Kush ishte Klementit XI, shqiptari i famshëm i historisë së Papatit, Gjon Françesk Albani, siç u thirr në Pagëzim, lindi më 23 korrik 1649

Më 23 korrik kujtojmë përvjetorin e lindjes së Papës me origjinë shqiptare, Klementit XI. Gjon Françesk Albani, siç u thirr në Pagëzim, lindi më 23 korrik 1649 në Urbino të Italisë. Si kreu shkollimin e plotë në Romë, falë aftësive të tij, ngjiti shumë shpejt shkallët e karrierës kishtare: së pari si sekretar i kanonikëve (1687), më pas si kardinal (1690) e së fundi si i 261-ti pasardhës i Shën Pjetrit (23 nëntor 1700). Pati një papni të trazuar nga konflikti i vazhdueshëm ndërmjet Francës e Perandorisë spanjolle, që krijoi rrezikun e një sulmi të armatosur kundër papatit. Përballoi me urtësi këtë konflikt e të tjerë, që u krijuan pas Traktateve të Utrehtit, të Ratsadit e të Badenit (1712- 1714) ku u caktuan normat për ndarjen e Evropës. Më pas iu desh të përballonte një rrezik tjetër: atë të pushtimit turk.

Radio Vatikani shkruan se ai dha një kontribut të shquar në fushën teologjike, duke luftuar herezitë e kohës; në fushën kanonike e liturgjike, duke kontribuar për përkryerjen e riteve lindore të kinezëve e malabaritëve; në fushën e misionit, duke dendësuar veprimtarinë misionare në Mesdheun Perëndimor, Persi, Indi e Kinë.

Krenar për prejardhjen e tij shqiptare, u interesua nga afër për fatet e vendit të të parëve. Emri i papës Albani mbeti në historinë e Shqipërisë si për organizimin e Kuvendit të Arbënit (1703) e për botimin e Akteve të tij në shqip e latinisht, vepër me rëndësi të dorës së parë për traditën tonë letrare, ashtu edhe për kontributin që dha në përhapjen e gjuhës e të kulturës në trojet shqiptare. I dha kështu Dheut të të Parëve ndihmesën e tij të çmuar për të hedhur hapin e parë drejt rilindjes shpirtërore e kombëtare të popullit, që rënkonte në errësirën e thellë të pushtimit, një rreze drite, që t’ia ndriçonte shtegun drejt lirisë. Kjo rreze, si shumë të tjera më pas, nisej nga Froni i Shën Pjetrit, ku në atë kohë qe ulur Gjon Françesk Albani.