Kush është Klotilda, studentja e frëngjishtes që u zgjodh përkthyesja më e mirë

Entela Resuli

Gjatë ditëve të Festivalit “Ditënetët e Librit”, të rinjtë kanë patur gjithë hapësirën për të organizuar aktivitete e tyre por edhe për të promovuar punët dhe veprat me të cilat kanë punuar.

Paraditen e djeshme ka qenë  Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, që ka ndarë disa çmime mbi konkursin e shpallur për të evidentuar përkthyesin më të mirë.

Nga departamenti i Frëngjishtes është zgjedhur studentja Klotilda Vrioni. Ajo ka përkthyer një pjesë nga autori Michel Bussi me titull “A të kujtohet Anaisi im”.

Vrioni ka lexuar pjesën e përkthyer përpara studentëve dhe pedagogëve të pranishëm në skenën Multimediale Atrium në MHK.

Më poshtë po sjellim pjesën e përkthyer nga Klotilda.

Bregdeti i Vë-le-Roz-it është i shëmtuar. Në fakt, ai është vendi i vetëm i shëmtuar. Në kartolinat e fshatit e fshehim, si një detaj të pahijshëm. Ju jap të drejtë, “i shëmtuar” është çështje opinionesh. Duhet thënë se bregdeti i tij është rindërtuar shumë shpejt pas luftës. Mesa duket Vë-le-Roz-i ka kërkuar të renditet ndër fshatrat më të bukur të Francës,  por qenka refuzuar pasi bregdeti i tij nuk paska qenë në lartësinë e duhur.

E kuptoni, dështim për të gjithë komunën për shkak të tre shtëpive të shëmtuara, pikërisht përballë La Manshë-s dhe kazinosë së vjetër. Tre shtëpi nga sa? Treqind? Pesëqind? Për më tepër, ai ekziston si hakmarrje ndaj banorëve të këtyre zonave periferike. Të radhitura në ballë, ato prishin pamjen e vilave të mrekullueshme, rreth e qark këtyre banesave të jashtëzakonshme, që tregtohen gjer në disa miliona euro në agjencitë imobiliare parisiene. Paradoksi është madje argëtues; pamja më e bukur e fshatit, e vetmja që nuk është dëmtuar nga këto shëmtira është kur jetojmë.

Për sa i përket pjesës tjetër, e dua Vël-esin!

Gjithmonë e më shumë.

Unë nuk lodhem nga shëtitjet e gjata që ndaj me Anais-in, nga bregu i detit në zbaticë, kur dielli perëndon pas shkëmbinjve, ose në mëngjes, në mjegullën e lakërishtes. Por, shëtitjet që Anais preferon, janë ato në krah të pyllit, përgjatë Shams Elize-së. Kam mësuar se shtegu quhet i tillë sepse njëfarë xha Elizeu kishte jetuar atje para dy shekujsh. Parisienëve do t’i dukej kjo gjë argëtuese. Përgjatë rrugës, Anais më ndalon në çdo mulli, tek çdo rosak poterexhi, tek çdo zog që fluturon në Vël. Kureshtjes time të vogël i pëlqen të vështrojë nga muret e kopshteve, ndërkohë që unë e pres. Me të duhet të ulesh nga pesë minuta në çdo stol. Njëlloj si tek kënga.

Banorët e Vël-asit fillojnë të më njohin. Janë klientët e zakonshëm. Kam lidhur miqësi me Klerin, vajzën e kreperisë Marine në rrugën Viktor Hygo, disa metra larg dyqanit tim, ku kam shkuar tre herë për të pirë një kafe. Kler ka të njëjtën moshë me mua. Deri më tani më ka porositur nja dhjetë natyra të vdekura për të dekoruar restorantin e saj. “Solidarë”,  buzëqesh duke kryqëzuar gishtërinjtë!  

Rrugës has përherë plakun e paralizuar, me një batanije të leshtë skoceze mbi këmbë, të cilin e shtyn infermierja e tij. Ai jeton në vilën Maxhorlen. Kler më ka treguar se, familja e saj ishte bërë e pasur në fillim të shekullit të njëzetë, me tregtinë e puplave të strucit. Anxhelo ma konfirmoi. Kryqëzohemi me persona të çuditshëm në Vël. Pak por që ja vlejnë të kthehesh.

Shpesh Anais-it i pëlqen të luajë tek pengesat prej druri. Ajo është e gatshme të luajë e vetme në parkun e lojërave, tek rrëshqitëset gjigande, paralelet e kutitë e rërës, i pëlqen të hidhet tek pellgjet e pishinave, boshe e të pista, si të sëmura, në pritje të ditëve më të bukura.

Po, e dua këtë fshat në mes të dimrit. Këtë labirint që flenë. Këtë botë të vogël të çuditshme,  ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin edhe pse nuk flasin”.

