me të ishte jo vetëm një kënaqësi, por dhe një ndihmesë e jashtëzakonshme. Ata ishin njohur disa vite më parë, kur Daumet ishte në Romë, në Shkollën Franceze të Romës, ku kishte fituar një bursë studimesh, („Prix de Rome”) dhe restauronte njëkohësisht vilën e famshme „Villa Hadrien”. Ato vite Daumet kishte punuar si arkitekt për zgjerimin e fasadës perëndimore të „Pallatit të Drejtësisë” në Paris, një vepër e njohur arkitekturale. Pra, nga arkitektët e rinj, ai ishte një nga talentet më premtuese dhe ja pse Heuzey kishte zgjedhur pikërisht atë që ta shoqëronte gjatë atij misioni të vështirë. Gjatë këtij udhëtimi nëpër Shqipëri, ishte arkitekti Daumet që do t’i shikonte mbishkrimet në Gramata të Karaburunit, buzë detit, për të cilat kishte shkruar që në shekullin e XVI kronisti Ciriaco di Ancona. “I kisha kërkuar zotit Daumet, – kujtonte Heuzey, – të shkonte në anën e pasme të maleve që binin mbi det, në gjirin e vogël të Gramata-s, atje ku Cyriaque d’Ancone kishte kopjuar tashmë në greqisht dhe latinisht disa dedikime për nder të Dioskurëve, (Kyriacus Annicotanus, Epigrammata riperta per Illyriacum, p.19, Epistolae, III.1824). Me ndihmën e një varke, z. Daumet preku gjirin e vogël në një të futur ku kishte rërë, rrethuar aty nga shkëmbenj, vend i cili, nga ana malore iu duk pa dalje. Por ajo çarje shkëmbore ofronte një vend të mrekullueshëm shpëtimi në rast stuhie kundër shkëmbenjve që binin thikë mbi det. Atje, në dy vende të faqeve shkëmbore prej kalkeri, kishte mbi njëmijë mbishkrime që në greqisht justifikonin emrin “åéò Ãñáììáôá”, dhe që na kujtojnë emrat e vizitorëve të shumtë që rastësia e udhëtimit në det i kishte sjellë në këtë vënd të shkretuar. Atje ata janë zbavitur dhe kanë shkruar mbi shkëmb, duke dëshmuar ndjenjat e tyre fetare, në këtë strehë të krijuar si mrekullisht kundër rreziqeve më të mëdha… Por mjerisht, koha i kishte fshirë mbishkrimet mbi shkëmb, duke e bërë leximin e tyre pothuaj të padeshifrueshëm. Ato mbishkrime të rralla që kopjoi, Daumet mendoi se vetëm ato mund të shënonte lehtësisht dhe që i përkisnin periudhave të ndryshme. Mbishkrimet e Cyriaque, janë “proscynèmes”, pra për nder të Dioskurëve, zotërve-shpëtues, mbrojtësve të anijeve dhe të marinarëve. Por udhëtarët, në evokimet e tyre në këto mbishkrime, nuk mendonin vetëm për veten: shpesh, përpara hyjnive, ata luteshin në emër të një apo disa familjarëve të tyre, apo njerëzve që i kishin ngarkuar të bënin për ta atë akt përkushtimi fetar, duke shkruar e gërvishtur mbi gur emrin e tyre… Duket se vendi i Dioskurëve të maleve Akrokeraune, “Dioscoureion”, nuk kishte vetëm vizitat e rastësishme të marinarëve në fatkeqësi, por ai ishte kthyer në një vend të vërtetë pelegrinazhi. Zoti Daumet ka parë një faqe shkëmbore dhe një gurore ku nxirreshin gurë, të ngjashëm me ato të gjetura në shumë nga antikitetet e Dyrrachium dhe të Apolonisë. Vështirësia e transportimit nga toka, përmes maleve të Epirit, bëri që banorët t’i gjenin e merrnin gurët më mirë në faqet shkëmbore anës detit. Më pas, unë pikasa atë çka kisha vënë re në gurët e Filipopolis, në Maqedoni. Përkushtimi kristian i kishte zëvëndësuar këto formula e simbole dhe përkushtimet e paganëve. Një numur i madh mbishkrimesh mbanin tashmë kryqe dhe pikërisht në të njëjtën faqe shkëmbore, ku ishin bërë mbishkrimet për Diorskurët. Ata luteshin për ndihmën e Zotit. Një mbishkrim i datës 1367, tregonte në greqisht emrin e perandorit Joan Paleologut I, i cili mbretëroi  nga viti 1356 deri në vitin 1391. Viti 1367, është pikërisht viti kur ai ndërmorri udhëtimin detar drejt Venedikut e Italisë me shpresën e kotë që edhe pse pranonte