Kureshti për kryeveprën e Leronardo Da Vinçit për realizimin e afreskut, “Darka e Fundit” e Jezu Krishtit

Nga Albert Vataj

I famshi Leonardo Da Vinçi kishte pranuar të bënte afreskun në sallën e ngrënies të Kuvendit të Shën Marisë së Hireve në Milano me një pikturë të madhe që paraqiste Darkën e Fundit të Jezusit me apostujt. Mjeshtri që në nisje të punës si synonte që afresku të ishte një kryevepër e për këtë ai punonte shumë ngadalë e me shumë kujdes. Edhe me padurimin e vazdueshëm të klerikëve të Kuvendit, afresku përparonte me ritme të ngadalta. Për fytyrën e Jezusit, Leonardi kishte kërkuar një muaj të tërë, të gjente një model që të kishte të gjithë karakteristikat e nevojshme, një fytyrë që të përcillte forcë e butësi, përshpirtësi dhe dritë. Më në fund ai arriti të gjente dhe Jezusit i dha formën e fytyrës së Anxhelos, një djalosh i sinqertë dhe i pastër që e kishte takuar në rrugë. Pas përfundimit të pikturës së Jezusit, piktori filloi të sillej nëpër lagjet më famëkeqe të Milanos e nëpër pijetoret më të ulëta e të lëna pas dore, që të kërkonte e të gjente një personazh me fytyrë të përshtatshme për Judën, nxënësin që e tradhtoi Jezusin. Kërkoi një fytyrë që të shprehte paqartësi dhe zhgënjim, fytyrën e një njeriu të gatshëm të tradhtojë dhe mikun e tij më të ngushtë. Pas shumë netësh mes faqezinjve e maskarenjve të çdo lloji, më në fund arriti të gjente fytyrën që i përshtatej Judës tradhtar. E mori me vete në Kuvend dhe u bë gati të bënte portretin. Në atë moment vërejti se në sytë e atij njeriu po rridhnin lot. “Pse qa?” e pyeti Leonardo, duke i hedhur sytë asaj fytyre të turbulluar, “Unë jam Anxhelo”, mërmëriti njeriu. “I njëjti që të kam shërbyer si model për të bërë fytyrën e Krishtit”. Legjendë apo e vërtetë, gjithqysh kjo alegori mbart mbi vete një domethënie të pazakontë, sinjifikon njeriun e dualizuar të unit, njeriun që lëviz brenda vetes duke dëshmuar botën, por pa mundur të transformojë shpirtin.