Kuvendi i PD/ Lulzim Basha: Gabova! I shtrij dorën e pajtimit gjithësecilit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga Kuvendi Kombëtar i kësaj force politike ka ftuar të gjithë demokratët dhe gjithë qytetarët që të bashkohen për të ndryshuar situatën në të cilën ndodhet vendi. Duke bërë përgjegjës kryeministrin Rama për gjendjen e vështirë ekonomike të qytetarëve, mungesën e sigurisë, dhe të shpresës, Basha tha se politika i ka zhgënjyer qytetarët.

Teksa deklaroi se “ata kanë dështuar në qeverisje, por edhe ne nuk ia dolëm që të çonim deri në fund reagimin tonë”, Basha tha se tashmë janë të gatshëm për të nisur një aksion për rrëzimin e qeverisë.

“Unë i kam pranuar gabimet e mia. Por gjithçka e kam bërë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve. Jam i vetëdijsheëm për gabimet e mia, i ndikuar nga rrethanat. Kam dëgjuar kritikat tuaja, dhe kam marrë mbështetjen tuaja. Kam bindjen se duke mësuar nga gabimet do ta forcojmë PD”, u shpreh Basha.

“Nga ky Kuvend i madh dua t’i shtrij dorën gjithsecilit që dëshiron të kontribojë dhe të bashkohet me ne për t’i kthyer këtij vendi shpresën dhe besimin tek e nesërmja. Dora ime do të mbetet e shtrirë jo për pazare as për të bërë fotografi por që së bashku të ndërtojmë rrugën tonë drejt suksesit. Qeverisja e Edi Ramës është kriminale. Eshtë qeveri hajdute. Mashtruese. Eshtë qeveri e një grushti njerëzish. Eshtë anti-popullore. Eshtë një kastë që shërben vetëm interesat e saj. Në Shqipëri Edi Rama ka instaluar një qeveri private ku vendos vetëm ai. Kuksianët janë në burg. Dritan Zagani është në mërgim. Saimir Tahiri është në parlament. Tahiri është i lirë, edhe pse është ministri i brendshëm më i implikuar në krim në gjithë historinë e Europës. Nuk është kuvendi, nuk është qeveria, nuk janë institucionet shtetërore që bëjnë politika dhe vendosin politikat e vendit. Është Edi Rama me një grusht klientësh, dhe në ortakëri me krimin. Çdo minutë oligarkët e Ramës marrin mijëra euro nga paratë tona përmes konçesioneve, kontratave dhe favoreve direkte nga buxheti i shtetit. Pengmarrësit e kësaj qeverisje janë Gjiknuri, Veliaj, Dako i bandave të Durrësit, Qazim Sejdini me bandat e tij të heroinës. Pengmarrësit e socialistëve janë Balilajt dhe Habilajt, janë oligarkët dhe klientët e Edi Ramës. Simboli më i turpshëm i kësaj qeverisje, është ai që i lidh të gjithë këta bashkë”, deklaroi Basha.