nga halli të konvertohej në katolik, ta nxiste Papën Urban V që ta ndihmonte në mbrojtjen e perandorisë së tij që po pushtohej tashmë nga turqit. Sigurisht, ai mund të ketë kaluar këndej dhe ndalur në gjirin e vogël të Gramata-s. Një tekst në gjuhën vulgare, (popullore), tregon gjithashtu për zakonin shqiptar të të bërit “vllam”. Mbishkrimet vazhdojnë gjer në kohra të afërta me ne, ku më të fundit janë ato të një viti më parë se udhëtimi ynë, pra të vitit 1860. Siç e dimë tashmë, atje ka një ansambël monumentesh, ku udhëtari që do të kishte kohë t’i studionte shkëmbenjtë e Gramata-s, do të bënte të njohura gjëra shumë interesante…”
Informacioni i dhënë nga Heuzey, veçanërisht për mbishkrimin në gjuhën vulgare, d.m.th. shqiptare, është mjaft interesant, për më tepër që flet për një zakon të vjetër të „vllaznisë”, përmes pirjes së gjakut. Por mjerisht, ashtu si shumë mbishkrime akoma më të vjetra, koha do t’i fshinte këto mesazhe lënë nga dora dhe shpirti  njerëzor.

Demetra
Busti i një gruaje me vello mbi kokë tërhoqi vëmndjen e veçantë të Heuzey-it. Ajo ishte ndryshe nga të tjerat dhe në shprehinë e saj kishte një dhimbje të madhe. Eshtë hynesha Demetra.3 Në fakt këtë skulpturë e kishte ndeshur më parë kapiteni anglez Martin Leake, i cili kishte vizituar Apoloninë dhe manastirin e Shën Maria-s në shtator të vitit 1805. Në shënimet e tij ai shkruante për një «Bust gruaje me vellon e hedhur mbi flokë e që pastaj i kalonte në gjoks. Siç thonë murgjit, ky bust ishte i përsosur, derisa disa ushtarë të Beratit, menduan se ishte i përshtatshëm për tu argëtuar, duke e goditur me mushqetat e tyre, gjë që i shkatërroi hundën e mjekrën…» Pikërisht kjo skulpturë, kishte mbijetuar gjer ditën që kishte ardhur Heuzey. Ja çfarë do të shkruante ndër të tjera më vonë Heuzey rreth kësaj skulpture që gjeti në Apoloni në studimin e tij të njohur Kërkime mbi tipin e Demetre-s së mbuluar me vello në artin grek, skulpturë të cilën ai e morri me vete dhe e solli në muzeun e Louvre-it:  «Monumenti që na shërben si pikënisje në këtë studim është gruaja me vello, në mermer, një fragment i një statuje greke të gjetur në Apoloninë e Epirit dhe që unë e solla në Louvre. Së pari, ajo që e bën këtë kokë të Apolonisë të denjë për t’i kushtuar një vëmëndje të veçantë, është qëndrimi i saj i rëndë, por njëherësh, i trishtë e i ëmbël, çka e dallon nga disa lidhje me idealin pagan… Dhe kjo është veçse hyjnia Demetre, ku kulti dhe legjenda, si diçka thelbësore, qëndrojnë në imazhin tragjik të një hyjnie në zi. Në himnin homerik, vello mbi kokë, ishte mbi të gjitha shenjë e dhimbjes dhe e trishtit të zymtë që ajo donte ta fshihte nga vështrimet e të gjallëve. Ne shohim se në legjendën dhe misteret e saj, skulptura kërkonte të krijonte një keqardhje për fatkeqësitë e hyjnisë, e dërmuar nga lodhja dhe e dobësuar nga uria e dhimbja. Dhe kjo duket si në vizatimin e vazos antike të Poniatowski-t, ku hyjnesha shfaqet në krah të karros së Triptoleme-ut, por e shohim dhe në një statujë të Demetre-s me vello në muzeun e Londrës apo në Muzeun e Louvre-s, ku busti paraqet pikërisht një hyjni me vello në kokë, e njëllojtë për nga zymtësia fetare me kokën e gjetur në Apoloni…»
Heuzey na kujton se këtë vepër e kishte parë dhe anglezi Martin Leake gjatë udhëtimit të tij në Apoloni, i cili në ditarin e tij kishte shkruar për “bustin e një gruaje me vellon e hedhur mbi flokë e që pastaj i shkon nën gjoks”. “Ky bust, thonë murgjit, ishte i përsosur, gjersa disa ushtarë të Beratit menduan një ditë se ai ishte i përshtatshëm për tu argëtuar, çka i shkaktoi hundën e mjekrën, duke e qëlluar atë me mushqetat e tyre”.
