Kur u çlirua Shqipëria? 29 Nëntori dita e çlirimit – Dokumenti i 30 nëntorit 1944

Nga Luan Shtëpani

Kur u çlirua Shqipëria? Kjo pyetja ka marrë një përgjigje ligjore me përcaktimin e datës 29 Nëntor si Festa e Çlirimit. Ka shumë dokumente të cilat deri më tani janë bërë publike që hedh dritë mbi datën e çlirimit të Shqipërisë. Listët së këtyre dokumenteve i shtohet dhe ky dokument i 30 nëntorit 1994  ku shkruhet: “Shkodra u çlirua”. “Në Shqipëri s’mbeti më këmbë  okupaturi dhe tradhëtari”.

Dokumenti i 30 nëntorit 1944

“Shqipëria plotësoi çlirimin e saj  Shkodra që këta muajt e fundit ishte bërë fortesa e okupatorit nazist dhe aq më tepër foleja e politkanëve hajdutë të reaksionit shqiptar u çlirua nga forcat e ushtrisë sonë heroike. Atje lart mbi Taraboshin historik valon flamuri i lirisë, i lyer me gjakun e partizanëve  trima. Populli shqiptar pas tre vjet lufte të përgjakshme dhe sakrificash të jashtëzakonshme mbasi u dogj dhe u poq në këtë luftë vigane kundër hordhive fashisto- naziste dhe mercenarëve të tyre, në saj të ushtrisë së tij dhe të politikës së drejtë të frontit nacionalçlirimtar realizoi ëndrrën e tij dhe amanetin që i lanë dëshmorët e rënë në këtë luftë të shenjtë. Populli me gjakun e derdhur rrëke e spastroi të gjithë Shqipërinë nga armiqt e saj të jashtëm dhe të brendshëm, s’mbeti asnjë ushtrar gjerman, asnjë mercenar ballist ose zogist në Shqipëri. Dhe tashti? Dëshmorët e rënë në sheshin e luftës na kanë lënë edhe një amanet tjetër, testamentin e ndërtimit të Shqipërisë së re, po me atë sakrifica, po me atë heroizma, po me atë entusiazëm me të cilën vazhduam luftën e madhe për liri. Përpjekjet gjigante të popullit tonë kishin dhe kanë një përmbajtje politike dhe ushtarake të caktuar. Nëpërmjet luftës kundër okupatorit dhe tradhëtarëve të ndërtohet skeleti i pushtetit të tij popullor dhe ky skelet u ndërtua në kongresin antifashist të Përmetit i cili i dha popullit kompleksin e fuqisë së tij, zgjedhja e qeverisë demokratike në Berat është një hap përpara drejt realizimit të ëndrrës së popullit tonë. Tani që me çlirimin e  Shkodrës  historike plotësohet spastrimi i vendit tonë nga xhelatët e brendshëm dhe të jashtëm, tani që armiku u thye dhe u shpartallua ushtarakisht, na mbetet të vazhdojmë rrugën e idealit të dëshmorëve tonë për të cilën ranë në fushën e nderit, rrugën e përforcimit dhe perfeksionimit të pushtetit tonë popullor. I vetmi thesar që fitoi populli ynë nga kjo përplasje e madhe është pushteti i tij, me anë të këtij aparati do të ndërtohet Shqipëria e re ku me punën dhe me djersën tonë do të arrijmë shkallë- shkallë në një jetë gjithnjë më të mirë dhe më të lumtur. Këshillat nacionalçlirimtare janë pushteti ynë popullor, janë organet që i japin popullit të gjitha mundësitë për zhvillimin e tij politik, ekonomik, kulturor dhe administrativ. Kjo është esenca e demokracisë sonë, këtu mbështetet deklarata e këshillit antifashist të Shqipërisë mbi të drejtat e qytetarit. Pra, zgjedhjet për këshillat nacionalçirimtare tani me çlirimin e plotë të vendit tonë marrin një rëndëesi të jashtëzakonshme jo vetëm pse ato janë pushteti i vërtetë i popullit, por edhe pse ato duhet ta çojnë popullin në punë për ndërtimin e një Shqipërie të tipit të ri ku punëtori, fshatari, zanatçiu, intelektuali, etj të gjejnë punë dhe një përmirësim gradual të jetës së tyre. Prandaj, duhet të mendojmë mirë përpara se të japim votën, prandaj duhet të zgjedhim punëtorë energjikë dhe me koshiencë në këshillat nacionalçlirimtare. Fjala jonë e fundit është që të zgjedhim në këto këshilla ato që e meritojnë atë vend si vazhdë e idealeve të dëshmorëve tanë, ata që punojnë dhe do të punojnë në farkën e ndërtimit të vendit tone……”

