KURESHTI DHE TE VERTETA PER DIKTATORIN/ Konjaku që pëlqente Enver Hoxha, sot ruhet ende në kantinë

Qielli është bërë njësh me tokën. Ndonëse janë orët e para të mëngjesit, një erë e ngrohtë, që vjen nga deti, na shoqëron gjatë gjithë udhëtimit tonë. Nuk kuptohet ende edhe fort mirë se ku nis e mbaron qyteti i Durrësit. Jemi nisur për në Arapaj, fshatit që nuk mban më shumë se 10 minuta me makinë nga qyteti. Disa vite më parë, të duhej të lodheshe për të përshkruar këtë zonë, por civilizimi i rrugëve solli edhe zhvillimin. Është fillim pranvere. Që në orët e para të mëngjesit banorët kanë rendur drejt punëve. Diku sheh njerëz me vegla në duar, e jo shumë larg dëgjohet një zhurmë traktori. Historitë tregojnë se në këto anë ka vreshta të mira, madje aq sa edhe vera nuk duhet lenë pa provuar.

Sapo kalon zonat e banuara, sytë të zënë kodra të mëdha mbuluar me vreshta. Janë rreth 40 hektarë. Miku ynë, që na shoqëron, Helidon Kushi, buzëqesh me habinë tonë për hapësirën e mbjellë. “Në këto vreshta humbet. Edhe ne që jemi përditë i hedhim përherë sytë për ta parë mirë vendin që rrethon”, thotë me humor. Helidoni është Administratori i Kantinës së Pijeve, njëkohësisht edhe menaxher i vreshtit.

I riu, 38-vjeçar ka një eksperience 10-vjeçare në këtë kompani. Me profesion në administrim biznes, Helidoni e gjen veten mes fshatit, bujqësisë, dhe biznesit të përpunimit të rrushit. “Jeta ku nuk të sjell, por rastësitë e punës janë përherë të vlefshme. Këtë do e quaja pasuri”, thotë Helidoni, teksa nis të na tregojë edhe për fillimet e kompanisë. “Më parë këtu ka ekzistuar vetëm Kantina e Pijeve. Ajo është krijuar në vitin 1933 nga një familje italianësh që jetonin në Sukth. Ishin ata të parët që bënë nisjen e një biznesi të tillë. Ka pasur një përpunim të thjeshtë të rrushit me kapacitete modeste. Më pas nga viti 1960 deri në vitin 1987, u ndërtuan edhe tre godina të tjera, të cilat e pasuruan me prodhime si vera, konjaku, fërneti, rakia dhe pije të tjera”. Privatizimi i kantinës është bërë në vitin 2001. Familja, e cila merrej më parë me importin e lëndëve si sheqeri, mendoi ta kthente edhe këtë vend në një biznes fitimprurës. Mirëpo, lënda e parë, rrushi, vinte nga importi. Do të ishte ideja e një enologu italian, ajo që do të sillte krijimin e hapësirës më të madhe me vreshta në Shqipëri, me rreth 40 hektarë.

“Nisma ishte nga Italia, nga enologu, që dha idenë për të bashkangjitur vreshtin, sepse vera ka specifika, do një lloj grade sheqeri kur vilet. Primitivo është një lloj rrushi i vështirë për ta gjetur. Ndoshta, e gjen, por jo në ato karakteristika që duhen, sepse të gjitha transmetohen në verë, jo me aciditet, aroma të këqija dhe duhet ta trajtosh më tej, gjë që shtonte edhe kostot. Ndaj, zgjidhja më e mirë ishte krijimi i vreshtave”, rrëfen Helidoni, teksa na tregon edhe gjendjen e kantinës rreth 15 vite më parë. “Këtu bëhej përpunimi ose ambalazhimi i të gjitha verërave në vend dhe ka qenë kantina ku bëhej eksporti i konjakut kryesisht për vendet e Lindjes. Në vitet 2002 -2003 ka qenë e lënë pas dore. Janë bërë punime, restaurime, u pastrua gjithë kantina dhe është rinovuar. Dhe asistent është marrë një drejtor italian, enolog. Më pas filluan zanafillat e tokës për blerjen e vreshtit. Janë bërë pjesë -pjesë deri sa u bënë 40 hektarë”. Teksa ecën në kantinë, nuk mund të humbasin nga sytë fotot e vjetra të punëtorëve të shtetit, përpara se kantina të privatizohej. Prodhimi i konjakut ishte ndër kryesoret e fabrikës.

Helidoni na tregon se ende sot e ruajnë konjak të vjetër. “Sasitë janë të limituara, por ne kemi akoma një pjesë të tonën me historinë. Ky është konjak i vitit 1985”, thotë menaxheri, teksa me dorë tregon shishen. “Vetë Enver Hoxha e ka provuar këtë konjak. Tregojnë se ishte ndër të preferuarat e tij”. Një kantinë me histori, si e tillë është edhe e njohur në vend, mirëpo nismat e çdo kompanie biznesi janë që produktin ta bëjnë të njohur përtej kufijve. Nuk është e lehtë të përballesh me një treg të huaj, aq më tepër kur produkti i Shqipërisë nuk ka reklamën e duhur në vend. “Ne jemi ai komb që duam atë prodhim që bëhet jashtë. Jashtë vendit të prezantojnë produktin vendas, identifikohen me atë produkt dhe i japin përparësi. Këtu mungon kjo pjesë. Tregu te ne është i pa stabilizuar dhe i pakontrolluar nga askush. Ne vërtet jemi më të mëdhenj në prodhimin e alkoolit dhe të verës, por vërtetë ka shumë prodhues të vegjël që e prishin më tepër punën. Po ashtu, ka edhe disa taksa që janë kosto të tepërta. Një prej tyre është akciza, që ne e paguajmë. Fare mirë mund t’i ngarkohen një importuesi sesa një prodhuesi vendas, ku ti e ndrydh në treg. Aktualisht, ne prodhojmë dhe tregtojmë te gjitha pijet alkoolike si: Brandy, Fernet, Ponç, Raki rrushi me çmime qe variojnë nga 230 lekë deri 600 lekë për shishe si dhe rreth 10 lloje verërash të kuqe dhe të bardha, ku çmimi i një shishe kushton nga 220 lekë dhe 500 lekë, në kantinë”, tregon Helidon Kushi./Shekulli