Kush ishin arbërit dhe Arbëria, në kohën e Mesjetës së vonshme dhe Kohës së Re në një libër

Shqiptarët duhet të dinë më shumë lidhur me historinë e tyre si dhe me praninë e tyre të vazhdueshme në hapësirën europiane. Pas disa sprovave mbi këtë temë si dhe monografisë për Skënderbeun, studiuesi i njohur ka promovuar dje në mjediset e Akademisë së Shkencave punimin 240 faqesh me titull “Shqipëria dhe shqiptarët në Europën e Piut II”

Në studimin historiko – kulturor “Shqipëria dhe shqiptarët në Europën e Piut II”, sillet për lexuesin dhe publikun e gjerë një nga figurat e shquara të humanizmit evropian, Enea Silvio Piçolomini apo Papa Piu II, që aktualizoi konceptin Europë, si bashkësi gjeografike, historike dhe kulturore. Ky është në fakt edhe shqetësimi që sjell autori, mosngatërrimi i konceptit të Europës me atë të Bashkimit Europian. Për autorin ky studim cilësohet si një dashuri e heshtur për të cilën mendja ka nisur të punojë,  paralelisht në kohën kur hulumtonte për të nxjerr në dritë studimin “Skënderbeu”. Libri interpreton sipas dokumenteve të kohës pozicionin ndërkombëtar të arbërit dhe Arbërisë, në kohën e Mesjetës së vonshme dhe Kohës së Re.

Në “Parafjalën” e librit të studiuesit Plasari lexojmë: “Karta europiane e identitetit e shqiptarëve”: edhe kështu mund të titullohej ky libër për nga rëndësia kulturore-historike që paraqet pozicioni i Arbërisë dhe i arbërve në veprën e Enea Silvio Piccolominit, veçan te De Europa e tij, por edhe në pjesën tjetër të saj. Përfshirja në Europën e tij si e pjesës së saj perëndimore, ashtu edhe e asaj lindore, – çfarë e zhdukte tendosjen e dikurshme mes Lindjes dhe Perëndimit si pa baza reale gjeografike, historike, kulturore, – i mundësoi vizionit politik të Piut II t’ua pohonte sa arbërve, aq edhe Arbërisë vendin e tyre në konstruksionin e Europës humaniste. Nga studiuesit e historisë europiane të shqiptarëve kjo situatë pothuajse nuk është vënë re”. “55”