Ndërsa në një shkrim të botuar në revistën “Ylli”, me titullin: “Kronika e ditës së fundit të luftës”  dy autorët e këtij shkrimi në një bisedë me një grup ish- partizanësh tregojnë me detaje se çfarë ndodhi në Shkodër më 28 dhe 29 nëntor 1944. “Pas goditjeve shkatërrimtare që u kishin dhënë anë e kënd atdheut ushtria nacionalçlirimtare pushtuesve nazistë gjatë fundit të muajit nëntor ato u tërhoqën drejt veriut dhe vërshuan në qytetin e Shkodrës. Gjermanët kishin në plan të shkatërronin qytetin e Shkodrës. Për këtë qëllim, kishin minuar tri urat e mëdha në hyrje të qytetit, të Baçallëkut, të Bunës, të Kirit,  centalin elektrik, fabrikën e çimentos dhe dy depot e mëdha me minicione që kishin në lagjet “Perash” e “Skënderbej”. Ata kishin shpallur se Shkodra nuk duhet të binte në duart e komunistëve. Në një situatë të tillë e gjeti mëngjesi i 28 nëntorit 1944 Shkodrën. Mbi qytet varej një kërcënim i kobshëm. Por, Shkodra duhej shpëtuar me çdo kusht. Prej kohësh qarkori i partisë kishte organizuar grupet e njësiteve guerile jo vetëm nëpër lagjet, por edhe nëpër rrugë. Ndaj njësitet në koordinim veprimesh me forcat partizane dhe në bashkëveprim me këshillat nacionalçlirimtare, me organizatat e rinisë dhe të gruas vigjëlonin e vepronin ditë e natë. Populli ishte ngritur në këmbë. Natën në fshehtësinë më të madhe dhe nën hundën e gjermanëve u tërhoq nga depo e lagjes “Perash” pjesa më e madhe e municionit, duke e mbartur me krahë, karro e me gjithfarë mjetesh, duke evituar kështu rrezikun e madh. Po kështu, njësitet guerile në bashkëpunim me punëtorët, me veprime të shkathëta e të guximshme çminuan centralin elektik dhe fabrikën e çimentos. Në lagjen “Skënderbej” gjendja ishte më e rëndë. Nga njëri çast në tjetrin depoja me municione që ishte aty mund të hidhej në erë. Pjesa më e madhe e municionit ishte groposur dhe mbartja e tij ishte e pamundur. Minimi ishte i nëndheshëm. Për çdo të papritur qarkori  kishte organizuar largimin e banorëve nga shtëpitë. Njësiti gueril më në fund mundi të kishte në dorë planet e minimit. Prenë fitilat e minave , nazistët dhanë alarmin dhe u vunë në ndjekje të njësitit. Aksioni kishte marë fund. Fitilat e minave ishin prerë, minimi ishte evituar. Gjermanët nuk kishin kohë për të minuar rishtaz depon. Forcat partizane që vepronin në periferi të qytetit po ngushtonin rrethimin. Në këto përpjekje u plagos rëndë dhe humbi shikimin përjetë duke sulmuar me granata dore partizani i vjetër e trim i grupit të Shkodrës ish komandanti i kompanisë Hysen Ymeri. Ai humbi kështu dritën e syve që të vinte drita e madhe e lirisë. Ndërkohë njësitet guerile në qytet izolonin dhe çarmatosnin  forcat bashibozuke që ishin grumbulluar aty. Një grup prej tyre që tentoi të arratisej me varkë nëpër Bunë u kap. Patrullat e tanket gjermane  u lëshuan nëpër rrugët e qytetit. Njësitet guerile dhe populli vigjëlonin në gatishmëri”.