Duke u larguar nga Apolonia, Heuzey vështronte sërrish tutje nga horizonti, andej nga kishin kaluar trupat e Pompe-ut. Gjenerali romak, pasi kishte shkelur në Orikum, në portin e lashtë të gjirit të Valonës, (Vlorës), në 29 nëntor të vitit 49 para erës sonë, ishte nisur drejt Dyrrachium-it. Pjesën tjetër të ushtrisë gjigande, ngarkuar në 500-600 anije, e kishte nisur nën drejtimin e Calpurnius, armikut të betuar të Cezar-it, 50 mijë ushtarë, të inkuadruar në 6 legjione të mëdha, shkelnin tokën e Ilirisë. Pastaj, ishin trupat e Cezar-it që do të niseshin po nga Brindizi drejt brigjeve shqiptare, për të nisur betejën e famshme kundër Pompeu-t.

Në «Tavernën e Adriatikut» të
kthyer në një fshat të humbur
Një etapë interesante, edhe pse e shkurtër, ishte ndalesa e dy shkencëtarëve francezë në Durrës. Majë kodrinës së qytetit, Heuzey hidhte vështrimin mbi ultësirën përreth dhe imagjinonte madhështinë e asaj beteje që kishte ndodhur në këtë vënd, një nga më tronditëset, pas asaj të Robert Guiscard-it dhe birit të tij Bohemund, në vitet 1081 e më pas më 1105. Këtu, në atë që quhej «Taverna e Adriatikut» nga Catulle, (prostitutat gëlonin në atë kohë dhe Dyrrachium-i ishte bërë i famshëm edhe për këtë), në fundin e mijëvjeçarit, para erës sonë, Ciceroni, ishte fshehur kur iku fshehurazi nga Roma, meqë kishte kundërshtuar Cezar-in. Këtu ishin vendosur dhe prisnin legjionet dhe «cahortat» e Pompe-ut me rreth 50 mijë ushtarë të mbrojtur në hekur. Po këtu nisi legjionet e tij Cezar-i me Marcus Antonius, duke rrethuar gjeneralin kundërshtar në Dyrrachium, duke prerë gjithë furnizimet e qytetit me ujë, edhe pse Pompe-u tentoi të dalë disa herë, gjersa më së fundi e kishte çarë dhe rrethimin. Ato ditë të fundit të prillit të vitit 48 para erës sonë, fusha përballë qytetit, ishte mbushur me mijra të vrarë dhe kuaj të dergjur. Dyrrachium ra në duart e Cezar-it, por jo Pompe-u, të cilin ai do të duhej ta ndiqte pas.
