Kush është David McAllister?! – Profili i politikanit që solli pikënisjen e zgjidhjes së krizës në Shqipëri

Paketa McAllister Plus është padyshim togfjalëshi më i përdorur në skenën politike shqiptare në dy ditët e fundit për t’ju referuar paketës për të cilën kanë rënë dakord Kryeministri, Edi Rama dhe Kryeopozitari, Lulzim Basha. Por kush është David McAllister, politikani i cili solli pikënisjen e zgjidhjes së krizës?

46-vjeçari ka një karrierë të pasur politike, e cila nis me angazhimin e tij në strukturat rinore të CDU-së, partisë që aktualisht drejtohet nga Kancelarja Angela Merkel.

Në vitin 2001 ai zgjidhet Kryetar Bashkie i qytetit të tij të lindjes, Bad Bederkesa, por qëndron në këtë detyre vetëm për një vit, pasi promovohet si sekretar i përgjithshëm i CDU-së për landin e Saksonisë së Poshtme, një nga 16 shtetet federale të Gjermanisë, me një popullsi prej 8 milionë banorësh.

Në vitin 2005, Kancelarja Merkel i ofron postin e Sekretarit të Përgjithshëm të CDU-së, por McAllister e refuzon me argumentin se nuk donte të ngjitej kaq shpejt në shkallët e politikës.

Rritja e tij vijon me zgjedhjen tashmë si kryetar i kriStian-demokratëve për Saksoninë e Poshtme në vitin 2008, e më pas zgjedhja si Kryeminsitër i këtij landi, post në të cilin qëndron nga viti 2010 deri në 2013.

Pas këtij momenti, angazhimi politik i McAllister merr një orientim më të gjerë. Ai zgjidhet deputet në i Parlamentit Europian në vitin 2014, detyrë që e mban deri në ditët e sotme.

Në tetor të 2015, karriera e tij pëson një tjetër ngjitje, me zgjedhjen si zv. President i Partive Popullore Europiane, grupimi më i madh politik në PE.

Që prej muajit shkurt të 2017-ës, ai ka shërbyer si kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë në PE, si dhe ka rolin e raporterit për Serbinë, po në këtë institucion.

Për shumë ekspertë, gjermani me origjinë skoceze është një nga politikanët më të angazhuar në politikat europiane dhe që ka ende shumë për të dhënë në karrierën e tij.

Kontributi i tij rezultoi i vyer edhe për vendin tonë, pasi mbi bazat e propozimit fillestar të McAllister është ndërtuar edhe marrëveshja e dakordësuar më herët nga Kryeministri Edi Rama dhe lideri i opozitës, Lulzim Basha.