Në librin e tij “Portrete dëshmorësh Vehbi Fishta, tregon në lidhje me masakrën e 28 nëntorit, kur u vra anëtari i njësitit gueril Qamil Berberi dhe gjithë familja e tij prej pesë personash. “Atë natë u vra edhe një furrtar dhe një partizan, ndërsa u plagosën nga gjermanët dy persona të tjerë. Duke folur për masakrën e 28 nëntorit, Fishta tregon: Në atë kohë isha 17 vjeç dhe isha aktivist i njësiteve guerile të qytetit. Shtëpinë e kisha në të njëjtën rrugicë ku ndodhi masakra dhe e mbaj mend shumë mirë ngjarjen. Rreth orës 21.30 të datës 28 nëntor 1944, Qamil Berberi, përgjegjës i njësitit gueril për pjesën lindore të rrugës së “Cakajve” ishte kthyer për në shtëpi për të marrë bukë për shokët. Në orën 22.30, Qamili doli dhe vetëm 60 metra larg shtëpisë së tij u ndesh me një autoblindë gjermane, që hapi zjarr dhe e vrau në vend. Kur dëgjoi krismat, babai i tij, Sabri Berberi, doli nga shtëpia për të parë ç‘kishte ngjarë, por edhe ai u qëllua për vdekje. Më pas dolën te dera e shtëpisë edhe gruaja e Sabriut, Esmaja dhe dy vajzat, Sadija e Adilja. Ushtarët gjermanë që ndodheshin në autoblindë qëlluan pa mëshirë dhe mbi to, duke vrarë në vend Esmanë dhe Sadijen, ndërsa Adilja u plagos rëndë dhe vdiq në spital pas disa ditësh. Kjo ishte ndër masakrat më të tmerrshme që gjermanët bënë në Shkodër, ndaj mbahet mend mirë. Për koincidencë atë natë ishte Bajram dhe furrtari i lagjes, Luigj Urbani, ishte në punë. Ai doli nga furra rreth 20 minuta pasi dëgjoi krismat, me mendimin se patrulla ishte larguar, por në fakt ushtarët gjermanë qëndronin aty dhe e qëlluan furrtarin sapo ky doli në rrugë. Më pas, një grua tjetër, Gjyshe Dibra, banore e kësaj rruge, e cila doli në derë për të parë ç‘kish ndodhur, u qëllua nga gjermanët dhe u plagos nga një plumb në këmbë. Kjo grua e plagosur ndihmoi më pas për të saktësuar oraret e detajet e gjithë kësaj masakre, pasi në murin e shtëpisë së saj kishte një orë të vjetër”.

Nga të gjitha planet për shkatërrimin e qytetit të Shkodrës,  gjermanët mundën të hedhin në erë vetëm tre ura në hyrje të qytetit dhe atë pjesë të pakët të municioneve që kishte mbetur pa u tërhequr nga depoja në lagjen “Perash” pa shkaktuar viktima e dëme serioze. Pastaj duke përfituar nga errësira e natës lanë në panik Shkodrën dhe vazhduan tërheqen nga Kopliku në drejtim të ish Jugosllavisë, duke u ndjekur dhe goditur hap pas hapi nga forcat partizane. Herët në agimin e 29 nëntorit partizanët ngritën flamurin e lirisë në kala. Njësitet guerile me veprime të shkathta e të guximshme paralizuan të gjithë forcat e xhandarmërisë dhe kapën godinat shtetërore të rëndësishme si: postë-telegrafën, bankën etj. Në prefekturën e qytetit pasi thyen rezistencën e xhandarëve që e ruanin atë, ngritën në orën 4 të mëngjesit të 29 nëntorit flamurin e lirisë. Kështu edhe Shkodra qyteti i fundit që mbahej enden nga armiku u çlirua.

Më 29 nëntor, në Tiranë gjatë një mitingu të BRASH-it Nako Spiru, pasi mori një letër ndërpreu fjalimin për pak çaste. I emocionuar ai iu drejtua pjesëmarrësve: “Shokë, sapo më njofton Shtabi i Përgjithshëm se në mëngjesin e ditës së sotme Shkodra u çlirua. Tani e tërë Shqipëria është e lirë”. Sheshi shpërthen nga brohoritjet e pjesëmarrësve. Ky fakt u pasqyrua të nesërmen, 30 nëntor, në Buletinin e LANÇ-it të Qarkut të Tiranës. Po ashtu ekziston dhe një dokument i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sipas këtij dokumenti trupat gjermane janë larguar nga Shqipëria29 nëntor 1944. Ky dokument gjendet  në arkivën e forcave të armatosura shqiptare.  Në ditarin sekret të komandës së lartë të Wehrmacht-it gjerman, të mbajtur gjatë 14 muajve të pushtimit të Shqipërisë, përshkruhen detaje të operacioneve në Shqipëri. Çdo lëvizje, çdo vendim ushtarak u shënua në këtë ditar, i cili dëshmon të gjitha lëvizjet politike dhe ushtarake të pushtuesit gjerman në Shqipëri, të cilët ishin duke u tërhequr nga të gjitha frontet e luftës.