Kush është shkodranja, Senida Mesi, zv/Kryeministrja e re e qeverisë “Rama 2”

Emri i 40 vjeçares nuk është i dëgjuar për publikun, ndaj më poshtë mund të njiheni më gjerësisht me formimin e Zv.Kryeministres së re shqiptare. Senida Mesi lindur dhe banuese në Shkodër, më 16 Dhjetor 1977. Ajo është e martuar me Dr. Artanin dhe kanë 3 fëmijë, Erlind, Iris dhe Edan. Znj. Mesi ka përfunduar suksesshëm në 2009 Masterin Ekzekutiv në Frankfurt, Gjermani, për Financë dhe Bankë. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Administrim-Biznes, në vitin 2000.

Në vitin 2013 certifikohet Kontabël i Miratuar dhe në 2016 certifikohet në lidership dhe qeverisje nga Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike, financuar nga BE. Znj. Senida Mesi ka hyrë në politikë në vitin 2015, kur edhe u bë Anëtare e Këshillit Bashkiak Shkodër. Ajo ka një eksperiencë 17 vjeçare si drejtuese në sistemin bankar dhe është eksperte në fushën e ekonomisë dhe financës, njëkohësisht lektore e jashtme në Fakultetin Ekonomik.

Një konsulente biznesi, e cila eksperiencën e saj ia ka kushtuar zhvillimit të biznesit. Aktualisht administratore në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.

Ajo është trajnuar në fusha të ndryshme, si ato bankingut, burimeve njerëzore, administrimit, manaxhimit të riskut, kredidhënies, zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, sipërmarrjes, lidershipit, financave publike, qeverisjes vendore dhe zhvillimit ekonomik lokal.

Folëse në Konferencen Ndërkombëtare të EFSE (Fondi Europian për Europën Juglindore për Zhvillimin e SME-ve) dhe pjesëmarrëse në Forumin Botëror për Demokraci në Strasburg. Znj. Mesi zotëron gjuhën angleze dhe italiane.

***

Senida Mesi do të jetë zv/Kryeministrja e re e qeverisë “Rama 2”. Emërimi i saj u deklarua sot publikisht nga vetë Rama, i cili prezantoi ministrat e rinj të kabinetit qeveritar.

Senida Mesi është nga Shkodra dhe gjatë dy viteve të fundit ka përfaqësuar Partinë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Shkodrës dhe në zgjedhjet e 25 qershorit 2017 u zgjodh deputete në këtë qark. Ajo është me profesion financiere dhe ka lënë sistemin bankar për të hyrë në politikë.

Në 30 Maj, disa javë përpara zgjedhjeve parlamentare, Senida Mesi ishte e ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në Tv Klan si kandidate për deputete me PS-në. Jo vetëm që u zgjodh, por Rama tashmë e ka emëruar zv/Kryeministre të qeverisë së tij. Në studion e “Opinion”, Senida Mesi paralajmëroi në njëfarë mënyre se do të mbante detyrë të rëndësishme nëse Partia Socialiste fitonte zgjedhjet.

E pyetur nga gazetari Fevziu nëse e ndjen veten politikane, ajo u përgjigj: “Nuk mund ta quaj veten politikane, sepse jam marrë me politika lokale. Politikat lokale ndryshojnë shumë nga politikat qendrore, më besoni. Më pëlqen shumë politika lokale, kam dhënë maksimumin aty ku isha. Ndoshta është momenti të kontribuoj diçka më shumë në politikën qëndrore”.

Është pikërisht ky pohim i Senida Mesit, e cila rreth 3 muaj para ditës së sotme kërkonte dhe paralajmëronte për të marrë më shumë përgjegjësi në qeverisjen qendrore, dhe kështu ndodhi. Ajo tashmë është zv/Kryeministrja e qeverisë Rama II për 4 vitet e ardhshme.

Senida Mesi: Unë vij nga një eksperiencë e gjatë në sistemin bankar ku kam qenë ekonomiste, financiere. Kam mbaruar administrim biznes në Universitetin e Tiranës. Kam punuar mbi 15-16 vite në sistemin bankar. Nuk e kam braktisur sot sistemin bankar, nuk e kam braktisur dje. Kam dy vite që e kam braktisur sistemin bankar duke u marrë me konsulencë për biznesin dhe kam dy vite anëtare e këshillit bashkiak, përfaqësoj Partinë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Shkodrës. Është hera e dytë që angazhohem në fushata elektorale. PS është një parti që më përgjan më tepër me prirjet e mia, qoftë ato ekonomike. Mendoj për një hendek më të ngushtë midis të pasurve dhe të varfërve, për një shtet që ndihmon shtresën e mesme. Unë kam një lider politik, ai është Edi Rama. Më pëlqen modeli i politikanit që ka një lidership me të tjerë pas vetes. Premton aq sa premton dhe realizon, punon fort. Mendoj që PS çfarë premtoi e realizoi. Premtoi për të bërë shtet, bëri shtet.  Nuk mund ta quaj veten politikane, sepse jam marrë me politika lokale. Politikat lokale ndryshojnë shumë nga politikat qendrore, më besoni. Më pëlqen shumë politika lokale, kam dhënë maksimumin aty ku isha. Ndoshta është momenti të kontribuoj diçka më shumë në politikën qendrore.

 Senida Mesi: Parimi i evolucionit funksionon edhe këtu .Teoria Darviniane shyqyr Zotit që ekziston. Njerëzit evoluojnë. Jemi në 2017. Nuk mund ta them se jemi si në 99- ën. Unë pretendoi se sot të rinjtë në politikë të kenë një bagazh të vetin. Të dinë çfarë kanë dhënë. Të mos hyjnë në politikë thjeshtë për fasadë por të japin kontributin e tyre. Të mos bëhen “Yes Man” të liderëve të tyre, të dinë  kundërshtojnë.

Blendi Fevziu: Do kesh kurajë të kundërshtosh Ramën?

Senida Mesi: Unë e kamë bërë dhe e kam provuar, kontrolloni facebook-un tim dhe e kam bërë dhe do vazhdoj ta kundërshtoj nëse gjithmonë qëllimi kryesor i imi dhe i Ramës do të jetë zhvillimi i vendit, zhvillimi i qytetit, zhvillimi i Shkodrës, përgatiti “tvklan.al”.