Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, pritet të drejtohet në sencën e parë të saj nga deputeti Sali Berisha

Seanca e parë e Kuvendit të ri, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, sipas rregullores do të çelet nga deputeti më i vjetër i Parlamentit, që në këtë rast është ish-kryeministri, Sali Berisha. Drejtuesi i përkohshëm i seancës do të ngrejë një sekretariat prej tre deputetësh, të cilët do bëjnë verifikimin formal të mandateve duke paraqitur një raport. Pas verifikimit të mandateve, 140 deputetët do të bëjnë betimin në seancë. Sipas Kushtetutës, mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Ligji themeltar i shtetit sanksionon (neni 67), se Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati. Kujtojmë se në vitin 2013, pas humbjes së zgjedhjeve, Berisha e refuzoi hapjen e legjislaturës, ç’ka detyroi socialistin Namik Dokle, si deputetin më të vjetër në moshë pas tij, të ishte drejtues i seancës. Nuk dihet nëse Berisha do ta refuzojë edhe kësaj here drejtimin e seancës së parë Kuvendit, i ndarë kësaj here me 74 deputetë të PS, 43 të PD, 19 të LSI, 3 PDIU dhe Tom Doshin. Sa i përket përbërjes së Parlamentit të ri nga 140 mandate të legjislaturës së 9-të, në kuvend do të ulen 53 deputetë për herë të parë në radhët e karrigeve të Parlamentit. Rezultati përfundimtar tashmë është mbyllur dhe partia fituese është PS-ja me 74 mandate deputetësh, PD-ja në 43, ndërsa LSI-ja arriti të merrte 19 mandate. PDIU, po ashtu është penalizuar në rezultat, duke marrë 3 mandate deputetësh. LSI-ja ishte partia që futi në listë shumë kandidatë nga radhët e të rinjve për nga mosha.

Partia Socialiste- 26 deputetë të rinj

Nga 18 fitues në qarkun e Tiranës me numër mandatesh më të lartë PS-ja ka vetëm dy emra që do të futen për herë të parë në Parlament. E para është kryesusja e listës së kandidatëve dhe ish-zv.ministrja e Brendshme, Ogerta Manastirliu. Në qarkun e Durrësit janë katër emra të rinj të PS-së që do të ulen për herë të parë në sallë: Ilir Ndraxhi, Roland Xhelilaj, Jurgis Çyrbja dhe Rrahman Rraja. Nga qarku i Elbasanit ku PS-ja fitoi 7 mandate, do të ulen për herë të parë dy deputetë: Arben Kamami dhe Nuri Belba. Nga qarku i Korçës, PS-ja fitoi 6 mandate, nga të cilat çon për herë të parë në Parlament, ish-drejtoreshën e Doganave, Elisa Spiropali. Një tjetër deputete është Edlira Bode dhe Ilir Xhakolli. Ndërsa në qarkun e Fierit, që për PS-në ka qenë një hambar votash, dy emra nga 10 mandate do të ulen për herë të parë në Parlament: Tatiana Piro dhe Xhevit Bushaj. Në qarkun Vlorë janë katër emra të rinj nga 8 deputetë të fituar: Vilma Bello, Alket Hyseni, Vullnet Sinaj dhe Fatmir Velaj. Qarku i Shkodrës ku PS-ja ka marrë 4 mandate, dy janë deputetë që janë zgjedhur për herë të parë: Senida Mesi dhe Luan Harusha.

Partia Demokratike-20 emra të rinj

Nga 43 mandate që ka marrë e djathta në këto zgjedhje, 20 prej tyre do të hynë për herë të parë në Parlament. Kështu, nga 11 mandate që PD-ja siguroi nga qarku Tiranë, tre janë mandate që shkojnë për deputet të rinj në kuvend: Orjola Pampuri, Rudina Hajdari dhe Grida Duma. Nga lista e qarkut Korçë do të ulen për herë të parë në radhët e demokratëve të katër mandatet e fituara në këtë qark: Valentina Duka, Ervin Salianji, Hekuran Hoxhalli dhe Klevis Balliu. Edhe qarku Shkodër do të ul emra të rinj në parlament: Romeo Gurakuqi, Izmira Ulqinaku, Lorenc Luka, dhe Bardh Spahia.  Në qarkun e Elbasanit ku PD-ja pësoi një disfatë e vërtetë, Endri Hasa është zgjedhur për herë të parë deputet. Në Fier PD-ja arriti të marrë katër mandate, ku një i takon edhe Luan Baçi, që do të ulet si deputet i ri. Nga qarku i Vlorës, ku PD-ja nuk mundi të siguronte mandatin e Arben Ristain dhe të Dashamir Tahri, do të ulë në kuvend, dy deputetë të rinj: Agron Shehaj dhe Nadire Meçorapaj. Nga qarku i Lezhës në Parlament hyjnë Andon Frrokaj dhe Lindita Metaliaj. Nga qarku Dibër, PD-ja ka fituar dy mandate, atë të deputetes aktuale, Dhurata Çupi dhe mandatin e deputetit të ri, Xhemal Gjunkshi. Në Kukës ku PD-ja fitoi, përveç Flamur Nokës do të ul në kuvend edhe Isuf Çelaj.

Emrat nga LSI dhe PDIU

Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë 5 emra që do të ulen për herë të parë në parlament, ndërsa PDIU nga tre mandate të siguara, ka dy deputet të rinj. Flodia Kërpaçi është kryetare e LRI-së dhe e renditur e katërta në listë dhe Endrit Brahimllari, i cili është edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Një deputete e re do të jetë dhe Nora Malaj, e cila ka mbajtur disa poste në nivel zv.ministrash. Zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj është zgjedhur deputete nga votat e qytetarëve të qarkut Durrës. Një emër tjetër që nuk ka qenë në parlament është Shezai Rrokaj, aktualisht kryetar i grupit të këshilltarëve të LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Rrokaj u zgjodh nga vota e qytetarëve të Vlorës. Në Lezhë LSI-ja ka arritur të marrë një mandate atë të Viktor Tushaj. Ndërsa nga radhët e PDIU-së janë dy deputetë që do të ulen për herë të parë në parlament. Ajo është deputetja e re, Reme Lala e zgjedhur në qarkun Dibër dhe biznesmeni Bujar Muça, i vendosur në dyti pas Aqif Rakipit, në qarkun e Elbasanit.