«Në Dyrrachium, si dhe në Philippes, gjëndet ngado kujtimi i Romës, – shkruante Heuzey, në raportin e tij drejtuar Napoléon-it të III. – Vendosja e racës së pushtuesve pothuaj i ka zhdukur tërësisht gjurmët më të vjetra. Një stelë funerare, fragmenti i një bazorelievi dhe emërtimi Epidamnus, një mbishkrim latin i një periudhe të largët, që tregojnë për një kalorës romak, prefektin e përhershëm të kolezhit të puntorëve ndërtues, janë të vetmet gjetje të qytetit grek, i cili ishte dhe shkaku i Luftës së Peloponezit. Ndërsa në të kundërtën, gjetjet romake tregojnë muralin e një fortese të Durrësit, duke u gërshetuar me stemat napolitane e normande. Edhe disa pjesë skulpture e të arkitekturës, duken se i përkasin një epoke të afërt me atë të Republikës romake. Mund të përmenden veçanërisht dhe luftëtarë, pamja e të cilëve i bën të admirueshme, pavarësisht nga ekzekutimi jo me finesë e siç duhet. Shumë fragmente, pjesë ndërtimesh të ndryshme, japin idenë e madhështisë së ndërtimeve të bëra në Dyrrachium nga romakët. Murali turk ka ende pjesët kryesore të një «Harku Triumfi». Mbishkrimet flasin gjithashtu për një akuaduk, të ndërtuar nga perandori Hadrian dhe një bibliotekë të ngritur në kohën e Trajanit. Asnjë pjesë e këtyre ndërtimeve nuk ka mbetur në këmbë. Madje nuk gjënden as gjurmët e rrethimit antik. Atje, u morra gjithashtu dhe me rilevimin e fortifikimeve bizantine, të cilat ishin shumë më të shpërndara se murali modern turk, dhe kjo për të dhënë idenë e gjëndjes dhe të zhvillimit të kësaj qëndre të madhe të Perandorisë, e cila ka ruajtur gjer në mes të Mesjetës, një rol të një rëndësie të parë…»
Në Durrës, Daumet kishte skicuar muret rrethuese të qytetit antik, të cilat janë ende të plota. Pra shkatërrimi i tyre nuk ka filluar ende. Ishin muret e ringritura në kohën e perandorit Anastas I, i cili sipas leksikografit Suidas, ishte me origjinë nga Durrësi dhe kishte hipur në fron në vitin 491. Muret rrethuese të Durrësit ai i kishte përforcuar disa herë, meqë tërmetet në atë zone ishin të shpeshta. “Muret e Anastasit I, – shkruante Heuzey, – krijuan thelbin e mbrojtjes së Durrësit gjatë gjithë Mesjetës. Këto fortifikime dhe rindërtimi i torrave, u pështatën në mënyrë perfekte me ato të kohës së Justinianit si dhe karakterin roman të mureve rrethuese me tulla byzantine”.

Statujat vdesin gjithashtu…
Eshtë muaji nëntor i vitit 1861. Me tu kthyer në brigjet e Adriatikut, hipur në anijen “La Biche”, pas një mungese prej dhjetë muajsh nga kryeqyteti francez, Heuzey dhe Daumet, morrën udhën drejt Korfuzit. Kur lexon librin e Heuzey-it rreth misionit të tij arkeologjik në Ballkan, e kupton se qytezat arkeologjike të Apolonisë e të Durrësit, edhe pse të braktisura në harresë dhe të lëna pas dore nga otomanët, ishin ende të pasura me objekte të mrekullueshme: kapitele, koka, mbishkrime, bazorelieve, vepra që dëshmonin artin e madh të epokave helenike e romake në këto troje ilire që fshihte “tumat” e vjetra autoktone. Por çdo të ndodhte më vonë?  Vetëm pesëdhjetë apo shtetëdhjetë vjet më vonë, gjëndja do të ndryshonte në mënyrë të jashtëzakonshme. Brenda kaq pak vjetësh, bejlerët shqiptarë dhe guvernatorët turq, shkatërruan e zhdukën në mënyrë barbare gjithçka ishte e mundur të merrej nga këto site arkeologjike. Pashallarët dhe bejlerët dallkaukë i përdornin gurët e kapiteleve për gëlqere, apo ndërtonin sarajet e tyre, duke i përdorur për themelet e shtëpive. Gurët transportoheshin me karroca nga Apolonia drejt Beratit, që ishte qëndra më e afërt. Në Apoloni, vetëm një vit para se të zbarkonte atje arkeologu tjetër franco-zviceran Alfred Gilliéron, (16 korrik 1876), ishte shkatërruar tempulli i famshëm i Dianës në dalje të qytezës, duke lënë në këmbë veçse një shtyllë. Fshati që do të krijohej më vonë aty do të quhej fshati “Shtyllas”, siç quhet edhe sot. Le të imagjinojmë një çast shkatërrimin e një tempulli të tillë, që sot do të ishte një nga objektet më të bukura në Shqipëri, ku brënda pak kohësh, shtyllat mbajtëse të tempullit, rrëzoheshin një e nga një, për të ndërtuar ca saraje të rëndomta. Po kështu ndodhte dhe në Durrës. Muret e vjetra bizantine rrënoheshin dita ditës, aq sa kur Léon Rey do të mbërrinte në Durrës në vitin 1924, kur kishte parë se po prishej përfundimisht muri bizantin i kohës së Anastasit të I-rë, menjëherë i kërkoi qeverisë shqiptare ndalimin e “masakrës”, pasi ai mur ishte dëshmia e vetme e fortifikimeve bizantine të atij lloji në Evropë. Rey e gjeti Apoloninë të mbuluar nga shkurret, ku veç ca mure qëndronin ende në këmbë si dhe disa objekte që ruheshin në manastirin e Pojanit. Pothuaj gjithçka ishte zhdukur. Dhe kjo gjatë më shumë se gjysmë shekulli.
