Kush përfiton dhe sa, nga vendimi i qeverisë për rritjen e pensioneve të trajtuar me ligjin e vjetër

“Vendimi i qeverisë për rritjen e pensioneve dy ditë më parë është në vijim të angazhimit tonë për rritjen e përfitimeve nga sigurimet shoqërore, bazuar në rezultatet e parashikuara të reformës spektakolare që është ndërmarrë për pensionet në vendin tonë”. Kjo deklaratë u bë dje nga ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, lidhur me VKM-në e fundit të qeverisë për ngushtimin e diferencës së pensioneve. “E dimë që nga ne pritet më shumë, e dimë që nga rritja e përfitimeve do të duhet të ishte edhe më e madhe dhe po ashtu e dimë që ka kategori, të cilat realisht presin që të ketë rritje të mëdha. Por të gjitha këto do duhet të realizohen në kuadër të një reforme të plotë, të gjitha këto do të realizohen në kuadër të një pune të palodhur, për të pasur një skemë të sigurime shoqërore të bazuar në parime krejt të reja, në krahasim me ato çfarë gjetëm. Nuk do duhet të harrojmë për asnjë çast, gjendjen në të cilën e gjetëm skemën e mbështetjes së sigurimeve shoqërore, vetëm disa kohë më parë”, shtoi ai. Duke risjellë në vë,endje të publikut se pardje, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për ngushtimin e diferencave të pensioneve, me anë të të cilit rriten pensionet për disa mijëra pensionistë. Pensione që janë caktuar gjatë viteve 1994-1996. Këta pensionistë, për vite të tëra kanë marrë pensione më të ulëta nga pjesa tjetër, edhe pse kanë qenë në kushte të njëjta pune. “Arsyet kanë qenë të ndryshme, por kryesore kanë qenë neglizhenca e amullia që mbizotëronte sistemin e vjetër të pensioneve; indeksimi i pabarabartë i masës së pensioneve prioritare dhe rritjes së pensioneve të ulëta, si dhe fakti që ligji i pensioneve që nga viti 1993 ndryshoi në mënyrë drastike mënyrën e përllogaritjes së masës së pensionit.Në vitet 1994-1995, pensionet e plota të pleqërisë ishin në nivel minimal dhe zinin 63% të skemës së pensioneve. Është punuar shumë me Institutin e Sigurimeve Shoqërore, për të evidentuar të gjitha ato grupe që nuk kanë përfituar në mënyrë të barabartë nga skema e kontributit të sigurimeve shoqërore”, sqaroi mes të tjerash Klosi.

“Efektet financiare të rritjes së  pensioneve, 3.2 miliardë lekë”

Efektet financiare të kësaj përllogaritjeje, vetëm në 6 muajt e mbetur të vitit 2016 shkojnë në vlerën e 324.1 milionë lekë [apo 3 miliardë e 244 milionë lekë të vjetra. “Efektet financiare do të përballohen të gjitha nga rezultatet pozitive që ka skema e mbështetjes së kontributeve të pensioneve pranë ISSH për këtë vit dhe për vitin e kaluar. Ky rezultat pozitiv vjen nga zbatimi me sukses i reformës së pensioneve, që ka krijuar mundësinë të rriten pensionet, të rregullohen të gjithë gabimet e së shkuarës dhe të krijohet një bazë shumë solide për rritjen e pensioneve në të ardhmen”, tha mes të tjerash ministri Klosi. Duke sqaruar se vetëm muajin e kaluar, si pasojë e kësaj reforme dhe këtij kontributi , përfshirë të gjithë ata që janë shtuar në skemën e kontributeve, qeveria e parlamenti fali detyrimet për 6500 ish ushtarakë, në vlerën 1.4 miliardë lekë të reja. “Po ashtu morëm ligjin për uljen e moshës së pensionit për minatorët, duke përfituar 8800 persona, me efekt financiar mbi 400 milionë lekë.
Për vitin e kaluar, për here të parë u bë indeksimi ligjor i pensioneve, ku përfituan 630 mijë pensionistë. Këto dhe shumë masa të tjera, të realizuara dhe në proces, lidhen me angazhimin serioz të qeverisë dhe strukturave ekzekutive për reformën në sistemin e sigurimeve shoqërore”, tha mes të tjerash ai.

Personat që do të  përfitojnë janë:

Personat që janë trajtuar me ligjin e vjetër të sigurimeve shoqërore, të përcaktuara sipas pikës 31, 32 të ligjit të vitit 1993 “Për sigurimet shoqërore”, të cilët kanë dalë në pension në vitet 1993-1996, të cilët kanë pasur pensione të asaj kohe, 5% më të ulëta se pensionet e tjera.

 Do të vlerësohen pensionet për vjetërsi shërbimi për ish ushtarakët, të caktuara në bazë të nenit 40 të ligjit 4171 të vitit 1996 “Për sigurimet shoqërore të Republikës së Shqipërisë”. 

Pensionet e pleqërisë së punonjësve të nëntokës që ishin në marrëdhënie pune deri në vitet ‘95-të dhe kishin plotësuar periudhën e sigurimeve, pavarësisht nga mosha dhe kërkesat e tyre. Edhe ata përfitonin një masë më të ulët pensioni, sa ajo që përfitojnë të tjerët e po të njëjtit nivel.

 Pensionet e ish punonjësve, gra në arsim e në kulturë, të cilat dolën në pension të parakohshëm deri në vitin 1994 dhe kishin plotësuar jo më pak se 22 vite e 6 muaj, përfituan pension pleqërie vetëm 60% të pagës së asaj kohe, duke qenë dhe këto të disbalancuar në përfitimet që realizoheshin.

 Ndaj, nga vendimi i djeshëm i Këshillit të Ministrave përfitojnë përllogaritje, plot 19 655 persona nga të cilët, 10355 persona të dalë në pension pleqërie në harkun kohor 1993-1996, me një shumë mesatare prej 8400 lekë në muaj ( të vjetra) 

Përftojnë 500 ish ushtarakë, me një shumë mesatare prej 5000 lekë në muaj

 Përftojnë 8800 minatorë dhe arsimtarë, që kanë kaluar tashmë në pension të plotë pleqërie, me një shtesë mesatare që arrin deri në vlerën e 40 mijë lekë të vjetra në muaj.