Kush ishin emigrantët shqiptarë të Amerikës që dhanë para për shpëtimin e Shqipërisë?

Shqiptarët kanë nisur të emigrojnë që në shekullin e 19-të drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në fillim të shekullit të 20-të ata do të organizoheshin në rreth 150 shoqëri të cilat do të jepnin kontribut në organizimin e jetesës së emigrantëve shqiptarë, duke ndjekur shembullin e komuniteteve të tjera si ai italian apo grek. Në vitin 1912, do të formohej federata “Vatra” që do të bashkonte në një organizëm të vetëm këto organizata.

Lidhja e fortë që emigrantët mbanin me vendlindjen do të bënte që roli i tyre të ishte i rëndësishëm si në aspektin ekonomik ashtu edhe politik. Dërgesat e emigrantëve për familjarët e tyre do të luanin një rol të rëndësishëm, ashtu sikurse edhe kërkesa e emigrantëve për ushqime (p.sh djath) do të bënte që edhe eksportet të ishin në masë të konsiderueshme. Po ashtu, emigrantët shqiptarë do të merrnin pjesë aktive në blerjen e huasë së parë që shteti shqiptar do të emetonte në prill të vitit 1920.

Në pamundësi për të siguruar ndonjë kredi nga jashtë, shteti shqiptar i sapodalë nga Lufta e parë Botërore do t’i drejtohej popullit me një hua të brendshme për 2 milion franga ari, me interes vjetor 5 % . Këtij apeli do t’i përgjigjeshin edhe emigrantët shqiptarë të Amerikës dhe sidomos anëtarët e Vatrës.

“Dita e shpëtimit të Shqipërisë”

Nga ana tjetër, emigrantët do të luanin një rol të rëndësishëm edhe politik duke ndikuar në bisedimet që bëheshin për kufijtë e Shqipërisë. Për këtë qëllim, u vendos që të krijohej Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë dhe të mobilizoheshin donacione për krijimin e një fondi 40 mijë dollarë për të mbështetur këtë qëllim.

Komisioni i Vatrës do mblidhej në maj të 1917 për të përcaktuar të dielën e 3 qershorit e vitit 1917 si Ditën e shpëtimit të Shqipërisë. Komisioni do të miratonte njëzëri vendimin me disa pika:

-Të caktohet e diela e 3 qershorit si Dita e Shpëtimit të Shqipërisë për të mbledhur shumën prej 40.000 dollarësh të këshilluar prej doktor Mihal Turtullit.

-Të ftohen të gjitha degët e federatës me anëtarët e tyre të gjitha shoqëritë shqiptare të veçanta dhe të gjitha shoqëritë fetare kombëtare dhe të gjithë shqiptarët që të japin ndihmën e tyre sa më të madhe për shpëtimin e atdheut. Të ftohen gazetat dhe revistat shqipe që të bashkëpunojnë për të mbaruar këtë vepër e cila do të nderojë në sytë e botës dhe në sytë e Shqipërisë atdhetarët e Amerikës dhe do t’u japë një vend në historinë e Përlindjes Kombëtare

-T’u lutemi atdhetarëve tanë të ndihmojnë me shumë mbi 10 dollarë nëse duam që të mblidhet shuma e këshilluar prej doktor Turtullit dhe të bëhet një punë vërtetë serioze dhe me rëndësi.

Veç anës organizative, pika kryesore e programit me të cilin do të organizohej dhe do të vepronte Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë ishte “të sigurojë një Shqipëri me kufijtë e saj etnografike në Konferencën e Paqes dhe pas paqes të organizojë një parti kombëtare për të mbrojtur atdheun nga antikombëtarët dhe reaksionarët e brendshëm”.

Donacioni i parë dhe më i lartë do të ishte ai i Mihal Turtullit me 1000 dollarë. Thirrjes për të kontribuar do t’i përgjigjeshin mijëra emigrantë shqiptarë. Lista e mëposhtme, që sjell portali ekonomik SCAN është publikuar në “Kalendari i Vatrës”, botim i Federata Pan-Shqiptare Vatra në vitin 1918 dhe përmban emrat e të gjithë emigrantëve shqiptarë në Amerikë sëbashku me shumën e dhuruar për këtë qëllim dhe zonën e tyre të banimit.