Kur nacionalistët shqiptarë me në krye Mit’hat Frashërin kërkonin ndihmë Amerikës

Krerët themelues të këtij komiteti, Mithat Frashëri, Abaz Kupi, Nuçi Kota, Said Kryeziu dhe Zef Pali, më 19 shtator, në takim me funksionarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Campbell dhe Thompson, kërkuan pa asnjë rezervë ndihmën amerikane për realizimin e planeve të tyre. Një nga kërkesat konkrete të tyre ishte mbajtja e kontakteve të rregullta me qeverinë amerikane çka, tërthorazi, nënkuptonte një formë njohjeje të komitetit si qeveri provizore e emigracionit shqiptar, por Campbell-i u tregoi atyre Komitetin Evropa e Lirë, sepse dhe ai ishte një nismë private si i tyri, ngaqë qeveria amerikane nuk mund të angazhohej në lëvizje të tilla që lidheshimn me grupime dhe nisma private. M. Frashëri kërkoi të informohej se cili do të ishte qëndrimi amerikan lidhur me politikën dhe qëndrimet greke ndaj Shqipërisë. Kryeministri grek, theksoi ai me nëntekst, e njohu komitetin me cilësitë e tij, por ne kemi rezerva për planet greke ndaj Shqipërisë së Jugut dhe mëtimet e tyre. Kreu nacionalist i komitetit theksoi në mënyrë të veçantë se ishte shumë e vështirë përgatitja e një revolte popullore në Shqipëri për rrëzimin e komunizmit, nëse paraprakisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe nuk jepnin garanci se nuk do të mbështesnin planet greke dhe jugosllave ndaj Shqipërisë. Fuqitë e mëdha, vunë ata në dukje, duhet t’i konsideronin kufijtë mes dy vendeve si kufij përfundimtarë. Thompson-i i përcolli me fjalë dhe premtime të përgjithshme krerët shqiptarë duke vënë në dukje se qeveria amerikane interesohej për çështjet që parashtronte komiteti, për zhvillimet në Evropë dhe u kërkoi që ta informonin rregullisht për planet e tyre dhe për çdo zhvillim në të ardhmen. (…)
Vetëm disa ditë më vonë, një tjetër përfaqësi e këtij Kkomiteti me Hasan Dostin në krye vizitoi State Department, në një përpjekje të re për të informuar amerikanët për planet e afërta dhe të largëta të komitetit. Përfaqësia shqiptare kësaj here u prit nga shefi i Departmentit për çështjen e e Evropës Juglindore që njihte mirë realitetin shqiptar, John Campbell dhe në vazhdim edhe nga zëvendësministri i Jashtëm L. E Thompson, i cili i informoi se në rast se komiteti ndërmerrte një revoltë të armatosur, nuk duhet të linte pas dore disa faktorë të rëndësishëm që lidheshin me zhvillimet në vend, siç ishte prania ushtarake sovjetike në vend, institucionalizimi i terrorit të kuq, sidomos pas vendosjes së M. Shehut në postin e ministrit të Brendshëm, pas dënimit të K. Xoxes. M. Shehu, sipas krerëve shqiptarë të emigracionit, mishëronte grushtin e hekurt të regjimit dhe terroristin e paskrupullt. Edhe kësaj here, shqiptarët kërkuan premtime nga amerikanët për qëndrimet e tyre për të ardhmen e Shqipërisë. Në këtë pikë nuk fshehën shqetësimin e tyre për përkrahjen që qeveria britanike po i jepte qeverisë së Athinës në realizimin e planeve të saj, duke kërkuar hapur nga amerikanët të merrnin ata në dorë nismën për trajtimin e çështjes shqiptare dhe jo britanikët. Theksuan se çështja e Epirit të Veriut, e trumbetuar me zell të veçantë nga rrethe të caktuar qeveritare të Athinës, ishte çështje me rëndësi vendimtare për ruajtjen e tërësisë tokësore të vendit, i cili nuk mund të mbijetonte pa të. Amerikanët, nga ana e tyre, nuk u angazhuan aspak ndaj kërkesave shqiptare, por u mjaftuan me komente të përgjithshme, duke bërë fjalë për strategjinë amerikane në Ballkan. Duke marrë shkas nga pëshpëritjet e kohëve të fundit se në Paris po formohej një qeveri-hije e shqiparëve të Kosovës që do të luftonte për shkëputjen e krahinës nga Federata Jugosllave, amerikanët kërkuan hollësi për lëvizjet, prirjet dhe planet e shqiptarëve në këtë drejtim. Amerikanëve më shumë u interesonte reagimi jugosllav ndaj një nisme të tillë, sidomos qëndrimi i Beogradit ndaj të arratisurve shqiptarë në Jugosllavi. Qeveria amerikane shqetësohej jashtë mase për këtë prirje në Kosovë, që synonte, pa dyshim, rrëzimin e Titos, sipas planeve sovjetike dhe zëvendësmin e tij nga një udhëheqës tjetër me prirje prosovjetike. Nga ana e saj, dërgata shqiptare donte të largohej me një premtim nga amerikanët për të mos lejuar Titon të copëtonte Shqipërinë, siç flitej së fundi me bujë në shtypin perëndimor. Shqiptarët kërkuan nga amerikanët t’u vinin fre synimeve shoviniste dhe ekspansioniste të Beogradit. (…)