Çmimi 

Klotilda Vrioni është nga Durrësi, ajo është motra e madhe e dy vëllezërve dhe një motre.

Në familjen e saj gjithmonë i është dukur vetja si mësuese, pasi më të vegjlit kanë kërkuar shpesh ndihmë prej saj. Ndaj, në momentin që i duhej të zgjidhte profilin ku do të specializohej, në degën që po ndiqte, ajo zgjodhi mësuesin.

“Më pëlqen të mësoi dhe të ndihmoi të tjerët në rrugën e dijes” thotë ajo “madje duke qenë vetë në këtë fushë edhe vetë do të jem vazhdimisht duke mësuar”- tregon Vrioni për Dita-n.

Për të njohur më shumë këtë përkthyese të re, apo mësuese të ardhshme, ne folëm më Klotildën, e cila na tregoi më shumë mbi pasionin për gjuhët e huaj dhe veçanërisht për mësimdhënien.

Klotilda, ju sapo ke fituar çmimin si “përkthyesja më e mirë”, si ndiheni?

Këtë çmim e konsideroj si vlerësim për punën e bërë, por edhe si një dhuratë të fundit përpara mbylljes së studimeve.

Pjesa e përkthyer ishte zgjedhje juaj apo…?

Jo, nuk ishte zgjedhja ime, por ishte një pjesë e zgjedhur nga departamenti i gjuhës frënge. I përket një novelisti shumë të famshëm këto vitet e fundit në Francë. Veprat e tij akoma nuk kanë filluar të përkthehen në gjuhën shqipe. Kjo ishte një tentativë për të parë si vjen autori në shqip. Pjesa është më shumë përshkruese ku personazhi kryesor i drejtohet të bijës 3-vjeçare nëse asaj i kujtohen kohët, si ja kanë kaluar në atë provincë të Francës.

-Pse keni zgjedhur frëngjishten për të vazhduar studimet e larta?

Gjithmonë kam qenë e prirur ndaj gjuhëve të huaja, duke qenë që gjuhën angleze dhe italiane i zotëroja mendova, pse jo një gjuhë tjetër, ndaj zgjodha frëngjishten.

-Po tani, pas pesë vitesh studimet, si e ndjen vetën  në këtë gjuhë ?

Mund të them që goxha rehat. Pesë vite studime intensive e rrethuar gjatë gjithë kohës nga frankofonë nuk ka si të jetë ndryshe. Ndihem mirë.

-Ju keni zgjedhur profilin mësuesi, përse?

Po kam zgjedhur mësuesinë. Kam luajtur rolin e një mësueseje gjatë gjithë jetës time për faktin se kam qenë gjithmonë fëmija dhe kushërira më e madhe dhe të gjithë vinin që t’i udhëzoja unë ose t’i ndihmoja ku kishin vështirësi, është një kalim që ka ardhur natyrshëm.  Sigurisht që është e vështirë, por ama çdo profesion ka vështirësitë e tij. Ky drejtim më jep kënaqësi dhe jam e lumtur me zgjedhjen time.

-Çfarë studenteje e konsideron veten ?

Do ta konsideroja veten një studente të mirë. E them këtë sepse përgjatë pesë viteve studime kam patur rezultate nga përpjekjet e mia.

-Cili ka qenë kontakti i parë me gjuhën frënge ?

Kontakti i parë me gjuhën frënge ka qenë në 9-vjeçare, kam qenë në klasëne pestë kur filluam gjuhën e huaj në shkollë dhe që në momentin e parë më ka bërë për vete si gjuhë.

-Do vazhdosh të përkthesh ende?

Nuk mund t’i jap një përgjigje fikse kësaj pyetjeje. Nëse teksti do të më bëjë për vete, siç ishte rasti me pjesën e përkthyer atëherë po, do ta vazhdoj.

-Ky është konkursi i parë që fiton ?

Jo, departamenti i gjuhës frënge është jashtëzakonisht shumë aktiv për sa i përket aktiviteteve e konkurseve që organizon përgjatë një viti akademik. Kam marrë pjesë dhe tek konkursi që u organizua për një exchange-program me një fakultet në Zvicër ku u shpalla njëra nga fitueset.

-Cilat janë planet e tua pas mbarimit të studimeve ?

Plani më i afërt për pas mbarimit të studimeve është padyshim stazhi 1-vjeçar, për një kohë më të largët, të shohim si shkojnë gjërat.

-Klotilda, si janë studentët e frëngjishtes, cili është niveli i tyre , me aq sa keni parë?

Si në çdo fakultet tjetër, ke nga të gjitha llojet e tipeve, por ama,  çka sipas mendimit tim i veçon studentët e frëngjishtes është konkurrenca mes tyre për të dalë më i/e miri/a gjë që shtyn dhe pedagogët të punojnë më shumë me ne dhe studentët të punojnë më shumë.