Nëse Heuzey dhe arkeologë të tjerë të huaj, disa gjetje arkeologjike të siteve antike shqiptare i çuan në muzeumet e mëdha të metropoleve, në Paris, Londër, Romë, Vjenë, etj, nuk të vjen keq, kur mendon se po të kishin qënë ashtu në fushë të hapët, ato mund të kishin përfunduar në saraje pashallarësh, apo në gropat e gëlqereve për tu zhdukur njëherë e përgjithmonë. Pas udhëtimit në Maqedoni dhe Shqipëri, Léon Heuzey do të merrej me botimin e studimeve të bëra. Shënimet e tij ishin të shumta nga hulumtimet e bëra nëpër Greqi, të cilën e kishte rrahur nga të katër anët, nga ishujt e Qefallonisë e gjer në ishujt e Egjeut, pranë brigjeve të Turqisë. Duke u caktuar përgjegjësi, apo konservetor i Musée du Louvre, tashmë ai do të ishte një “arkeolog kabineti”, i cili do të udhëzonte e drejtonte ekipe arkeologësh të tjerë për zbulime të reja, siç ndodhi dhe me ekipin e arkeologëve të kryesuar nga Ernest de Sarzec, për të cilët flitet në historinë e arkeologjisë. Njihet gjithashtu bashkëpunimi i Heuzey-t me shkrimtarin e famshëm Gustave Flaubert. Në romanin e tij Salambo, Flaubert shfrytëzoi pjesën më të madhe të shënimeve të Heuzey-t për të dhënë atmosferën përreth personazheve të tij.  Heuzey ishte aq i mahnitur nga jeta e “qytezës greke” (“la cité grecque”), dhe nga poemat homerike, saqë në leksionet e tij me studentët mbi historinë dhe antikitetet, thoshte se “Gjithë arti grek ka lindur nën ehon dhe zhurmat e këngëve të Homerit”. Botimet e Heuzey-it nuk rreshtën dhe ai u bë një nga zërat më të fuqishëm të arkeologjisë franceze e evropiane. Të tilla ishin botimet si, Histoire du costume antique, Découvertes en Chaldée, Le mont Olympe et l’Acarnanie, Un palais grec en Macédoine: etude sur l’architecture antique, etj, si dhe një numër i pafund artikujsh në revistat më në zë të kohës si në Revue archéologique, Gazette archéologique, Revue d’assyriologie, Comptes rendus de l’Académie des Inscriptions et des Belles-Lettres, etj.

Shënime
4 Orikumi ka qënë porti kryesor i fisit ilir të Amantëve. Në shekullin e I-rë Orikumi ishte një shesh beteje mes Ilirisë, Romës dhe Maqedonisë. Pas shkatërimeve në luftrat mes Cezarit e Pompeut, në shekullin e I-rë pas erës sonë u ndërtua një teatër dhe në shekullin e II-të, ishte Herod Atticus ai që e rindërtoi qytetin. Dy shekuj më vonë u ndërtua Akropoli. Në kohën bizantine qyteti quhej Jericho, mesa duket nga hebrejtë që banonin aty.
2 Pierre Jérôme Honoré Daumet, (1826-1911). Pas misionit me Heuzey-n, Daumet punoi për rikonstruksionin e kështjellës Chantilly të Henri d’Orléans, për Basilique de Sacre-Cœur të Montmartre-s, restaurimin e teatrit në Orange, restaurimin e kështjellës së vjetër të Saint-Germain-en-Lay, etj.
3 Një nga dymbëdhjetë hyjneshat e Olimpit, e cila përfaqëson simbolin e «Tokës-mëmë», por dhe të bujqësisë dhe të korrave. Ishte e bija e Cronos dhe Rhéa-s, të cilën romakët e quajtën Cérès.

Milosao